Publikohet raporti "Unë votoj" mbi veprimtarinë e legjislativit shqiptar

05 Prill 2009

 

Për të katërtin vit rresht Lëvizja “Mjaft” e mbështetur nga fondacioni “Soros”, publikoi raportin “Unë votoj” që fokusohet në monitorimin e veprimtarisë së legjislativit shqiptar në periudhën Janar - Dhjetor 2008. Publikimi i këtij raporti është kthyer tashmë në traditë duke paraqitur gjetje të reja që kanë sensibilizuar opinionin publik, mediat, partitë parlamentare, institucionet ndërkombëtare, etj. Raporti monitorues, ndër të tjera, vëren se:

•Ka një përkeqësim të performancës të Kuvendit të Shqipërisë që shfaqet në etikën parlamentare, mosangazhimin e deputetëve për diskutimin e ligjeve dhe mungesën e sanksioneve ndaj shkeljeve të ndryshme.

•Raporti përqendrohet në punën gjatë seancave plenare dhe atë të komisioneve parlamentare. Këto monitorime përfshijnë: krahasimin e votimeve të grupeve më të mëdha parlamentare me premtimet elektorale që këto parti kanë vënë në programet elektorale gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet kuvendore të vitit 2005, evidentimin e rasteve të shkeljes së Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, prezencën dhe mënyrën e votimit të deputetëve shqiptarë, shtyrjet e seancave plenare dhe komisioneve parlamentare, deputetët antikonformistë në raport me qëndrimin e grupit parlamentar ku bëjnë pjesë etj.

•Ndryshe nga publikimi paraardhës, në këtë raport nuk përfshihet analiza e deklarimit të pasurisë dhe aseteve të parlamentarëve, pasi procesi i deklarimit është në zhvillim e sipër nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë (ILKDP).

•Mbetet shqetësues fakti që edhe gjatë këtyre dy sesioneve parlamentare, vijojnë shkeljet e rregullave për mënyrën e votimit të deputetëve. Raporti nënvizon rritjen e numrit të procedurave të dhunuara si dhe të shkeljes së gjashtë neneve të Rregullore së Kuvendit. 15 deputetë të grupeve të ndryshme parlamentare kanë shkelur nenin 57, pika 1 dhe 2 të Rregullores, ku përcaktohet që “votimi është vetiak” dhe që “e drejta e votës nuk delegohet”. Disa prej këtyre deputetëve kanë votuar për kolegun në më shumë së një rast. Si rrjedhojë e kryerjes së kësaj shkelje procedurale vihet në dyshim ligjshmëria e 16 nismave ligjore.

•* Një tjetër shkelje është ajo e nenit 34 pika 1 dhe 2 , ku përcaktohet që “mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të komisionit” dhe “vendimet merren me shumicën e votave në prani të më shumë se gjysmës së anëtarëve të komisionit”. Gjatë vitit 2008 janë zhvilluar 58 mbledhje të komisioneve të përhershme parlamentare, në të cilat janë marr vendime dhe janë miratuar për kalimin në seancë plenare një numër i madh projektligjesh, të cilat duhet të ishin shpallur të pavlefshme, për mungesë kuorumi gjatë miratimit të tyre në komisionet përkatëse.

•Shkelje tjetër e Rregullores dhe e procedurave të organizimit dhe funksionimit të punës së Kuvendit të Shqipërisë, është vënë re në mënyrën e organizimit të grupeve parlamentare. Grupi Agrar-Ambientalist dhe ai i Qendrës Demokrate janë organizuar duke shkelur kriteret e nenit 15 të Rregullores; këto grupe përbëhen nga 6 deputetë, në një kohë që Rregullorja sanksionon minimalisht 7 vetë.

•Për sa i takon qasjes së mënyrës së votimit të nismave ligjore me premtimet zgjedhore, nga monitorimi i 161 çështjeve gjatë seancave plenare, rezulton se Partia Demokratike ka arritur të ofrojë me platformën e saj elektorale 32 nisma ligjore nga 161, ndërsa Partia Republikane ka arritur të përmbushë platformën e premtimeve zgjedhore me 45 nga 161 nisma ligjore.

•Në hapësirën kushtuar pjesëmarrjes së deputeteve në punimet parlamentare, vihet re një rënie e pjesëmarrjes në Kuvend. Shqetësues mbetet fakti që dhjetë deputetë nuk kanë qenë të pranishëm në më shumë se gjysmën e vendimeve dhe ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë gjatë seancave plenare.