Përmbledhje e SPAK info

05 Shtator 2019

SPAK info është një përmbledhje e shkurtër e zhvillimeve mujore në lidhje me procesin e krijimit të institucioneve të reja në luftën ndaj korrupsionin dhe krimit të organizuar (gjykatat e posacme dhe SPAK). Synimi është dhënia e informacionit të shpejtë dhe të thjeshtë për opinionin publik në lidhje me këtë proces. SPAK është struktura e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, term që përdoret për t’iu referuar Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si edhe Njësisë së Pavarur Hetimore ndryshe quajtur edhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

Këto produkte realizohen nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet e shprehura në këtë material janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë mendimet e Fondacionit.

CSDG - SPAK info nr.1

Konstitutimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), shënon fillimin e një faze më të avancuar të procesit të ngritjes së Gjykatave dhe Strukturës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndër hapat e parë që dy Këshillat duhet të marrin janë emërimi i gjyqtarëve në Gjykatat e Posaçme dhe prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme. Sipas parashikimeve ligjore këto procese duhet të realizohen brenda dy muajve.

Megjithatë, kalimi i procesit të rivlerësimit dhe kufizimi i lirisë pesonale për gjyqtarët dhe prokurorët përbëjnë një nga sfidat në drejtim të respektimit të afateve ligjore të përcaktuara për ngritjen e Gjykatave të Posaçme dhe SPAK.

SPAK Info synon të informojë mbi zhvillimet periodike dhe hapat e njëpasnjëshëm ligjor deri në ngritjen e Gjykatave të Posaçme dhe SPAK.

Klikoni këtu për të shkarkuar SPAK info nr.1 në format PDF.

 

CSDG - SPAK info nr.2

SPAK Info 2 informon mbi ecurinë e deritanishme të emërimit të gjyqtarëve në Gjykatat e Posaçme si dhe mbi ecurinë e ngritjes së Prokurorisë së Posaçme. Ky produkt realizohet nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet e shprehura në këtë material janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë mendimet e donatorit.

Megjithëse Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) vendosi nisjen e procedurave për caktimin e përkohshëm të gjyqtarëve pranë Gjykatave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ky proces nuk ka përfunduar ende. Ndërkohë deri tani KPK ka përfunduar procesin e rivlerësimit për vetëm dy gjyqtarë të Gjykatave të Krimeve të Rënda.

Emërimi i gjyqtarëve në Gjykatat e Posaçme duhet të përfundojë brenda 2 muajve nga krijimi i KLGJ-së, që do të thotë se ky proces duhet të ndodhë brenda muajit shkurt, kohë në të cilën duhet të fillojë edhe ushtrimi i kompetencave të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ende në proces është edhe ngritja e Prokurorisë së Posaçme. Megjithëse mbeten më pak se dy javë deri në përfundimin e afatit të aplikimit për kandidatë për Prokuror të posaçëm deri tani kanë aplikuar vetëm 2 prokurorë. Deri në datën 7 Shkurt 2019 mbetet ende kohë për të aplikuar, por numri i ulët i deritanishëm i aplikimeve përbën një sinjal jo pozitiv për ecurinë e ngritjes së SPAK.

Megjithë masat e ndërmarra nga KLP për ecurinë normale të procesit të ngritjes së SPAK si dhe pritshmërive dhe mbështetjes së aktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë në këtë drejtim, pjesëmarrja e prokurorëve në proces si edhe nevoja për të prioritarizuar rivlerësimin e kandidatëve të mundshëm, mbeten ndër kushtet kyçe për fillimin e funksionimit të Prokurorisë së Posaçme.

Klikoni këtu për të shkarkuar SPAK info nr.2 në format PDF.

 

CSDG - SPAK info nr.3

Muaji shkurt është afati i fundit ligjor për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatave të Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (KKKO), brenda të cilit duhet të përfundojë emërimi i gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit për Krime të Rënda si edhe të fillojë ushtrimi i kompetencave të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Megjithëse procedurat për caktimin e përkohshëm të gjyqtarëve pranë Gjykatave së Posaçme KKKO kanë filluar nga KLGJ që në fund të muajit dhjetor 2018, dhe pavarësisht se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka filluar procedurat e rivlerësimit për të gjithë gjyqtarët e Gjykatave  të Krimeve të Rënda, ende nuk ka një vendim apo prononcim zyrtar lidhur me procesin e emërimit të përkohshëm të gjyqtarëve të Gjykatave të Krimeve të Rënda në Gjykatat e Posaçme.

