Zbatimi i ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi, përpjekje për realizimin e të drejtave dhe barazisë së mundësive për personat me aftësi të kufizuara

Me mbështetjen financiare të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros, Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara po zbaton projektin “Zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, përpjekje për realizimin e të drejtave dhe barazisë së mundësive për personat me aftësi të kufizuara”

Ky projekt synon zbutjen e diskriminimit ndaj personave me aftësi të kufizuar dhe realizimin e të drejtave të tyre në baza të barabarta përmes rritjes së njohurive dhe ndërgjegjësimit të personave me aftësi të kufizuara, organizatave legjitime dhe aktorëve të institucioneve kryesore përgjegjëse dhe njëkohësisht përmes propozimeve për udhëzime mbështetëse të ligjit me qëllim zbatimin efektiv të neneve të veçanta, duke vënë theksin mbi konceptin e ‘përshtatjes së arsyeshme”, si një koncept i ri që ka nevojë për sqarime dhe rregullimeve të mëtejshme.

Gjatë zbatimit të këtij projekti, janë parashikuar disa trajnime dhe seminare me qëllim ndërgjegjësimin dhe rritjen e kapaciteteve të aktorëve përgjegjës dhe njëkohësisht disa materiale studimore që do t’i shërbejnë sqarimit e saktësimit të ligjit, me qëllim zbatimin e tij sa më të mirë nga ana e të gjitha institucioneve të përfshira.

Kështu, për herë të parë po realizohet një studim mbi legjislacionin bazë të aftësisë së kufizuar, parë në këndvështrimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi me qëllim vlerësimin e përputhshmërisë.

Një nga objektivat e këtij projekti është identifikimi i rasteve të diskriminimit kundër personave me aftësi të kufizuara. Duhet thënë, që ky objektiv është ndër më të vështirët për t’u realizuar për shkak të një mungese të theksuar ndërgjegjësimi dhe informacioni në lidhje me diskriminimin por edhe për shkak të mungesës së theksuar të besimit në institucionet për rivendosjen e të drejtave të shkelura.

Përmes rritjeve të njohurive dhe rritjes së kapaciteteve të personave të personave me aftësi të kufizuara, synojmë ndryshimin e kësaj situate përmes paraqitjes para Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi të rasteve të diskriminimit të ushtruar ndaj tyre.