Projekti ‘Buxhetimi me Pjesëmarrje në Nivel Qendror’ 2015

Olof Palme International Center dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë mbështeten gjatë 2015 organizatën Partners Albania dhe disa organizata të tjera për zbatimin e projektit ‘Buxhetimi me Pjesëmarrje në Nivel Qendror’. 

Pas thirrjes për shprehjen e interesit bërë nga Partners Albania, përfaqësues të 22 organizatave nga shoqërisë civile (16 organizata për çështjet sociale dhe 6 për çështjet e arsimit) nga Tirana, Shkodra, Vlora, Korça  dhe Fieri ju përgjigjën nismës për tu bërë pjesë e kësaj inisiative.

Gjatë 15 dhe 16 tetor 2015 u zhvilluan dy workshopet e para informuese mbi procesin e buxhetimit qendror dhe situatën e transparencës së këtij procesi, respektivisht me përfaqësues të organizatave aktive në fushat e lidhura me çështjet e Ministrisë së Arsimit  dhe Sportit dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Nën drejtimin e Prof. Arben Malaj (Instituti për Politikat Publike dhe Mirëqeverisjen) dhe trajnerëve të Partners Albania, pjesëmarrësit u njohën me gjetjet e Open Budget Survey 2015 dhe pozicionimin e Shqipërisë në çështjet të transparencës së hartimit të buxhetit të shtetit. Pjesëmarrësit morën gjithë informacionin mbi ciklin e buxhetit të shtetit, hapat që ndiqen për finalizimin e tij, programin buxhetor afatmesëm dhe lidhjen e tij me buxhetin vjetor, analizat dhe dokumentet vjetore që Ministria e Financave duhet të prodhojë dhe publikojë gjatë një viti për çështjet të transparencës dhe kuptueshmërisë së buxhetit, si dhe analizën krahasuese me buxhetin e vitit 2015 etj. Përfaqësuesit e organizatave prezent u shprehen se informacioni i tyre mbi këtë proces është shumë i pakët, në mos i munguar për shkak të: a) kapaciteteve të pakta për kuptueshmërinë e këtij procesi dhe interesit të ulët të organizatave në ndjekjen e tij; dhe b) nivelit të ulet të transparencës nga ana e ministrive përkatëse në kanalet e tyre të komunikimit apo edhe mediatizimi i munguar i publikimit të dokumenteve me këtë qëllim. Edhe rrjetëzimi dhe krijimi i koalicioneve të qëndrueshme dhe efikase mes organizatave në këtë drejtim është i munguar, pasi kjo është pranuar nga vetë ato. 

Partners Albania ka bashkëpunuar me Drejtorinë e Buxhetit në Ministrinë e Financave për marrjen e informacionit dhe dokumenteve të nevojshme që janë ndarë me organizatat. Në 19 dhe 24 Nëntor 2015 u zhvilluan dy seanca trajnimi me përfaqësues të organizatave mbi çështjet me të detajuara të buxheteve të dy ministrive, dhe u analizuan projektet e planifikuara për mbështetje buxhetore për vitin 2016 në bazë të strategjive kombëtare dhe sektoriale të zhvillimit. Ndërkohë organizatat u lehtësuan në analizën e situatës dhe gatishmërisë së vetë sektorit të OSHC-ve për të ndjekur dhe ndikuar procesin e buxhetimit qendror. Interesi i organizatave për të njohur dhe ndikuar në proces në dobi dhe grupeve të tyre të interesit është i lartë, por ata theksojnë nevojën për asistencë të vazhduar dhe lidership për të  hartuar dhe zbatuar rigorozisht një plan hapash konkrete advokasie dhe lobimi për hartimin e buxhetit të shtetit për vitin 2017.

Partners Albania ka asistuar organizatat për ndjekjen e punimeve në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave për çështjet të buxhetit të lidhura me MMSR dhe MAS në diskutimet e buxhetit nen për nen në datat 9 dhe 10 dhjetor 2015.

Në përfundim të workshopeve, seancave të trajnimit dhe asistencës së eksperteve, shqyrtimit të buxhetit dhe analizës krahasuese, dhe në përputhje me kalendarin e Kuvendit të Shqipërisë për seancat dëgjimore në lidhje me buxhetin e shtetit 2016, pesë organizata (Mileukontact Albania, Save the Children, Eper Center, Fondacioni Down Syndrome Albania, dhe YouthAct) pjesë e të gjithë procesit paraqiten kërkesën për dëgjesë në komisionin e Financave dhe Ekonomisë sipas procedurave në fuqi. Pas shqyrtimit, kërkesa për dëgjesë ju kalua komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, i cili priti organizatat në një seance dëgjimore më 7 Dhjetor 2015. Ky devijim u argumentua me përmbajtjen e lëndës së kërkesës për dëgjesë, e cila argumentonte mbështetje të pamjaftueshme të buxhetit të shtetit 2016 për arsimin nëntë-vjeçar dhe të mesëm dhe paqartësinë në zbatimin e projekteve për shkollën si qendër komunitare.

Krijimi i një kalendari dhe mekanizmave konsultimi gjatë gjithë vitit nga ministritë e linjës dhe Ministria e Financave, dhe publikimi i një buxheti të qytetareve para miratimit të buxhetit nga parlamenti do të mundësonte shoqërinë civile, ekspertët, dhe komunitetin e gjerë të merrte pjesë në mënyrë efektive në proceset buxhetore për të monitoruar qeverinë si i përdor paratë publike.