Ndërkohë Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), pas përfundimit të afatit të aplikimit të prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme në datën 6 shkurt 2019, vendosi një zgjatje kohore deri në datën 21 Shkurt 2019, duke shtyrë në këtë mënyrë edhe emërimin e prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme, i parashikuar të përfundonte brenda dy muajve nga krijimi i KLP-së.

Pjesa më e madhe e prokurorëve, të cilët kanë aplikuar për të qenë anëtarë të Prokurorisë së Posaçme përbëhet nga prokurorë aktualë të Prokurorisë për Krime të Rënda. Ndërkohë, pavarësisht se thuajse për të gjithë kandidatët të cilët kanë aplikuar në fazën e parë për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme ka filluar procesi i rivlerësimit nga KPK, vetëm 3 prej tyre janë konfirmuar tashmë në detyrë.

SPAK Info 3 informon mbi ecurinë e emërimit të gjyqtarëve në Gjykatat e Posaçme si dhe mbi ecurinë e procesit të aplikimeve të prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme.

Klikoni këtu për të shkarkuar SPAK info nr.3 në format PDF.

 

CSDG - SPAK info nr.4

Në datën 21 Shkurt përfundoi afati i dytë i vendosur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) për aplikimin e kandidatëve prokurorë në Prokurorinë e Posaçme (PP). 27 kandidatë shprehën interes për të qenë pjesë e strukturës më të rëndësishme të hetimit për veprat e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Pjesa më e madhe e kandidatëve janë prokurorë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe gjatë fazës së dytë të aplikimeve, kanë shprehur interes për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme edhe ish-prokurorë, të cilët ushtrojnë aktualisht detyra të tjera jashtë sistemit të prokurorisë.

Deri tani Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka konfirmuar në detyrë vetëm 5 nga 27 prokurorët kandidatë në PP, ndërkohë që kanë filluar procedurat e rivlerësimit për pjesën tjetër të prokurorëve, të cilët priten të përfshihen në kalendarin e seancave dëgjimore.

Brenda muajit shkurt ishin parashikuar të fillonin nga funksionimi edhe Gjykatat KKKO. Fillimi i ushtrimit të veprimtarisë së institucioneve të hetimit do të kërkojë bashkëpunimin dhe koordinimin me Gjykatat KKKO dhe anasjelltas, pasi vonesat në ngritjen e njërit prej këtyre organeve do të krijonin vakuam edhe në ushtrimin e kompetencave të strukturave të tjera kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndërkohë, megjithëse janë miratuar struktura dhe buxheti KLP-së për vitin 2019, ende mbetet i pazgjidhur përcaktimi i ambienteve të punës të këtij organi. Në kushtet kur KLP do të duhet të menaxhojë një volum pune në rritje dhe të realizojë disa nga detyrat më të rëndësishme, akomodimi përfundimtar në ambiente të përshtatshme pune, të cilat i përgjigjen kësaj dinamike, mbetet një ndër çështje bazike dhe kryesore për funksionimin normal të institucionit.

Spak Info 4 trajton procedurat që do të ndiqen deri në emërimin e prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme si edhe çështje të tjera në funksion të ngritjes së këtij institucioni.

Klikoni këtu për të shkarkuar SPAK info nr.4 në format PDF.

 

CSDG: SPAK Info nr.5 – Mars 2019

Me mbylljen e afatit të dytë në 21 Shkurt për aplikimin e kandidatëve prokurorë në Prokurorinë e Posaçme (PP), Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) përfundoi hartimin e rregullores “Mbi kriteret dhe procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, e cila përcakton metodologjinë e plotë për vlerësimin e kandidatëve dhe përzgjedhjen e tyre.

Rregullorja për ngritjen në detyrë të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme do të shërbejë si një rregullore tranzitore dhe parashikon ngritjen dhe funksionimin e një Komisioni të Posaçëm të përbërë nga 5 anëtarë, i cili do të ketë të drejtën ti propozojë KLP-së emrat e kandidatëve, të cilët përmbushin kriteret e përcaktuara në rregullore.

Ndër kriteret kryesore që parashikohen në rregullore në lidhje me vlerësimin e kandidatëve do të jenë: kualifikimi i lartë i prokurorëve, integriteti i tyre, aftësia e tyre për mbrojtjen e akuzës në gjykatë, por edhe një raport, i cili do ti kërkohet Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara dhe nëpërmjet të cilët ky institucion do ti referojë KLP-së histori suksesi të prokurorëve kandidatë për në prokurorinë e Posaçme.

