Fondacioni prezanton ‘Analizën e Projektbuxhetit 2017’ dhe ‘Monitorimin e Buxhetimit të Prioriteteve të Integrimit në Projektbuxhetin 2017’

05 Dhjetor 2016

Duke vazhduar traditën tashmë disavjeçare të monitorimit të buxhetit të shtetit, Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë – Soros ka mbështetur edhe këtë vit një grup ekspertësh të njohur të ekonomisë dhe financave shqiptare në realizimin e kësaj veprimtarie të rëndësishme. Në kuadër të programit të “Monitorimit te Financave Publike” ka përgatitur raportin ‘Analiza e Monitorimit të Projekt-buxhetit 2017’ dhe raportin mbi ‘Monitorimin e buxhetimit të prioriteteve të integrimit në Projekt-buxhetin 2017’.

1. Analiza e Projekt-buxhetit 2017

Menjëherë mbas miratimit të projekt-buxhetit në Këshillin e Ministrave, grupi i ekspertëve analizoi projek-buxhetin e vitit 2017 dhe paraqiti një analizë më të detajuar të:

  • treguesve kryesor të projekt-buxhetit të vitit 2017;
  • financimin e sektorëve prioritarë në projekt-buxhetin e vitit 2017.
     

Analiza e kryer në këtë dokument është e bazuar kryesisht në dokumentin e relacionit të projekt-buxhetit të vitit 2017 dhe dokumentin e buxhetit të rishikuar të vitit 2016 dhe buxhetin fillestar 2016.

2. Monitorimin e buxhetimit të prioriteteve të integrimit në Projektbuxhetin 2017

Ekipi i ekspertëve ka shqyrtuar projekt-buxhetin e vitit 2017 për të monitoruar mbështetjen financiare që ky  buxhet siguron për plotësimin e pesë prioriteteve të integrimit të Shqipërisë duke i grupuar këto 5 prioritete në tre fusha kryesore:

  • Reforma në administratën publike dhe mbështetja për Ministrinë e Integrimit Europian (Prioriteti 1) për të parë në shifra konkrete mbështetjen institucionale për procesin e integrimit;
  • Reforma në gjyqësor (Prioriteti 2), si matës i angazhimit për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe reforma  antikorrupsion dhe lufta kundër krimit të organizuar (Prioriteti 3 dhe 4);
  • Respektimi i të drejtave të njeriut dhe të drejtës së pronës (Prioritetei i 5).
     

Raportet janë vënë në dispozicion të Kuvendit, medias si edhe të publikut të gjerë, për të ushqyer debatin mbi projekt-buxhetin 2017.