Hulumtim mbi Profilin Socio-Politik të Popullatës Rome në Shqipëri

16 Mars 2016

Studimi që keni në duar duhet nënvizuar prej fillimi që shenjohet më së shumti si një përpjekje kërkimore e natyrës eksploruese dhe përshkruese se sa shpjeguese dhe analitike. Që në zanafillë nevoja për këtë studim u konceptua si reflektim mbi punën e zhvilluar në terren me komunitetin Rom. Kryesisht i referohemi inisiativës që mbështetet në qasjen e aktivizmit sipas së cilës synimi kryesor është mobilizimi kolektiv dhe angazhimi në mënyrë aktive i këtij komuniteti. Pikërisht përgjatë procesit të aplikimit të konceptit dhe strukturimit të modelit të ri të ndërhyrjes lindën mjaft pikëpyetje, për të cilat u vlerësua si i nevojshëm, përpos të tjerash, një hulumtim sistematik dhe i thelluar. 

Në këtë kuptim ndërmarrja e këtij kërkimi ngjizet prej fillimi jo si një kërshëri akademike, por më së shumti si një nevojë praktike. Gjithsesi nuk u lejua që nevoja të bëhej përcaktuese ndaj dhe nuk u operua prej fillimi me qasjen klasike të një studimi, në mënyrë që kërkimi të ishte sa më pak intencional dhe sa më i çliruar nga paragjykimi i subjektit studiues. Si rrjedhim nuk u ndërtuan variabla të mirëfilltë, por vetëm fusha të mundshme apo e thënë ndryshe koordinata që do të mund të përshkonte trajektorja e hulumtimit. Nuk u formulua një hipotezë, por thjesht një pyetje e përgjithshme e studimit, e cila artikulohet si një përpjekje për të eksploruar potencialin e Romëve për ndryshim.

Metodologjia e përzgjedhur është qëllimisht në rrafshin e kërkimit cilësor, si një mundësi për t’u thelluar në zbulimin e shkaqeve apo edhe nuancave të fshehura të dukurive të caktuara. Më konkretisht u përdorën dy instrumenta kyç në një kërkim cilësor si intervistat e thelluara dhe fokus – grupet, duke përftuar në këtë mënyrë si perspektivën e grupit ashtu edhe këndvështrimin individual në lidhje me çështjet e trajtuara. 

Fokus-grupet ndahen në tre kategori të ndryshme (meshkuj më vete, femra më vete dhe grupe mikse) dhe secila prej tyre përbëhet nga 8 persona. Në kompozimin e grupeve ashtu si edhe në ndërtimin e profilit të intervistave individuale, kërkimi u mbështet në kriterin moshor, statusin social, gjininë dhe nivelin arsimor. 

Ndërsa përcaktimi i kampionimit u bazua në një analizë paraprake të demografisë, shpërndarjes gjeografike dhe tipologjive të ndryshme të vendbanimeve të popullatës Rome, duke iu referuar Censusit të realizuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë(Soros). Në këtë kuadër u përcaktuan 10 zona ku do të zhvillohej studimi, duke i ndarë në 3 zona rurale, 4 zona urbane dhe 3 zona të tjera, në të cilat komuniteti Rom jeton në baraka, në qarkun e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Korçës, Fierit, Beratit. Më konkretisht u realizuan 24 fokus-grupe, 63 intervista të thelluara dhe të dhënat e regjistruara u transkriptuan dhe u analizuan. 

Referuar të dhënave të gjeneruara, cilësisë dhe llojit të gjetjeve si dhe përsëritjes së frekuencës dhe konsistencës së tyre në zona të ndryshme, analiza u përqëndrua në tre çështje kryesore si: arsimi, punësimi dhe marrëdhëniet e anëtarëve të komunitetit ndërmjet tyre, me mazhorancën dhe me institucionet. Siç nënvizohet edhe më lart u zgjodh që të mos veprohej sipas një qasje deduktive, por të krijonim hapësirë për sa më shumë gjetje brenda kontureve të studimit në mënyrë që të ishin gjetjet që të udhëhiqnin drejt përshkrimit dhe shpjegimit të situatës. 

Secila prej çështjeve të trajtuara përbën një kategori të rëndësishme shpjeguese të situatës, në të cilën gjenden Romët si në vetvete ashtu si edhe në raportet me çështjet e tjera që trajtohen. Për shembull nuk mund të kuptohet arsimi pa një shpjegim të njëkohshëm të marrëdhënies së komunitetit me punën, por dhe me njëri - tjetrin e mazhorancën. Natyrisht të interpretuara më gjerësisht si dukuri, siç do të vëreni edhe gjatë shpjegimit, analiza bëhet më komplekse duke përfshirë në arsyetim edhe koncepte si kapitali njerëzor apo ai social.  

Gjithashtu është me rëndësi të theksohet, nisur nga qasja e këtij studimi që në fazën e konceptimit të tij ashtu si edhe në fazën finale të analizës, Romët nuk konsiderohen si një bashkësi homogjene por heterogjene me nëndarje, shtresëzime dhe diferenca brenda strukturës së tyre shoqërore. 

Ky studim mund të vlejë si nxitës katalizator për ekspertët e fushës, që të ndërmarrin kërkime të tjera më të thelluara për këto çështje, gjetje apo nuanca që ndoshta ende nuk janë trajtuar mjaftueshëm edhe për shkak të kontureve të vetë studimit. Gjithashtu disa nga gjetjet e mëposhtme mund të shërbejnë si bazë për aktorë të interesuar që të ndërmarrin nisma të arsyeshme dhe të mirëmenduara në funksion të interesave të komunitetit.  

Raportin mund ta shkarkoni duke klikuar këtu.