Qeveria zbardh VKM-të“hije”

11 Korrik 2010

Kristi Pinderi

Revista MAPO

E shtunë, 10 korrik 2010

Si rrallëherë, Qendra e Publikimeve Zyrtare ka botuar së fundmi në Fletore Zyrtare “Ekstra” një stok të konsiderueshëm VKM-sh, të lëna jashtë botimi që në 2005-ën. Në sitin zyrtar të QPZ (www.qpz.go.al), janë upload-uar një edicion prej 11 Fletoresh Zyrtare “Ekstra”, të cilat kanë nxjerë në dritën e botimit dhe në sytë e publikut plot 215 VKM që mbaheshin të kyçura në sirtarët e Këshillit të Ministrave prej 5 vjetësh. Nga totali prej 215 VKM-sh, 128 janë miratuar në 2005, kurse 87 në 2006-ën.

Botimi i këtyre VKM, edhe pse me shumë vonesë, vlen të përshendetet si një reflektim pozitiv nga ana e qeverisë ndaj shqetësimeve në rritje të medias dhe të shoqërisë civile për mosbotim të akteve në Fletore Zyrtare. Megjithatë, kjo nuk i zbut gjithsesi konturet e një skandali të kronicizuar në vite, që ka gërryer sistematikisht dhe në heshtje themelet e shtetit të së drejtës dhe e ka kthyer transparencën qeverisëse në një koncept pa përmbajtje reale në Shqipëri.

Eshtë shumë shqetësues fakti se brenda këtij totali gjenden të paktën 9 VKM, dispozita e fundit e të cilave parashikon se ”vendimi hyn në fuqi pas botimin në Fletore Zyrtare”. E thënë me fjalë të thjeshta, edhe pse janë firmosur në vitin 2005 apo 2006, de jure dhe de fakto këto VKM duhet të fillojnë t’i japin efektet e tyre vetëm sot, pas botimit në Fletore Zyrtare “Ekstra”. Për ta konkretizuar problemin në fjalë, punonjësit e administratës publike, pagat e të cilëve kategorizohen (përcaktohen) nga VKM nr 750, dt 9.12.2006 “Për strukturat dhe nivelet e pagave të nëpunësve civilë në institucionet e administratës qendrore, administratës së Presidentit dhe Kuvendit ....” janë paguar arbitrarisht që nga viti 2006 e deri sot, pasi VKM-ja në fjalë, që cakton nivelin e pagave të tyre, hyn në fuqi pas botimit në Fletore Zyrtare, sikurse përcaktohet shprehimisht në dispozitën e fundit të saj. E pabotuar, kjo VKM nuk mund dhe nuk duhet të prodhojë efektet e synuara.

Në një vështrim më të kujdesshëm, mes këtyre 215 VKM-ve, gjenden vendime që hedhin dritë mbi temat që kanë provokuar debatet më të nxehta publike dhe politike të viteve të fundit, siç janë tregëtia e municioneve luftarake, rruga “Durrës-Kukës” e deri tek pagesat për lobim euro-atlantik të bëra nga qeveria aktuale. Bie në sy se, mes VKM-ve të botura këto ditë, plot 64 mbajnë firmën e ish-kryeminsitrit Fatos Nano, edhe pse në 3 korrik 2010 u mbushen plot 5 vjet që kur ai ra nga pushteti.

Municioni i Ushtrise Shqiptare

Nxjerrja jashtë armatimi e municioneve të Ushtrisë Shqiptare dhe gjetja e destinacioneve të reja për to, nuk është një aktivitet që “u shpik” nga qeveria Berisha. Mes VKM-ve të firmosura nga ish-kryeministri Nano dhe që u botuan këto ditë, me intriguesja është një VKM me nr 416, dt 9.6.2005 “Për dhënie municioni Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes”. Kjo VKM përcakton shprehimisht se: “Municionet e hequra nga armatimi, në sasinë 1 200 000 fishekë, të modelit 7.62 x 39 mm (model 56), sipas vendimit nr.617, datë 4.12.2002 të Këshillit të Ministrave “Për heqjen nga armatimi dhe përdorimi të një pjese të armëve, teknikës dhe pajisjes së Forcave të Armatosura dhe për asgjësimin ose çmontimin dhe shitjen e tyre”, t’u jepen falas Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes.” Turqia është ushtria e katërt më e madhe në botë, e megjithatë, qeveria Nano e ka parë të arsyeshme ta ndihmojë atë, duke i falur municion shqiptar.

