Publikohet raporti i tretë dhe i katërt mbi monitorimin e buxhetit të shteti

23 Dhjetor 2009

Një grup ekspertësh të njohur të ekonomisë dhe financave publike, në mjediset e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës publikuan raportin e tretë dhe të katërt mbi monitorimin e buxhetit të shtetit, në kuadër të një projekti operacional të mbështetur nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë (Fondacioni Soros).

Profesionistë të njohur si Mimoza Agolli, Adriana Berberi, Gjergj Teneqexhi dhe Zef Preçi, trajtuan aspekte të veçanta të monitorimit të buxhetit, mes të cilave:

- Zhvillimet makroekonomike dhe ndikimi i tyre në realizimin e objektivave dhe parashikimeve për vitin 2010.

- Analizë vlerësuese e ndryshimeve ligjore të treguesve të buxhetit të shtetit dhe e realizimit të treguesve të përgjithshëm buxhetorë për periudhën Janar – Tetor 2009.

- Analiza sektoriale e shpenzimeve buxhetore në sektorët prioritarë dhe rekomandimet shoqëruese.

- Vlerësimi i proçesit të përgatitjes së projekt-buxhetit 2010. Analizë krahasuese e treguesve kryesorë të programit financiar të vitit 2010. Rekomandime mbi buxhetin e vitit 2010.

Kryerja e projektit “Monitorimi i buxhetit të shtetit”, si një traditë e rëndësishme 3 - vjeçare e fondacionit Soros, synon të bëjë transparencën për një nga proceset më të mëdha e më të rëndësishme politike, administrative e financiare të shtetit si dhe të thellojë dialogun ndërmjet palëve të interesuara, sidomos për rritjen e pjesëmarrjes aktive të tyre në fazat e hartimit, zbatimit dhe të monitorimit të buxhetit, në mënyrë të veçantë për sektorët prioritarë.