RAPORT Vlerësimi i kapaciteteve të koordinatorëve të së drejtës së informimit dhe njoftimit dhe konsultimit publik

21 Qershor 2018

I. HYRJE
Dy komponentët më të rëndësishëm të një qeverisje të hapur dhe gjithëpërfshirëse janë e drejta e informimit dhe pjesëmarrja e qytetarëve në proceset vendimmarrëse publike. E drejta e informimit, si një mjet i fuqishëm për të monitoruar qeverinë dhe luftuar korrupsionin, dhe e drejta për t’u njohur dhe për të kontribuar në formulimin e politikave publike janë dy anë të së njëjtës medalje, pasi ato jo vetëm shprehin thelbin e një qeverisje demokratike, por shpesh zbatimi i tyre në praktikë është mjaft i ndërvarur. Mungesa e aksesit në informacionin publik e privon publikun nga mundësia reale për të kontrolluar veprimtarinë e qeverisë dhe cënon marrjen e vendimeve në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe demokratike. Këto ligje quhen ndryshe edhe “sunshine laws” për shkak se ato janë mekanizmi që e lejon publikun e gjerë të hedhë dritë mbi skutat e errëta të aparatit shtetëror.

Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në drejtim të miratimit të një kuadri ligjor të avancuar për të drejtën e informimit dhe njoftimin dhe konsultimin publik, qoftë në nivel kushtetues1, ashtu edhe në nivel ligjor e nënligjor. Prej afro katër vitesh janë në zbatim dy ligje të rëndësishme, ligji Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” dhe ligji nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”. Përveç kësaj, vendi ynë ka nënshkruar një sërë aktesh ndërkombëtare që parashikojnë lirinë e shprehjes si një të drejtë themelore të njeriut, si dhe është anëtar i platformave ndërkombëtare që promovojnë qeverisjen e hapur dhe transparente2.

Ligji 119/2014 “Për të drejtën e informimit” është në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare dhe evropiane dhe parashikon mekanizma shtesë për të lehtësuar zbatimin e tij në praktikë dhe për të promovuar aksesin në informacionin publik.

Kështu, ligji bën një përkufizim të gjerë të “informacionit” dhe “organeve publike” që janë subjekt i tij, dhe i njeh të drejtën për informim çdo individi, shtetasi shqiptar, të huaj apo pa shtetësi, në përputhje me parimin se kjo e drejtë është universale. Heshtja konsiderohet si mohim i së drejtës së informimit, duke i detyruar organet publike të jenë aktive ndaj qytetarëve. Përveç kësaj, ligji parashikon detyrimin e autoritetit publik për të publikuar informacione pa kërkesë, nëpërmjet Programeve Institucionale të Transparencës. E drejta për të kërkuar informacion pa qenë nevoja për të shpjeguar motivet përmbush qëllimin e vetë ligjit, i cili ka dy dimensione, marrja e informacionit në kuadër të ushtrimit të të drejtave dhe lirive të individit në praktikë, por edhe formimi i pikëpamjeve për gjendjen e shtetit dhe të shoqërisë. Kjo e fundit është e lidhur ngushtë edhe me mundësinë e publikut për t’u përfshirë aktivisht në procesin e vendimmarrjes publike.

 
1.    Kushtetuta parashikon lirinë e shprehjes (neni 22) dhe të drejtën e informimit (neni 23) si të drejta kushtetuese të çdo individi.
2.    Shqipëria ka nënshkruar Konventën e OKB për të Drejtat e Njeriut, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Konventën e Aarhusit, Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike si dhe është anëtare e Partneritetit për Qeverisjen e Hapur (Open Government Partnership- OGP) që prej vitit 2011.
 
Lidhur me mënyrën e kërkimit dhe marrjes së informacionit, ligji parashikon një larmi mjetesh përfshirë mediumin elektronik dhe të drejtën e qytetarit për të zgjedhur formën e marrjes së këtij informacioni. Ligji parashikon se si rregull informacioni jepet pa pagesë dhe në raste të justifikuara kundrejt një tarife të orientuar në kosto, që është në përputhje me parimin ndërkombëtar që tarifat nuk duhet të jenë një barrierë për realizimin në praktikë të së drejtës së informimit.

