THIRRJE PËR APLIKIME PËR PROJEKTE

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë është një organizatë jofitimprurëse, e pavarur, jo qeveritare, jo politike, pjesë e rrjetit të Open Society Foundations (OSF). Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë mbështet organizata dhe grupime të pavarura që angazhohen në rritjen e llogaridhënies së qeverisë ndaj qytetarëve, luftën ndaj padrejtësive dhe që mbështesin ata që e gjejnë veten në skajet ekstreme të shoqërisë.

Fondacioni në kuadër të misionit të tij për mbështetjen e aktorëve të shoqërisë civile, shpall Thirrjen për Aplikime ku ftohen organizatat jofitimprurëse, individë dhe grupimet informale, të cilët janë të interesuar të angazhohen për të kontribuar në fushat dhe prioritetet e vendosura në këtë thirrje.

Thirrja për Aplikime do të qëndrojë e hapur prej datës 26 Qershor deri më 9 Korrik 2020!
Aplikimet mund të dërgohen vetëm përmes adresës elektronike: aplikime@osfa.al

Drejtimet Kryesore të Thirrjes:
 

1.Reforma në Drejtësi
 

Pritshmëritë e qytetarëve ndaj reformës në drejtësi vijojnë të jenë të larta. Të gjithë kërkojnë e presin rezultate konkrete dhe të qëndrueshme për të kaluar nga premtimi për reformën tek jetësimi i drejtësisë. Besimi i publikut, aq i nevojshëm për legjitimitetin e kësaj reforme, varet drejtpërdrejt nga ofrimi i një drejtësie funksionale, të shpejtë, profesionale dhe të pavarur nga politika në zbatimin e ligjit. Sfida për institucionet e reja të drejtësisë gjatë vitit 2020 mbetet forcimi i pavarësisë dhe kapaciteteve institucionale, rritja e transparencës dhe përpjekja për të kaluar nga faza e tranzicionit tek roli strategjik në udhëheqjen e reformës dhe ofrimin e rezultateve konkrete që përmirëson raportin me qytetarët. Reforma në drejtësi ka nevojë të mbështetet, vlerësohet dhe të përmirësohet nëpërmjet medias aktive dhe të pavarur, angazhimit të një shoqërie civile të aftë dhe profesionale, si dhe përmes angazhimit qytetar si masë kritike e opinionit publik.

Objektivat e mbështetjes nën këtë drejtim:

1.1   Mbështetja e nismave advokuese që synojnë ushtrimin e presionit për zbatimin e reformës në drejtësi me ritme më të shpejta si dhe nxisin rolin udhëheqës të institucioneve të reja të drejtësisë për jetësimin e reformës përmes: caktimit të prioriteteve më të qarta, forcimit të pavarësisë, llogaridhënies dhe performancës së tyre.

1.2   Mbështetja e ideve që synojnë projektimin e të ardhmes së sistemit të drejtësisë, duke identifikuar mangësitë me të cilat mund të përballet sistemi, si dhe ofrimi i propozimeve për mitigimin e këtyre risqeve për zbatimin me efektivitet të kuadrit ekzistues ligjor dhe jo vetëm, me synim garantimin e një sistem drejtësie funksional për të gjithë qytetarët.
 

2.Të drejtat social-ekonomike
 

Punëmarrësit janë shtresa më e prekur e shoqërisë nga zbatimi i masave kufizuese për shkak të vendosjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Një numër i konsiderueshëm punëmarrësish kanë humbur vendet e tyre të punës, ndërkohë që zbatimi nga punëdhënësit i protokolleve për parandalimin e përhapjes së COVID-19 përbën ndër sfidat kryesore për ruajtjen e shëndetit të tyre, por edhe të popullsisë në përgjithësi. Mjedisi është gjithashtu një e mirë e përbashkët e cila shpesh herë është dëmtuar për shkak të ndërtimit gjerësisht të hidrocentraleve pranë zonave të mbrojtura dhe funksionimit të vendgrumbullimeve të mbetjeve në mënyrë informale, ndërkohë që sfidat e reja lidhen me përmirësimin e politikave publike në kuadër të parandalimit të pasojave për shkak të ndryshimeve të klimës në sektorë si bujqësia, mbrojtja e pyjeve, turizmi, etj.

