Dajt 2019 – Forumi i 7-të Ndërkombëtar i Parlamenti Europian Rinor

Parlamenti Europian Rinor, pjesë e rrjetit ndërkombëtar European Youth Parliament (YEP), prej 13 vite është aktive në Shqipëri duke organizuar konferenca në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. EYP është një program unik arsimor i drejtuar nga një rrjet organizatash të pavarura, jo fitimprurëse dhe jopartiake të shpërndara nëpër 40 vende të ndryshme evropiane.

Në 2019, me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), YEP arriti të organizojë Forumin e 7-të Ndërkombëtar – Dajt 2019 25-30 Gusht 2019. Forumi mblodhi 120 pjesëmarrës nga Shqipëria dhe nga 20 shtete europiane për 6 ditë në mjedisin e bukur të Dajtit për të diskutuar mbi problemet kryesore që shqetësojnë sot Europën dhe Shqipërinë.

Tema kryesore e Forumit ishte ‘Hap pas hapi drejt një të ardhmeje të frytshme’. Kjo temë është përzgjedhur për të pasqyruar çështjet kryesore në lidhje me të ardhmen e të rinjve. Ndjenja e përgjithshme e Forumit ishte në drejtim të fuqizimit të të rinjve nga e gjithë Europa të jenë qytetarë të përgjegjshëm në komunitetin e tyre dhe të ndihmojnë hap pas hapi për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme. Qëllimi kryesor ishte mundësimi i pjesëmarrësve që të kenë një hapësirë të sigurt për t’u rritur si qytetarë të tillë dhe për të ofruar ide për një të ardhme të qëndrueshme. Në ditët e sotme, mendjet e reja kanë motivimin dhe idetë për të arritur përtej kufijve të kornizave tradicionale, prandaj fuqizimi i tyre nënkupton transformimin e cilësisë së jetës në një jetë më të gjallë dhe më të suksesshme. Përpos kësaj, të rinjtë u trajnuan me anë të punëtorive dhe moduleve të shkurtra për tema të tjera sociale si leadership, puna në grup, menaxhimi i grupeve të mëdha e kështu me radhë.

Nuk është e lehtë të krijosh ura lidhëse midis disa kulturave të ndryshme, por projekti i Forumit tentoi të tejkalonte pengesat që vendosin kufijtë apo dallimet kulturore. Me anë të bashkëveprimit dhe aktiviteteve të shumta gjatë ditës të rinjtë e huaj dhe shqiptarë arritën të krijonin lidhje midis tyre që shkonin përtej aktivitetit, duke hedhur poshtë barrierat kulturore dhe duke krijuar marrëdhënie shoqërore.

Për më shumë informacion mbi projektin mund të ndiqni faqen në Facebook, fotot nga aktiviteti dhe/ose mund të kontaktoni në adresën e emailit: info.eypal@gmail.com.