Thirrje për projekte kërkimore në fushën e përfshirjes në arsim

29 Maj 2012

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë fton studiues të rinj për të dorëzuar aplikimet e tyre për kërkime në fushën e përfshirjes në arsim përmes shfrytëzimit të medodave cilësore. Kjo nismë synon të kuptojë situatën e gjithëpërfshirjes në arsim, si edhe të mbështesë studiuesit e rinj për të ngritur kapacitetet e tyre përmes kërkimit të aplikuar.

Udhëzime të përgjithshme

Aplikantët duhet të dorëzojnë një koncept të projektit kërkimor prej jo më shumë se 3 faqe A4, maksimumi 2400 fjalë. Koncepti duhet të përmbajë shpjegimin për a) rëndësinë e çështjes së përzgjedhur të studimit dhe vlerën praktike të saj; b) një përmbledhje të shkurtër të teorive, studimeve apo gjetjeve kryesore që trajtojnë çështjen; c) detajimin e pyetjes së kërkimit dhe d) shpjegimin e metodologjisë së propozuar. Rekomandohet përdorimi i metodave cilësore të kërkimit me kampione të vegjël si: vëzhgimi pjesëmarrës ose jo pjesëmarrës, intervista të thelluara, grupe të fokusuara, rishikime të dokumentacionit të shkruar dhe studime rasti. Metodat cilësore të mbledhjes së të dhënave do të synojnë në kuptimin e qëndrimeve, sjelljeve, sistemit të vlerave, shqetësimeve, motivimeve, aspiratave, kulturës dhe stileve të jetës së grupeve të synuara.

Disa tema të gjera kërkimore mund të jenë:

• Studime rasti të përfshirjes së suksesshme në arsim të komunitetit Rom
• Qëndrimet e mësuesve kundrejt përfshirjes në arsim të fëmijëve me aftësi të kufizuara
• Fizibiliteti i ndërhyrjeve për përfshirjen në arsim të fëmijëve të rrugës
• Faktorët e përfshirjes në arsim të fëmijëve nga zonat e varfra rurale dhe periurbane
• Çështjet gjinore të përfshirjes në arsim

Për të aksesuar formularin e aplikimit klikoni këtu

Formulari i plotësuar duhet dërguar në adresën elektronike: dnelaj@osfa.soros.al brenda dt. 20 Qershor 2012 ora 17:00.

Për informacion të mëtejshëm kontaktoni: Dritan Nelaj: dnelaj@osfa.soros.al