KLP ka parashikuar që procesi i shqyrtimit të dosjeve dhe dokumentacionit për 27 kandidatët prokurorë në Prokurorinë e Posaçme të zgjasë rreth 6 javë. Ndërkohë për 1 deri në 2 javë është parashikuar të realizohet procesi i intervistimit të kandidatëve.

Rregullorja “Mbi kriteret dhe procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” u miratua unanimisht me votat e të gjithë anëtarëve të pranishëm në mbledhjen e Këshillit dhe pritet të botohet së shpejti në fletoren zyrtare.

Spak Info 5 përshkruan disa nga afatet kohore dhe kriteret që do të zbatohen për vlerësimin dhe përgjedhjen e kandidatëve për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme.

Klikoni këtu për të shkarkuar SPAK info nr.5 në format PDF.

 

CSDG: SPAK Info nr.6 – Prill 2019

Komisioni i Posaçëm i ngritur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka përfunduar verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore për 28 kandidatët për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme, duke seleksionuar 25 prokurorë për vazhdimin e garës për ngritje në detyrë në 15 vendet vakante në institucionin kryesor të hetimit për veprat e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Komisioni, i cili ka filluar tashmë nga puna për shqyrtimin e dosjeve të 25 kandidatëve për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme, do të bazohet në vlerësimin e dy kritereve kryesore, për të cilat është parashikuar të aplikohet një sistem pikëzimi.

Procesi i vlerësimit në Komision është parashikuar të zgjasë 6 javë, specifikisht deri në datën 15 maj 2019. Pas kësaj faze, për vlerësimin e kandidatëve do të zhvillohet edhe një proces 2-javor intervistimi, i cili përfshin edhe pyetje të drejtuara nga përfaqësues të misioneve ndërkombëtare EURALIUS dhe OPDAT.

Ngritja në detyrë e kandidatëve do të kryhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë vetëm pasi ato të kenë kaluar procesin e rivlerësimit dhe të jenë konfirmuar në detyrë. KPK dhe KPA pritet të përshpejtojnë gjatë kësaj periudhe procedurat e rivlerësimit për këto prokurorë.

Krijimi i Prokurorisë së Posaçme shpallet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe më pas prokurorët e ngritur në detyrë kanë mundësinë të aplikojnë për pozicionin e Drejtuesit të institucionit, i cili luan një rol thelbësor në administrimin e Prokurorisë së Posaçme dhe aspekteve më të rëndësishme të këtij organi kryesor të hetimit.

Spak Info 6 përshkruan ecurinë e deritanishme të zbatimit të hapave ligjorë në drejtim të procedurave për seleksionimin dhe vlerësimin e kandidatëve për prokurorë të posaçëm, Ky numër trajton gjithashtu edhe ritmet e procesit të rivlerësimit nga KPK dhe numrin e vendimeve të ankimuara në KPA në lidhje me kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë të posaçëm.

Klikoni këtu për të shkarkuar SPAK info nr.6 në format PDF.

 

CSDG: SPAK Info nr.7 – Prill 2019

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka miratuar në seancat plenare të datës 15 dhe 25 prill 2019, Raportet për Analizimin e Aftësive Profesionale të 7 prokurorëve, të cilët janë në garë për 15 pozicionet vakante në Prokurorinë e Posaçme.

Ngritja në detyrë e kandidatëve do të kryhet nga KLP vetëm pasi ato të kenë kaluar procesin e rivlerësimit dhe të jenë konfirmuar në detyrë. Për këtë arsye, pas vlerësimit të kritereve profesionale të kandidatëve në garë për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) parashikohet të përshpejtojnë procedurat e rivlerësimit për këto prokurorë.

Aktualisht, nga 24 prokurorë në garë për ngritje në detyrë në Prokurorinë e Posaçme, vetëm 4 prej tyre janë konfirmuar me vendim të formës së prerë nga KPK, vendimet e 2 prej të cilëve janë ankimuar në KPA. Për të gjithë kandidatët e tjerë kanë filluar procedurat e rivlerësimit sipas shorteve respektive dhe në kuadër të rivlerësimit me përparësi, pritet përfshirja e tyre në kalendarin e seancave dëgjimore.

