Hulumtimi Social Europian për herë të parë në Shqipëri

12 Prill 2012

Sot Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (Soros) lançoi realizimin e Hulumtimit Social Europian për herë të parë në Shqipëri gjatë dhjetorit 2012. HSE është një studim akademik me orientim social, i projektuar që të hartojë dhe të shpjegojë bashkëveprimin midis ndryshimeve institucionale evropiane dhe qëndrimeve, besimeve dhe modeleve të sjelljeve. Pyetësori i studimit është hartuar për të matur qëndrimet e tanishme të qytetarëve evropianë dhe se si ato ndryshojnë në kohë. Pyetësori mbulon përfshirjen sociale, besimin fetar, besimi tek institucionet dhe politika, këndvështrimet mbi demokracinë si dhe perceptimet e njerëzve për mënyrën se si po shkon jeta e tyre. Më specifikisht:

Sa europianë janë shqiptarët?
Sa ndjekin shqiptarët televizionin, sa lexojnë gazeta?
Sa besim kanë shqiptarët tek njëri-tjetri?
Sa besim kanë shqiptarët tek institucionet e shtetit dhe partitë politike?
Shqiptarët e identifikojnë veten më shumë me të majtën apo me të djathtën?
Cilat janë perceptimet e shqiptarëve ndaj demokracisë në vend?

Të dhënat që do prodhohen nga ky studim do të furnizojnë me të dhëna të besueshme mbi gjendjen e shoqërisë shqiptare politikbërësit e qeverisjes vendore dhe qëndrore në vend dhe aktorët e tjerë të angazhuar në zhvillimin e Shqipërisë.

Në fjalën e tij hapëse, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë theksoi rëndësinë e të dhënave të besueshme dhe të krahasueshme për politika publike të bazuara në të dhëna dhe debat publik sa më konkret dhe sa më pak spekullativ, sidomos në prag të zgjedhjeve parlamentare 2013. “Me realizimin e HSE për herë të parë në Shqipëri”, tha ai, “sjellim në përvojën tonë një nga metodologjitë më solide të realizimit të hulumtimeve, dhe e vendosim veten, për herë të parë në hartën më të plotë dhe të besueshme të studimeve sociale në Evropë. Dinamika e demokracisë veçse forcohet kur qëndrimet e votuesve njihen bëhen të ditura, njihen dhe influencojnë përtej ditës së votimit”.

Realizimi i HSE koordinohet nga zyrat qëndrore në City University London. Gjatë muajit dhjetor 2012 do të kryhen në Shqipëri 1.600 intervista ballë për ballë, shtëpi më shtëpi, në të 12 qarqet e Shqipërisë, në fshat dhe qytet. Teknika e intervistimit sjell risi në Shqipëri, pasi intervistat do të kryehen nëpërmjet tabletave komjuterike që mundësojnë hedhjen e të dhënave në kohë reale në kompjuter duke evituar kështu gabimin njerëzor në kalimin e tyre nga letra në kompjuter. Në takim ishin të ftuar përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, akademikë dhe zyrtarë të qeverisjes vendore dhe qendrore.

Për fjalën e Drejtorit Ekzekutiv të Fondacionit gjatë prezantimit të HSE në Shqipëri, lutemi trokitni këtu.

Për më shumë informacion, lutemi kontaktoni:
Adela Halo
Menaxhere e Programit të Mirëqeverisjes dhe Integrimit Evropian
Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë - Soros
Rr. Qemal Stafa, Pallati 120/2, Tirana
T: +355 4 22 34 621/ 22 34 223/ 22 35 856
ahalo@osfa.soros.al
www.soros.al