Një vit më vonë, kryeministri Berisha, e vijoi traditën e paraardhësit, por, siç rezulton nga VKM-të e firmosura prej tij, ai është më “dorështrënguar” me dhurimet për “sadaka”. Vetëm me 1/3 e sasisë së dhuruara nga Nano, ai (Berisha) arriti të listojë qeverinë e tij në listën e kontribuesve për pajisjen e Ushtrisë Agane dhe Irakene me armatim. VKM nr. 638 dt 20.09.2006, firmosur nga kryeministri Berisha, dalë në dritë vetëm pas 4 vjetësh , përcakton shprehimisht se: “Municionet e hequra nga armatimi, sipas pikës 1 të këtij vendimi, të shërbejnë si kontribut i Qeverisë Shqiptare për ngritjen e Ushtrisë Kombëtare Afgane dhe Ushtrisë Kombëtare Irakene, në kuadër të përpjekjeve të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit.” Totali i kësaj ngarkese me municion është reth 500.000 copë ose 10.5 ton fishekë 7.62x54 mm, të zakonshëm, prodhim kinez i viteve 1965-1970 (shih Tab 2).

Nuk dihet se sa është stoku i municioneve që qeveritë shqiptare kanë nxjerrë jashtë armatimi gjatë këtyre 20 viteve përmes miratimit të VKM-ve të ndryshme në vite. Nuk ka patur asnjëherë një hetim të mirfilltë apo një invesigim në këtë drejtim. Aq më pak dihet rreth destinacionit të tyre. Sikur të mos ishte për shpërthimin tragjik në Gërdec, vështirë se kjo çështje do të arrinte të bëhej ndonjëherë objekt diskutimi publik apo thjesht objekt hulumtimi nga media. Megjithatë, tre gjëra janë të qarta tashmë:

Së pari, shumë VKM, mes të cilave besohet e ka edhe nga ato që interesojnë direkt çështjen në fjalë, nuk kanë parë akoma dritën e botimit në Fletore Zyrtare. Në një monitorim të realizuar vituan e kaluar nga Qendra ÇIP (një institut jo-qeveritar i specializuar në fushën e monitorimit të transparencës së botimeve zyrtare), rezultoi se në Fletore Zyrtare i mungonin “apelit” 1183 VKM, dhe kjo vetëm për tre vitet 2006, 2007 dhe 2008. Këto përfaqësojnë rreth 1/3 e totalit prej 3527 VKM të miratuar gjithsej nga Qeveria në këto tre vite.

Së dyti, VKM-të që trajtojnë nxjerrjen jashtë luftimi të municionit luftarak, nisur nga shembujt e mësipërm, nuk janë sekrete dhe si të tilla botohen (ose duhen botuar) në Fletore Zyrtare.

Së treti, inventari apo stoku i konsiderueshëm i municionit, që qeveritë e pluralizmit trashëguan nga diktatura, e ruajti vlerën edhe në demokraci; përmes municioneve të Enver Hoxhes, jane bërë dhe/apo janë blerë favore nga politikanët e këtij sistemi. Ironikisht, më shumë se sa diversantë apo armiq të jashtëm, këto municione vranë njerëz të pafajshëm në Gerdec, pikërisht kur këtij municioni po i hiqeshin etiketat e komunizmit me një zell të shfrenuar për fitim kapitalist.

