THIRRJE PËR APLIKIM, SHKOLLA VERORE EUROPIANE 2017, 4-8 Shtator 2017

Tematika: 

Shkarko Dokumentat: 

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian (KKIE), në partneritet me Delegacionin e Bashkimit Evropian, Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Fondacionin Friedrich Ebert Stiftung, do të organizojë në Tiranë, në datat 4-8 Shtator 2017, raundin e dytë të Shkollës Verore Evropiane.

Për të dytin vit radhazi1, Shkolla Verore Evropiane synon të identifikojë dhe angazhojë aktorë të spikatur nga të gjitha institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit, duke krijuar një grup të konsoliduar ekspertësh me njohuri të thella mbi procesin e integrimit evropian, të cilët mund të kontribuojnë në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Shkolla Verore Evropiane do të ofrojë një kuadër të plotë teorik dhe praktik mbi zhvillimet më të fundit në Bashkimin Evropian, skenarët e mundshëm për të ardhmen e tij dhe veçanërisht të ardhmen e procesit të zgjerimit të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor. Shkolla Verore synon gjithashtu të forcojë aftësitë negociuese të pjesëmarrësve me anë të metodave praktike për zhvillimin e negociatave efektive.

Leksionet do të mbahen nga profesorë të njohur nga Akademia Evropiane e Berlinit, përfaqësues nga Parlamenti Evropian, si dhe ekspertë të nivelit të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar për integrimin evropian dhe procesin e zgjerimit.

Gjithashtu, Shkolla Verore do të përfshijë seanca bashkëbisedimi me përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë, Qeveria, si dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, të cilët do të diskutojnë me pjesëmarrësit mbi ecurinë, sfidat dhe skenarët e mundshëm në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Programi përfshin katër module kryesore:

Moduli 1: Bashkimi Evropian dhe zgjerimi i tij me Ballkanin Perëndimor; 

Moduli 2: Negociatat e anëtarësimit dhe përafrimi i legjislacionit; 

Moduli 3: Manaxhimi efektiv i fondeve të Bashkimit Evropian;

Moduli 4: Komunikimi në publik i procesit të integrimit evropian.

Gjatë Shkollës Verore Evropiane do të përdoret një shumëllojshmëri e metodave të mësimdhënies dhe të trajnimit si: leksione, prezantime praktike, dhe diskutime ndërvepruese.

Të gjithë pjesëmarrësit do të marrin një çertifikatë pjesëmarrjeje pas përfundimit të suksesshëm të kursit pesë-ditor.

Kush mund të aplikojë?

  • Nëpunës të administratës publike shqiptare (përfshirë edhe vetëqeverisjen vendore dhe institucionet e pavarura) që punojnë në fushën e integrimit evropian, të cilët synojnë të angazhohen në procesin e negociatave;
  • Studiuesit e rinj dhe përfaqësues të organizatave jo-fitimprurëse;
  • Gazetarë dhe përfaqësues të medias;
  • Përfaqësues nga komuniteti i biznesit dhe grupe të tjera interesi.

 

Regjistrimi:

Pjesëmarrësit e interesuar janë të lutur të dërgojnë brenda datës 15 gusht 2017, një CV, një letër motivimi dhe një ese të shkurtër mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, përmes postës elektronike në adresën e mëposhtme:

Ka vetëm 40 vende në dispozicion! Aplikantët e suksesshëm do të njoftohen brenda një jave.

[Pjesëmarrja në këtë shkollë është PA pagesë!]