Thirrje për artikuj investigativë në fushën e mjedisit

Programi: Zbardhja e korrupsionit në Shqipëri
Lënda: Thirrje për artikuj investigativë në fushën e mjedisit

Thirrja organizohet nga Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative në Shqipëri (BIRN Albania), me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shipërinë dheBalkan Trust for Democracy.

Nëpërmjet këtij konkursi tre (3) gazetarë investigativë do të përzgjidhen për të prodhuar artikuj investigativë në fushën e mjedisit, në bashkpunim me shoqërinë civile.Fituesit do të përzgjidhen nga një juri e pavarur e përbërë nga gazetarë me eksperiencë dhe ekspertë në fushën e mjedisit.

Aplikantët e përzgjedhur, të cilët do marrin një bursë prej 1,200 USD($1,080 + $120 taksë të ardhurash personale), do kenë në dispozicion një periudhë tre mujore për të përfunduar investigimin e tyre dhe përgatitjen e artikullit për publikim.

Kandidatët fitues pritet që të angazhohen dhe të përmbushin të gjitha detyrimet në lidhje me investigimin, siç janë: takimet e shpeshta (javore) me redaktorin, publikimi i tekstit në faqen e BIRN Albania dhe gjithashtu në Balkan Insight, si dhe respektimin e standardeve të gazetarisë investigative dhe etikës profesionale.

Kandidatët duhet të formulojnë një propozim të detajuar për konkursin.Propozimet duhet të kenë për qëllim ekspozimin e krimit mjedisor, korrupsionit, abuzimit me pushtetin, pandëshkueshmërisë dhe mungesës së zbatimit të ligjit në këtë fushë.

Prioritet në përzgjedhje do i kushtohet propozimeve të cilat përfshijnë një nga temat e mëposhtme, të sygjeruara si prioritare gjatë një tryeze të rrumbullakët midis gazetarëve dhe përfaqësuesve tëshoqërisë civile në fushën e mjedisit të organizuar nga BIRN Albania:

  • Korrupsioni, shkeljet ligjore dhe ndikimet negative në mjedis nga hidrocentralet dhe shfrytëzimi i lumenjëve;
  • Keqmenaxhimi i fondeve për mbrojtjen mjedisit nga institucione lokale ose ndërkombëtare;
  • Mosfunksionimi i mekanizmave publik të monitorimit dhe kontrollit në fushën e mjedisit;
  • Shkatërrimi i florës dhe faunës (p.sh. shkatërrimi i pyjeve, gjuetia dhe peshkimi i paligjshëm ose i pakontrolluar, etj);
  • Dëmtimi i parqeve kombëtare dhe zonave mjedisore të mbrojtura;
  • Importi dhe/ose menaxhimi i mbetjeve urbane dhe atyre të rrezikshme;
  • Ndotja e mjedisit si pasojë e aktivitetit industrial.

 

Aplikantët mund të dërgojnë më shumë se një aplikim, por vetëm një propozim për kandidat do të përzgjidhet.
Të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë gazetarët në Shqipëri, të punësuar apo në profesion të lirë.

Kandidatëve u kërkohet që bashkë me formularin e plotësuar të aplikimit të dërgojnë një CV, dhe tre shembuj të punës së tyre me email në:kristina.voko@birn.eu.com

Afati i Aplikimit:        30 Qershor 2014
Kandidatët e përzgjedhur do të njoftohen deri më datë:    7 Korrik, 2014