Rruga Durrës Kukës

E konsideruar gjerësish si një vrimë e zezë për financat shqiptare, projekti i rrugës Durrës-Kukës ka provokuar dhe vijon akoma të provokojë një debat të nxehtë në Shqipëri, madje së fundmi edhe gjyqësor. Aktualisht, kostoja e saj përllogatitet të ketë tejkaluar vlerën prej 1 miliard Euro, (madje disa analistw tw kostove kanw filluar tw flasim pwr 1.5 miliardw deri tani).

Eshtë fakt që denoncimi i parë që iu bë kësaj sipërmarrjeje gjigande, më tepër se sa me kostot, kishte të bënte me mungësen e transparencës në terma të financimit të projektit dhe konkretisht me fshehjen e VKM-ve të cilat qëndrojnë në fillesë apo në themel të Rrugës së Kombit. Mes 215 VKM-ve të botuara së fundmi nga QPZ, gjenden disa prej tyre që ndriçojnë sadopak fillesat, por edhe nivelin e shpenzimeve të kryera për këtë projekt.

Kështu, VKM Nr.275, datë 10.5.2006 përcakton se “Supervizioni i punimeve të ndërtimit të rrugës Kalimash-Kukës-Morinë”, do të kishte një vlerë të plotë prej 160 000 000 Lekë të reja.

Një tjetër VKM, ajo me Nr.460, datë 10.7.2006 “Lejon Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, që, për fondin e vet limit prej 180 000 (njëqind e tetëdhjetë mijë) USD, të përdorë procedurën “Prokurim i drejtpërdrejtë”, me konsorciumin Ecorys Group, për shërbim konsulence, për përgatitjen e termave të prokurimit/konkurrimit, ndërkombëtar, vlerësimin, përzgjedhjen dhe negocimin e kontratës për ndërtimin e seksionit qendror të autostradës Durrës-Kukës-Morinë, sipas termave të referencer bashkangjitur”. Po t’i lexosh këto terma reference, të bie në sy se “Detyra (e konsulenteve të huaj) zgjat rreth 2 muaj.” Kjo do të thotë se Ecorys Group, vetëm për dy muaj punë, i ka marrë taksapguesve shqiptarë plot 180 mijë USD.

Një tjetër VKM, me Nr.481, datë 14.6.2006 (edhe kjo e botuar këto ditë), të krijon një ide të qartë, edhe pse tërthorazi, se “sa mirë” e kreu punën e ngarkuar nga qeveria shqiptare Ecorys Group. Ne paragrafin 1, pika “ç” të kësaj VKM-je, lidhur me kriteret e klasifikimit të propozimit fitues, përcaktohen si më të kuotuarat sa më poshtë:

viii) Përvoja në realizim projektesh, në kohë dhe brenda buxhetit (masë vlerësimi 20 %);

ix) Propozimi për të siguruar çmim të arsyeshëm dhe realizimin në kohë (masë vlerësimi 15 %).

Është ironike ta pohosh sot pas 5 vitesh se, ato që mund të kenë qenë formalisht pikat e forta të konsorciumit fitues Bektel-Enka gjatë konkurimit në këtë tender, në fakt rezultuan të ishin pikat e saj më të dobëta në praktikë. Aktualisht projekti e ka tejkaluar disa fish vlerën fillestare të parashikuar si dhe afatet e dorëzimit të veprës. Një gjë është e sigurtë: konsorciumin Ecorys Group që u pagua kripur për përgatitjen e procedurave të tenderit në fjalë, nuk ka “qullosur” ndonjë gjë të madhe për paratë që ka marrë nga taksapaguesit shqiptarë....