Ligji i ri parashikon afate të shpejta për dhënien e informacionit, në përputhje me standartin ndërkombëtar se kërkesat për informacion duhet të procesohen me shpejtësi dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ligji parashikon gjithashtu edhe mjetet ligjore përkatëse për trajtimin e ankesave në rast të cënimit të së drejtës për informim si dhe shkeljet dhe sanksionet përkatëse administrative, duke parashikuar përveç ankimit administrativ edhe të drejtën për ankim gjyqësor. Kufizimet për të drejtën e informimit janë në përputhje me standardet ndërkombëtare që parashikojnë se kufizimi i kësaj të drejtë bëhet në raste specifike të përcaktuara qartësisht në ligj, që i nënshtrohen në çdo rast testit të proporcionalitetit ndërmjet “dëmit potencial që mund të shkaktohet nga dhënia e informacionit” dhe “interesit të lartë publik”. Gjithashtu, një garanci më shumë për zbatimin me efektivitet të këtij ligjit është parashikimi i zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si institucioni përgjegjës për monitorimin e tij.

Një risi e rëndësishme e ligjit është krijimi i një figure te re, koordinatorit të së drejtës së informimit. Organet publike duhet të parashikojnë sisteme të brendshme të hapura, të aksesueshme për të siguruar të drejtën e publikut për të marrë informacion. Organet publike duhet të caktojnë një person të brendshëm që është përgjegjës për shqyrtimin e kërkesave dhe sigurimin e respektimit të ligjit nga ana e institucionit.

Ligji nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, parashikon rregullat procedurale për njoftimin dhe konsultimin publik si një nga garancitë më të rëndësishme të pjesëmarrjes së qytetarëve në hartimin e legjislacionit. Ligji parashikon standarde të qarta sa i takon fushës së projektakteve që i nënshtrohen njoftimit dhe konsultimit publik dhe mbështetet tek parimet e transparencës, efektshmërisë së vendimmarrjes së organeve publike, dhe përgjegjësisë së tyre ndaj palëve të interesuara. Ligji parashikon se çdokush mund të përfshihet në procesin e konsultimit publik, gjë e cila e bën procesin gjithëpërfshirës dhe mjaft të hapur e demokratik. Ai parashikon të drejtën e palëve të interesuara, jo vetëm për t’u informuar dhe kontribuar në procesin e hartimit dhe miratimit të projektakteve, por edhe të drejtën për të kërkuar fillimin e procedurës për hartimin dhe miratimit e një projektakti, sipas planit vjetor të vendimmarrjes së institucionit.

Nga ana tjetër, ligji parashikon një sërë detyrash për organin publik, mospërmbushja e të cilave pengon zbatimin korrekt në praktikë të ligjit, duke e bërë procesin e vendimmarrjes të mbyllur dhe jashtë kontrollit të publikut dhe grupeve të interesit. Kështu, disa hapa kyçe të parashikuara nga ligji përfshijnë publikimin e çdo projekt-akti në regjistrin elektronik për njoftimet dhe konsultimet publike, dhënien e informacionit të plotë për të gjitha fazat e njoftimit dhe konsultimit publik, publikimin në programin institucional të transparencës të planeve vjetore të vendimmarrjes, publikimin e raporteve vjetore të transparencës për procesin e vendimmarrjes, zhvillimin e takimeve publike për projektakte të rëndësishme, mbledhjen dhe shqyrtimin e komenteve dhe rekomandimeve dhe transparencën e vendimmarrjes lidhur me to. Gjithashtu, ashtu si dhe ligji “Për të drejtën e informimit”, ky ligj parashikon figurën e koordinatorit për njoftimin dhe konsultimin publik si personi përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit të njoftimit dhe konsultimit publik.

Ju lutem klikoni këtu për Raportin e plotë.