Objektivat e mbështetjes nën këtë drejtim:

2.1 Mbështetja e nismave të cilat synojnë mbrojtjen e punëmarrësve nëpërmjet përmirësimit të legjislacionit dhe adresimit të problemeve konkrete të cilat prekin një numër të gjerë punëmarrësish, për çështje të lidhura me sigurinë në vendin e punës, formalizimin, përfundimin dhe pezullimin e marrëdhënieve të punës.

2.2 Mbështetja e nismave që synojnë mbrojtjen e mjedisit nëpërmjet fuqizimit të organizatave lokale mjedisore përmes njohjes të legjislacionit procedural dhe material në ndjekjen e problemeve kryesore mjedisore dhe kundërshtimit të veprimtarive të cilat dëmtojnë mjedisin e përbashkët.
 

3.Integrimi Europian
 

Hapja e shumëpritur e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian për Shqipërinë në Mars 2020, ka treguar një shenjë pozitive duke paraqitur një mundësi të mirë, por njëkohësisht dhe një sfidë akoma më të madhe për vendin. Rritja e mbështetjes financiare nga BE për Ballkanin konsiderohet një mundësi, por nga ana tjetër kjo fazë është një sfidë e madhe pasi politikat e zgjerimit të BE kërkojnë përmbushjen e një sërë kushtesh që përfshijnë edhe një performancë më të mirë të administratës publike. Shqipëria ka nevojë për një bashkëpunim më të ngushtë dhe koordinim në të gjitha nivelet e qeverisjes në mënyrë që të sigurohet që të gjithë grupet e interesit të marrin pjesë në mënyrë aktive në proceset e reformuese dhe politik-bërjes të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në procesin e integrimit europian.

Objektivat e mbështetjes nën këtë drejtim:

3.1 Nisma që nxisin organizimin e një debati thelbësor me bazë të gjerë në komunitet, në nivel lokal por edhe në nivel qendror, mbi modelin e zhvillimit të Shqipërisë dhe sektorët prioritarë që duhen mbështetur për të orientuar zhvillimin social-ekonomik për të ardhmen.

Kriteret e aplikimit

  • Afati maksimal i zbatimit të projektit është 12 muaj.
  • Kufiri maksimal i grantit për OJF-të është 25,000 USD.
  • Kufiri maksimal i grantit për individët/grupet informale është 10,000 USD.  
  • Organizatat dhe individët/grupet informale mund të dërgojnë vetëm një propozim në kuadër të kësaj thirrje.
  • Inkurajohen projektet që mbështesin nisma konkrete advokimi, përdorimin e mediave tradicionale dhe atyre online për nxitjen e reagimit dhe angazhimit të qytetarëve dhe shoqërisë civile.  

 

Të interesuarit duhet të dorëzojnë me email në adresën aplikime@osfa.al dokumentet e mëposhtëm:

Për organizatat jofitimprurëse:

  • Formularin e projekt-propozimit të plotë;
  • Formularin e buxhetit;
  • Kopje e  vendimit të fundit të regjistrimit të aplikantit në gjykatë;
  • Kopje e dokumentit të regjistrimit në organin tatimor (NIPT);

          

Për individët/grupet informale:

  • Formularin e projekt-propozimit të plotë;
  • Formularin e buxhetit;
  • CV-në e aplikantit dhe të bashkëpunëtorëve që propozohen të angazhohen në projekt-propozim.

 

Gjatë periudhës që Thirrja do të qëndrojë e hapur, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë do të organizojë një sesion informues online në 7 Korrik 2020 ora 11:00 në Faqen e Facebook që e gjeni KËTU. Për çdo informacion apo paqartësi ju lutem na shkruani në aplikime@osfa.al.

Në bazë të vlerësimit për secilin kriter, do të njoftohen vetëm aplikantët e përzgjedhur.