Pagesat per “miqtë” e Shqipërisë

Nëse mund të ngushëllojë sadopak, mund të pohohet se, për pagesat e konsulentëve të kryministrit Berisha, ia ka vlejtur “barra qeranë”, gjykuar nga rezultatet konkrete të arritura në punët e marra përsipër, sikurse është antarësimi i Shqipërisë në NATO. VKM nr.653, datë 27.9.2006 përcakton shprehimisht në pikën 1 të saj: “Lejimin e Kryeministrisë, që, për fondin limit prej 46 608 000 lekësh, të përdorë procedurën “prokurim i drejtpërdrejtë“, me shoqërinë “Ridge Global LLC”, për dhënie shërbim konsulence, për hartimin e strategjisë kombëtare për sigurinë kombëtare, mirëqeverisjen, mbështetjen për anëtarësimin në NATO dhe luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe kriminalitetit, sipas termave të referencës, që i bashkëlidhen këtij vendimi.” “Ridge Global LLC” është një kompani e zotëruar nga amerikani Tom Ridge, i njohur rëndom si “miku i kryeministrit Berisha”. Rreth gjysëm miliard lekë (të vjetra), që Tom Ridge ka marrë nga taksapaguesit shqiptarë për ofrimin e shërbimeve të tij ndaj një miku, siç është kryministri Berisha për të, vështirë se mund ta klasifikojnë Ridge dhe si një mik për shqiptarët, sado “hajrin” t’i kenë parë anëtarëimit në NATO apo konsulencës për pastrimin e parave që ai mund të këtë ofruar....E shumta, është Ridge që duhet të ndjehet i mikluar nga kjo zëmërgjerësi e shqiptarëve dhe jo anasjelltas.

Një tjetër VKM “bujare” për miqtë dhe partnerët e Shqipërisë, e botuar gjithashtu këto ditë, që të vë në mendime, është ajo me Nr.646, datë 27.9.2006, (Fletor Zyrtare Ekstra 53), “Për një shtesë fondesh prej 55 350 000 lekësh në buxhetin e vitit 2006 për zhvillimin e veprimtarive ndërkombëtare, që do të organizohen në Tiranë, në periudhën shtator-nëntor 2006 në kuadër të Presidencës shqiptare të nismës së Europës Qendrore NEQ/CEI”.

Për të kuptuar më mirë volumin e shpenzime të qeverisë për aktivitete të tilla ku ftohen mjaft miq e partnerë të Shqipërisë, mjafton të bëjmë një krahasim me një tjetrë VKM, miratuar vetëm 7 ditë më pas nga qeveria Berisha dhe të botuar në të njëjtën Fletore Zyrtare “Ekstra” (nr 53), konkretisht VKM nr.652, datë 27.9.2006 “Për një shtesë fondi disa njësive të qeverisjes vendore, për rehabilitimin e infrastrukturës së dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore, si dhe për marrjen e masave për parandalimin e emergjencave civile”. Me vetëm 117 milion leke (pra me dyfish më shumë para’ seç u dhanë vetëm për aktivitetet që u zhvilluan në Tiranë në kuadër të NEQ/CEI) janë mbyllur hallet imediate të mbi 34 bashkive e komunave të Republikës, për riparimin dhe forcimin e argjinaturave të lumenjve, parandalimin e përmbytjeve, e deri tek rregullimi i urave dhe parandalimi i rreshkitjes së dherave.

Do të duhet gjithsesi pak më shumë kohë për të tretur mirë gjithë këtë tufë VKM-sh që Këshilli i Ministrave më në fund vendosi të botojë në Fletore Zyrtare. Do të duhet edhe më shumë kohë për të analizuar më kujdes efektet e prodhuara apo të munguara prej tyre gjatë 5 vjetëve që ato qëndruan në sirtaret qeveritare, apo më mirë të themi, në ajër. Edhe pse me kaq vonesë, ky është rasti për të thënë gjithsesi: Më mirë vonë se kurrë!