Anëtarët e Komisionit të KLP-së për Vlerësimin e Veprimtarisë Etike dhe Profesionale janë angazhuar në drejtim të përshpejtimit dhe prioritarizimit lidhur me procesin e vlerësimit të aftësive profesionale edhe për prokurorët e tjerë kandidatë në Prokurorinë e Posaçme.

Spak Info 7 përshkruan në mënyrë të përditësuar ecurinë e vlerësimit të aftësive profesionale kandidatëve për ngritje në detyrë në Prokurorinë e Posaçme si edhe rivlerësimin me përparësi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Klikoni këtu për të shkarkuar SPAK info nr.7 në format PDF.

 

CSDG: SPAK Info nr.8 – Qershor 2019

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) nisi në fund të muajit dhjetor 2018 procedurat për caktimin e përkohshëm të gjyqtarëve të Krimeve të Rënda pranë Gjykatave të Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me qëllim për t’i hapur rrugë krijimit të institucioneve kryesore për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Nga të dhënat e prezantuara në Raportin Vjetor për vitin 2018, KLGJ ka publikuan numrin e gjyqtarëve të Krimeve të Rënda, të cilët së bashku me familjarët e afërt të tyre kanë pranuar të japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake.

Të gjithë gjyqtarët (14) e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda  kanë pranuar të japin pëlqimin për kufizimin e privatësisë, ndërkohë 8 nga 11 gjyqtarë të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda kanë pranuar të japin pëlqimin dhe dorëzojnë deklaratat respektive. Megjithatë emërimi përfundimtar i tyre në Gjykatat KKKO do të përcaktohet nga vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) nëpërmjet konfirmimit në detyrë.

Megjithëse KPK nëpërmjet shorteve të muajve maj 2018 dhe janar 2019 ka njoftuar për fillimin e procedurave të rivlerësimit për të gjithë gjyqtarët e Gjykatave të Krimeve të Rënda, ritmet e procesit janë shumë të ngadalta, pasi vetëm 24% e gjyqtarëve të Krimeve të Rënda i janë nënshtruar vetting-ut.

Spak Info 8 informon mbi zhvillimet më të fundit në drejtim të ecurisë së ngritjes së Gjykatave të Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si edhe emërimit të gjyqtarëve të Gjykatave të Krimeve të Rënda në Gjykatat e Posaçme.

Klikoni këtu për të shkarkuar SPAK info nr.8 në format PDF.

 

CSDG: SPAK Info nr.9 – Qershor 2019

Duke filluar nga muaji prill 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka realizuar vlerësimin e aftësive profesionale për kandidatët për prokurorë të posaçëm duke e përmbyllur këtë proces gjatë muajit qershor 2019.
Ndërkohë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka konfirmuar në detyrë 10 prokurorë dhe ka shkarkuar 1 prej tyre duke sjellë vazhdimin e garës për 22 kandidatë. Ndërkohë, gjatë muajve në vijim priten të zhvillohen seancat dëgjimore për 12 prokurorët e tjerë.
Edhe në rastin e gjyqtarëve të Gjykatave të Krimeve të Rënda, pjesa më e madhe e të cilëve kanë pranuar të japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, KPK ka përshpejtuar procedurat për zhvillimin e seancave dëgjimore me gjyqtarë të këtyre Gjykatave.
Deri në muajin qershor 2019, KPK ka përfunduar rivlerësimin për pjesën më të madhe të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda (rreth 73%), ndërkohë që nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda i është nënshtruar vetting-ut vetëm 1 gjyqtar nga 14 gjyqtarë që ka kjo Gjykatë.
Një nga hapat më të rëndësishëm mbetet koordinimi për ngritjen e harmonizuar të organeve të hetimit dhe gjykimit të veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë drejtim, KLGJ dhe KLP kanë deklaruar angazhimin e tyre, dhe deri tani ecuria e procesit për ngritjen e organeve të reja po ecën pa diferenca të theksuara.
Spak Info 9 informon mbi ecurinë e rezultateve të vetting-ut për kandidatët prokurorë në Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe kandidatët gjyqtarë në Gjykatat e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Klikoni këtu për të shkarkuar SPAK info nr.9 në format PDF.

 

CSDG: SPAK Info nr.10 – Korrik 2019

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi gjatë muajit korrik 2019 intervistimin e kandidatëve për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme. 22 kandidatët u ndanë sipas një rendi emëror në përputhje me kalendarin e intervistave, ndërkohë që ky proces zhvillua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve dhe ekspertëve ndërkombëtarë të misioneve EURALIUS dhe OPDAT.

