Impakti i lëvizjes pa viza në hapësirën Shengen tek qytetarët shqiptarë

26 Prill 2011

Më 27 Prill 2011, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), organizoi një konferencë mbi: “Impaktin e lëvizjes pa viza në hapësirën Shengen tek qytetarët shqiptarë”. Qëllimi i kësaj konference ishte diskutimi i të dhënave dhe shkëmbimi i pikëpamjeve të aktorëve të ndryshëm mbi dinamikën social – ekonomike të lëvizjes pa viza të qytetarëve shqiptarë që prej 15 dhjetorit 2011 dhe veçanërisht procesi i informimit të tyre. Konferenca finalizoi serinë e aktiviteteve informuese të ndërmarra ne qarqe të ndryshme të vendit në kuadër të projektit “Procesi i Liberalizmit të Vizave me Shqipërinë: Si ta kthejmë në një histori suksesi?” mbështetur nga Fondacioni për Shoqërinë e Hapur në Shqipëri (OSFA). Gjatë konferencës, EMA prezantoi gjithashtu gjetjet kryesore të anketës dhe studimit të realizuar në shkallë kombëtare, me fokus mbi efektin e liberalizimit të vizave në flukset e lëvizjes dhe migrimit të qytetarëve. Në këtë konferencë ishin të ftuar: Znj. Filloreta Kodra, Zëvendësministre e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Sh. T. Z. Etorre Sequi, Ambasadori i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, si dhe Z. Nikolla Ndoci, Drejtor i Migracionit dhe Ripranimit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Takimi u hap me fjalën e Z. Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri i cili moderoi këtë takim.
Zëvendësministrja e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Znj. Filloreta Kodra, përshëndeti organizimin e këtij aktiviteti dhe theksoi se rrëzimi i murit të vizave e futi Shqipërinë në një stad të ri dhe shtroi para qeverisë, por edhe qytetarëve detyra të reja të rëndësishme. Znj. Kodra pasqyroi më hollësisht rolin e Ministrisë në këtë proces, duke përmendur se realizimi me përgjegjshmëri i të drejtës për të udhëtuar pa viza në hapësirën Shengen nga qytetarët shqiptarë është një incentivë për lehtësimin e kushteve të punës, jetesës, studimit, bashkimit dhe integrimit familjar të emigrantëve shqiptarë në shoqëritë e vendeve pritëse. Në përfundim të fjalës së saj, Zëvendësministrja nënvizoi se: “Strategjia Kombëtare e Riintegrimit të emigrantëve të kthyer në vend 2010 – 2015 reflekton plotësisht vizionin e qeverisë për riintegrimin e emigrantëve të rikthyer”.
Ambasadori i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Sh. T. Z. Ettore Sequi falenderoi EMA-n për organizimin e këtij aktiviteti si dhe për rolin e saj në informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi lëvizjen pa viza. Ai nënvizoi se lëvizja pa viza ishte një moment historik për Shqipërinë dhe për qytetarët e saj por nuk duhet harruar se premtimi për demokracinë është më shumë se kaq. Sipas tij, impaktin më pozitiv liberalizmi i vizave e ka pasur tek të rinjtë, të cilët tashmë kanë më shumë mundësi për udhëtuar në vendet e hapësirës Shengen. Ambasadori theksoi se liberalizimi i vizave është vetëm një hap në procesin e integrimit europian, i cili kërkon ndërmarrjen e shumë reformave nga ana e qeverisë shqiptare. “Anëtarësimi në Bashkimin Europian ka të bëjë me pjekurinë e demokracisë, e cila lidhet me respektimin e të drejtave të njeriut si dhe garantimin e shtetit ligjor”- përfundoi fjalën e tij ambasadori.
Përfaqësuesja nga EMA, Znj. Blerta Hoxha bëri një prezantim të shkurtër mbi fushatën informative të realizuar gjatë një periudhe 1 vjecare si dhe disa nga gjetjet kryesore të sondazhit të realizuar në nivel kombëtar si:
• Me shume se gjysma e qytetarëve shqiptarë janë të informuar mbi detyrimet qe rrjedhin nga liberalizimi i vizave.
• Liberalizimi i vizave ndikon në masë të gjerë pozitivisht në vendimin e qytetarëve për të udhëtuar: numri i atyre që do të lëvizin pa viza këtë vit varion nga një minimum prej 181,842 deri në një maksimum prej 472,789.
• Zonat urbane kanë prirje shumë më të lartë për të udhëtuar krahasuar me zonat rurale.
• Qytetarët e punësuar dhe studentët janë ata që e përdorin më shumë lëvizjen pa viza.
• Individët rreth moshës 25-30 vjeç janë ata që udhëtojnë më shumë.
• Prirje të lartë për të ndërmarrë udhëtime afatshkurtra (0-3 muaj) tregon gjithashtu dhe mosha 50 – 59 vjeç, e përbërë shpeshherë nga prindër të cilët vizitojnë fëmijët me familjet e tyre në migrim, ndonjëherë që t’i mbështesin në kujdesin e fëmijëve.
• Personat me arsim të lartë ose studime pasuniversitare kanë prirje më të theksuar për të ndërmarrë vizita afatshkurtra.
• E njëjta kategori mbetet më e interesuara për të migruar në formë të përhershme, një fakt që tregon se Shqipëria është ende në rrezik për të përjetuar një ikje të trurit.
• Qytetarët e rretheve më të zhvilluara nga ana socio-ekonomike, si dhe ata nga qytetet me flukset më të mëdha të migrimit vitet e fundit si p.sh. Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora dhe Shkodra kanë prirje shumë të lartë për të ndërmarrë vizita afatshkurtra.
• Rrethet kufitare me vende të zonës Shengen, si p.sh. Korçë, Sarandë, Gjirokastër shënojnë një rritje modeste të prirjes për të ndërmarrë vizita afatshkurtra.
*(Për të dhëna më të hollësishme, si dhe grafikët, lutemi t’i referoheni prezantimit të gjetjeve bashkëlidhur).
Drejtori i Migracionit dhe Ripranimit, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Z. Nikolla Ndoci gjatë fjalës së tij u ndal tek mekanizmi i monitorimit të ngritur nga qeveria shqiptare me qëllim për të reaguar sa më shpejt ndaj problemeve që mund të hasen gjatë këtij procesi. Ai përmendi rolin e Policisë së Shtetit si një ndër institucionet kyçe në këtë proces duke nënvizuar rolin e saj si burim informacioni për FRONTEX-in. Sipas të dhënave zyrtare që disponon Policia e Shtetit. Z. Ndoci pohoi se deri tani procesi ka vajtur shume mirë. Aktualisht nuk është identifikuar asnjë person i cili është kthyer për shkak të shkeljes së afateve të qëndrimit në hapësirën Shengen.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri, shoqërisë civile, akademikë, studentë, ekspertë si dhe përfaqësues të medias. Në fund të takimit pjesëmarrësit adresuan një serë pyetjesh mbi të dhënat e sondazhit si dhe shkëmbyen pritshmëritë mbi impaktin që liberalizmin i vizave ka patur deri më tani në lëvizshmërinë e kategorive të caktuara. Aktiviteti u pasqyruar gjerësisht nga media vizive dhe ajo e shkruar.