Reagim i Qendrës ÇIP

ÇIP e ka konsideruar botimin e këtij seti të Fletoreve Zyrtare “Ekstra” si një hap përpara drejt përmirësimit të transparencës në fushën e botimeve zyrtare. Është ky rasti për theksuarse se kjo përkon pikë për pikë me Rekomandimin nr 1 të Monitorimit që u krye nga ÇIP me mbështetjen e Fondacionit Soros vitin e kaluar. Në kapitullin IV, REKOMANDIME, të botimit: Hyrja në fuqi e akteve përmes botimit në Fletore Zyrtare (faqe 97), thuhet shprehimisht:

Është një vijueshmëri e pastër llogjike që si fillim t’i rekomandohet Qendrës së Publikimeve Zyrtare botimi në Fletore Zyrtare “ekstra” i akteve të cilat janë evidentuar përmes këtij monitorimi si të pabotuara.

ÇIP mban në këtë rast parasysh parimin se mosbotimi i një akti në Fletore Zyrtare nuk sjell detyrimisht pavlefshmërinë e tij, por pafuqinë e tij; vetë pavlershmëria gjykohet në kompleks. Efektet juridike që akti mund të këtë krijuar deri në momentin e botimit të tij, konsiderohen pa fuqi juridike, dhe akti vetë si i paqenë dhe që nuk ekziston.  (“E Drejta Administrative 2”, Sokol Sadushi, botimi i tretë i ripunuar, 2005, fq 55, Shtëpia botuese ORA.)

Edhe pse një lajm i mirë, botimi i këtyre akteve në Fletore Zyrtare “Ekstra” sjell disa implime të rëndësishme:

Se pari, implikimi më i rëndësishëm është njohja de-facto nga insitucionet përgjegjëse e problemit të mosbotimit të akteve të Këshillit të Ministrave, sikurse u konstatua dhe u faktua nga monitorimi i vjetshëm.

Së dyti, duke gjykuar nga veçoritë teknike të akteve të botuara në këto Fletore Zyrtare Ekstra, QPZ, por edhe Këshilli i Ministrave, kanë njohur de facto dhe de jure detyrimin e saj ligjor për të botuar pa dallim çdo VKM, pavarësisht natyrës individuale apo normative, duke hedhur poshtë përfundimisht çdo mëdyshje apo interpretim antiligjor lidhur me (mos)botimin e VKM me karakter individual. Në 215 VKM të botuara, rreth 80 % e tyre janë me karakter individual. 

Se treti, botimi i këtyre akteve në Fletore Zyrtare Ekstra i hap rruge de facto nismave për të analizuar në një moment të dytë efektet e prodhuara nga mos’hyrja në fuqi e akteve administrative me karakter normativ. Në 215 aktet e botuara në Fletore Zyrtare Ekstra, janë të paktën 9 VKM, dispozita e fundit e të cilave përcakton se “hyjnë në fuqi pas botimit në Fletore Zyrtare”. Kjo do të thotë që, edhe pse janë miratuar para 4 vjetësh, këto VKM duhet të fillojnë të japin efektet e synuara vetëm në momentin që botohen në Fletore Zyrtare. Çdo efekt para këtij momenti, është dhe duhet konsideruar nul.

Së katërti, botimi i këtyre VKM-ve ka afirmuar bindshëm parashtrimin që ÇIP bëri në kuadër të projektit të finanuar nga SOROS se botimi i akteve në Fletore Zyrtare, përveçse një detyrim kushtetues dhe ligjor i institucioneve të shtetit, është edhe një premisë shume e fortë, madje e pazëvendësueshme për transparencë dhe përgjegjshmëri qeverisëse. Mes 215 VKM-ve të botuar së fundmi, gjenden edhe akte të rëndësishme qeveritare, që ndriçojnë më mirë aspekte mjaft të debatuara në diskurin publik në vend. 

ÇIP inkurajon QPZ të vijojë punën e nisur me botimin e stokut të akumuluar të akteve të pabotuara duke ofruar në këtë mënyrë një përvojë pozitive që meriton të përshendetet dhe të vlerësohet. 

 

Gerti Shella

Drejtor Ekzekutiv, 

Qendra për Çështje të Informimit Publik, ÇIP