THIRRJE PËR APLIKIME - Programi i Reformës në Drejtësi

Afati për aplikime shtyhet deri në datën 13 prill 2018, ora 17:00

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, në kuadër të Programit të Reformës në Drejtësi, shpall Thirrjen për aplikime, për të ofruar mbështetje për organizata jofitimprurëse, individë (si psh., juristë, avokatë, profesionistë të së drejtës) dhe grupime të tyre, të cilët janë të interesuar të angazhohen për të kontribuar në mbështetjen e zbatimit dhe monitorimit të reformës në drejtësi.

Qëllimi kryesor i programit është të mbështesë nisma të ndryshme të aktorëve vendas që synojnë të nxisin llogaridhënien dhe përgjegjshmërinë e institucioneve shtetërore përgjegjëse për zbatimin e reformës në drejtësi, si dhe të mbikëqyrin zbatimin e drejtë dhe efektiv të disa prej komponentëve kryesor të kësaj reforme.
 

Objektivat kryesor të Thirrjes

Objektivi 1:
Ofrimi i analizave kritike për të kontribuar në rritjen e transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies së autoriteteve shtetërore përgjegjëse për zbatimin e reformës në drejtësi, duke u fokusuar në njërin prej prioriteteve të mëposhtëm:
1.1 - Monitorimin e organeve të ridizenjuara të vetëqeverisjes për sistemin gjyqësor dhe të prokurorisë (Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë)
1.2 - Monitorimin e procesit të vetting-ut (rivlerësimit të jashtëzakonshëm) të gjyqtarëve dhe prokurorëve;
1.3 - Monitorimin e kritereve të meritokracisë dhe integritetit në procedurat e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të nivelit të lartë, anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Prokurorit të Përgjithshëm;
1.4 - Monitorimin e instrumenteve të reja ligjore për luftimin e korrupsionit në sistemin e drejtësisë (monitorimin e themelimit dhe funksionimit të Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar).

Objektivi 2:
Informimi, inkurajimi dhe ofrimi i asistencës ligjore ndaj qytetarëve aktivë të cilët në rolin e agjentëve të ndryshimit do të shndërrohen në promotorë kryesor dhe aktorë presioni për nxitjen e llogaridhënies për zbatimin e komponentëve të mësipërm si dhe rritjen e besimit të publikut për përfitimet e drejtpërdrejta që reforma në drejtësi do të sjellë në jetët e tyre.

Objektivi 3:
Ofrimi i ekspertizës ligjore në hartimin e komentarëve elektronik dhe policy briefs mbi legjislacionin e përmirësuar në fushat që kanë qenë pjesë e fokusit historik të veprimtarisë së Fondacionit, të tilla si aksesi në drejtësi, mbrojtja e grupeve vulnerabël, transparenca dhe efikasiteti i sistemit të drejtësisë.

Përparësi do të kenë:

  • Aplikuesit që kanë një komponent të fortë të angazhimit qytetar dhe komunikimit publik përmes metodave interaktive të komunikimit;
  • Projektet që konceptohen dhe implementohen midis dy a më shumë organizatave që shtojnë vlerë apo plotësojnë njëra-tjetrën (si psh., një organizatë me profil ligjor me një organizatë mediatike ose me bazë komunitare);
  • Aplikuesit që kontraktojnë grupe ekspertësh me përvojë dhe reputacion në fushën përkatëse;
  • Aplikuesit me përvojë në projekte të ngjashme që sjellin ide novatore të mbështetura në metodologji apo eksperienca ndërkombëtare.

 

Madhësia e granteve dhe afati i zbatimit:
- Afati maksimal i zbatimit të projektit është 12 muaj.
- Limiti maksimal i grantit për OJF-të është 40.000 USD.
- Limiti maksimal i grantit për individët është 15.000 USD  

 

Të interesuarit duhet të dorëzojnë në hard copy dokumentat e mëposhtëm:

Për organizatat jofitimprurëse Kliko këtu :

Për individët Kliko këtu:

Thirrja qëndron e hapur deri në 9 Prill 2018 ora 24:00 (Afati për aplikime shtyhet deri në datën 13 prill 2018, ora 17:00)

Projekt-propozimi së bashku me dokumentacionin e plotë si dhe një kopje elektronike e tij duhen dorëzuar në version elektronik dhe në hard copy në adresat:

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (Soros)
Rruga "Qemal Stafa", Nr. 120/2
Tel: 04/234621; Fax: 235855
Tiranë
E-mail: aplikime@osfa.al

Për çdo pyetje që mund të keni në lidhje me këtë Thirrje, ju lutemi kontaktoni në adresat e mësipërme.