Intervistat u regjistruan nga komisioni me audio dhe video me qëllim vënien në dispozicion të të intervistuarve për çdo ankimim të mundshëm. KLP publikoi në faqen e Këshillit intervistat e kandidatëve për SPAK vetëm në pjesën e prezantimit të shprehjes së interesit motivacionit të kandidatëve për të qenë pjesë e strukturës së SPAK.

Në të njëjtën kohë, procesi i intervistave të kandidatëve nuk ka kaluar pa vështirësi, të cilat kanë konsistuar kryesisht në keqkuptimin e kërkesave të Rregullores nga disa prej kandidatëve, duke sjellë edhe përjashtim e menjëhershëm të tyre nga gara dhe për rrjedhojë penalizimin e tyre.

Pavarësisht mos renditjes së këtyre kandidatëve në listën përfundimtare të KLP-së, nevojat dhe struktura e ardhshme e Prokurorisë së Posaçme, të cilat do të përcaktohen nga drejtuesi i këtij organi pas fillimisht të ushtrimit të veprimtarisë nuk përjashton mundësinë e ri-kandidimit të tyre në këtë institucion.

Në 12 korrik, KLP miratoi listën me renditjen e 15 kandidatëve për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, bazuar në kriteret, aftësitë profesionale, duke përfshirë hetimin e çështjeve të rëndësishme dhe kontributin që secili prej kandidatëve ka dhënë në sistemin e drejtësisë.

Pavarësisht përfundimit të këtij procesi dhe renditjes së kandidatëve, për të kryer emërimin përfundimtar të 15 prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, KLP duhet të ketë edhe konfirmimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

SPAK Info Nr. 10, përshkruan procesin e intervistave dhe renditjes së kandidatëve prokurorë për ngritje në detyrë në Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky numër trajton gjithashtu rolin e vendimeve të KPK dhe KPA në emërimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve në organet e reja të drejtësisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Klikoni këtu për të shkarkuar SPAK info nr.10 në format PDF.

 

CSDG: SPAK Info nr.11 – Gusht 2019

Me përfundimin e procesit të intervistimit dhe miratimin e listës me 15 kandidatët për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjatë muajit korrik ka përshpejtuar zhvillimin e seancave dëgjimore dhe marrjen e vendimeve për këto kandidatë.

KPK ka dhënë vendimet për 66% të prokurorëve të renditur nga KLP për ngritje në detyrë në Prokurorinë e Posaçme. I rëndësishëm është fakti që Komisioni ka konfirmuar në detyrë të 10 prokurorët, të cilët janë paraqitur gjatë seancave dëgjimore. Deri tani asnjë nga prokurorët kandidatë për ngritje në detyrë në Prokurorinë e Posaçme, të cilët janë paraqitur përpara Komisionit nuk është shkarkuar, ndërkohë që për 5 kandidatët e tjerë vetting-u ende nuk ka përfunduar.

Ndërkohë për rastet e apeluara vendimet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit do të përcaktojnë në vazhdimësi ecurinë e këtij procesi. Deri tani nga 10 prokurorët e konfirmuar nga KPK, Institucioni i Komisionerëve Publikë ka ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimet për 2 prej tyre, ndërkohë që për 5 prej tyre ka vendosur mosankimimin e vendimit të KPK-së.

Ritmet e procesit të rivlerësimit janë përshpejtuar edhe në drejtim të gjyqtarëve të Gjykatave të Krimeve të Rënda, kandidatë për në Gjykatat e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Thuajse të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda i janë nënshtruar tashmë këtij procesi. Ndërkohë, numri i ankimimeve ka qenë i ulët. Me ritme më të ulta ka qenë procesi për gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda nga të cilët ende vetëm 1 gjyqtar nga 14 gjyqtarë që ka kjo Gjykatë i është nënshtruar vetting-ut.

SPAK Info Nr. 11, përshkruan ecurinë e vetting-ut për kandidatët prokurorë dhe gjyqtarë në Prokurorinë dhe Gjykatat e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky numër trajton gjithashtu edhe përmbushjen e disa apekteve financiare, logjistike dhe teknike me rëndësi për veprimtarinë normale të KLP dhe KLGJ.

Klikoni këtu për të shkarkuar SPAK info nr.11 në format PDF.