Deklaratë e Qëndrës ResPublica

13 Mars 2012

DEKLARATЁ PЁR SHTYP

Qendra Res Publica, që përfaqëson interesat ligjore të familjarëve të viktimave të Gërdecit, u njoh dje me vendimin e Gjykatës se rrethit gjyqësor të Tiranës. Ky vendin rrëzoi pa shoqëruar me argumentim ligjor akuzën kryesore ndaj të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit që ishte vrasje në rrethana të cilësuara të 26 personave. Drejtësia dështoi në mbrojtje të drejtës së jetës, e garantuar kjo, jo vetëm nga Kushtetuta dhe legjislacioni i brendshëm, por edhe nga neni 2 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Pas katër vitesh nga tragjedia, pas 200 seancash nga të cilat rreth 100 dështuan për paaftësi të gjykatës në menaxhimin e pjesëmarësve; pas marrjes në pyetje të rreth 300 dëshmitarëve; pas shqyrtimit të dhjetramijëra faqesh provash shkresore; pas mbajtjes pezull të opinionit publik për rreth 3 vjet rresht, gjykata e Tiranës zhgënjeu pritshmerine e familjareve te viktimave, dhe gjithe opinionit publik.

Me 12 mars 2012 drejtësia shkeli haptazi edhe një standard tjetër, atë të hetimit të plotë e të gjithanshëm për vendosjen përpara përgjegjësisë së autorëve të vrasjes në rrethana të cilësuara të 26 viktimave, mes të cilëve gra dhe fëmijë.

Në vendimin e Gjykatës nuk u artikulua në asnjë moment një qëndrim zyrtar për akuzën kryesore të ngritur nga prokuroria e për të cilin u kërkua burgim i përjetshëm, duke mos dhënë përgjigje për përgjegjësinë e jetëve të humbura, duke i bërë bisht detyrimit ligjor që ka gjykata për të argumentuar rrëzimin e çdo pretendimi të ngritur nga akuza. Gjykata nuk ngurroi të dënonte disa të akuzuar për shkatërrimin e pronës nga pakujdesia, ndërkohë që si me dashje indirekte apoedhe nga pakujdesia ishte shkaktuar dhe vrasja e viktimave. Kujtojmë se i njëjti mekanizëm ngarkon përgjegjësinë edhe për humbjen e jetës së viktimave të 15 marsit 2008.

Kujtojmë gjithashtu se personat që sot kanë marrë dënimet më të rënda, janë liruar nga masa e arrestit me burg, vetëm për shkak të skadimit të afateve, të cilat duhet të rifillojnë kur gjykata del me një vendim. Megjithatë Gjykata e Tiranës e kurseu dorën e drejtësisë, duke i mos i prishur të gjykuarve komoditetin e masës me arrest shtëpie.

Qendra Res Publica qëndron përkrah familjarëve të viktimave të shpërthimit të Gërdecit dhe e vlerëson të drejtë reagimin e tyre publik, duke mos humbur në asnjë çast vëmendjen për çdo zhvillim në ditët në vijim.