CSDG: SPAK Monitor nr.2, Shtator - Nëntor 2018

05 Nëntor 2018

Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve dhe Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve zgjodhën në datat 11 dhe 12 Dhjetor 6 anëtarët gjyqtarë dhe 6 anëtarët prokurorë, të cilët do të jenë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).  Ndërkohë që anëtarët jo-gjyqtarë dhe jo-prokurorë u zgjodhën në shkurt të këtij viti, zgjedhja e anëtarëve gjyqtarë dhe prokurorë, finalizoi konstituimin e këtyre dy Këshillave, të cilët duhet të zhvillojnë mbledhjen e parë jo më vonë se 3 ditë nga data e zgjedhjes së të gjithë anëtarëve si dhe të zgjedhin Kryetarin dhe Zëvendëskryetarin e tyre. Megjithëse krijimi i KLGJ dhe KLP është hapi më pozitiv dhe i nevojshëm për ti hapur rrugë emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Gjykatat dhe strukturën e Posaçme SPAK, numri i ankimimeve në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA) të anëtarëve të zgjedhur, mund të përbëjë një faktor pengues për funksionimin normal të tyre.  Efektet e vendimeve të KPA u trajtuan paraprakisht dhe në mënyrë të detajuar në numrin e dytë të SPAK Monitor, në të cilin u analizuan pasojat e mundshme të konfirmimeve negative të KPA për kandidatët anëtarë të dy organeve, në mënyrë të veçantë të prokurorëve për KLP. Ndërkohë që për 6 gjyqtarët e zgjedhur në KLGJ nuk ka asnjë ankimim, 3 nga 6 prokurorët e zgjedhur në KLP janë ende në proces ankimimi në KPA. Në këto kushte, vendimi përfundimtar i këtij të fundit do të jetë përcaktues jo vetëm për funksionimin normal të KLP-së, por edhe për ushtrimin e kompetencave që KLP ka në emërimin e prokurorëve të Posaçëm.

 Ky produkt realizohet nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet e shprehura në këtë material janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë mendimet e donatorit.

Klikoni këtu për të shkarkuar buletin informativ në format PDF