- Shqip
- English
EU 4 Inclusive Teaching – Fillon Programi “Trajnimi i Trajnerëve”
Programi do të trajnojë mësues të rinj, drejtues të rrjeteve profesionale dhe drejtorë e nëndrejtorë të shkollave publike të arsimit parauniversitar për arsimin gjithëpërfshirës dhe zbatimin e kurrikulës së bazuar në kompetenca.
“Reformat e arsimit varen nga mësuesit. Në çdo vend, mësuesit luajnë rol thelbësor për zbatimin e suksesshëm të reformave arsimore, si për shpalosjen e suksesshme të kurrikulës së re, ashtu edhe për përdorimin e pedagogjisë moderne ndërvepruese, ose për aplikimin e një sistemi të ri vlerësimi”. Me këtë qasje e synim, ka filluar ditën e martë, më 24 Janar 2023 në International Tirana Hotel programi “Trajnimi i Trajnerëve” në kuadër të projektit “EU 4 Inclusive Teaching”. Trajnimi, që po mbahet nga pedagogë ekspertë finlandezë të Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Tampere-s (TAMK), synon të trajnojë 320 mësues, drejtorë e nëndrejtorë dhe drejtues të rrjeteve profesionale të shkollave publike të arsimit parauniversitar në Shqipëri për arsimin gjithëpërfshirës dhe të bazuar në kompetenca. Në përfundim të 22 ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit do të kenë përfituar njohuri të thelluara mbi praktikat e mësimdhënies gjithëpërfshirëse si dhe për aplikimin e kurrikulave të bazuara në kompetenca, si dhe do të jenë të aftë të kryejnë trajnime për 15,000 kolegët e tyre në fazën e dytë të projektit.
Maratona e zhvillimit të programit “Trajnimi i Trajnerëve” e cila përbën Objektivin 2 të projektit, ka filluar që në muajin Shtator 2022. Qëllimi ishte ndërtimi i një programi trajnimi sa më efikas, fleksibël dhe të përshtatshëm për nevojat e mësuesve dhe nxënësve në Shqipëri, por edhe sistemit tonë arsimor në tërësi. Për këtë arsye, ekspertët finlandezë kanë zhvilluar paraprakisht dy punëtori me mësuesit dhe drejtorët e shkollave në Shqipëri dhe katër vizita në shkolla të ndryshme të shpërndara mes zonave urbane dhe rurale, për të krijuar një ide sa më të plotë për situatën dhe sfidat e sistemit arsimor në vendin tonë. Gjithashtu, si pjesë e Objektivit 1 të projektit, ekspertët finlandezë në bashkëpunimin me ekspertët kanë hartuar një raport me gjetje dhe rekomandime për rishikimin e kurrikulave të zhvillimit profesional të mësuesve për arsimin gjithëpërfshirës dhe kurrikulën e bazuar në kompetenca. Pas njohjes së qenësishme me specifikat teorike dhe ato të situatës në terren, ekipi i ekspertëve hartoi një programi i cili kombinon standardet e ekselencës finlandeze të trajnimit të mësuesve me nevojat specifike të sistemit arsimor në Shqipëri.
Dy kohortat e para inauguruese me pjesëmarrës nga shkollat në Bashkinë Tiranë, do të ndiqen nga kohorta të tjera të shpërndara në të gjitha Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar në vend. Trajnimet do të zhvillohen në mënyrë intensive me 6 orë në ditë, dhe do të mbahen me prani fizike dhe mësime e detyra individuale online për pjesëmarrësit. Pjesëmarrësit janë përzgjedhur përmes një procesi aplikimi dhe vlerësuar në bashkëpunim të ngushtë me partnerët institucionalë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS), Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar (DPAP) dhe Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP).
Programi “Trajnimi i Trajnerëve” është ndërtuar për të përmbushur disa prej objektivave kyçe të Strategjisë Kombëtare të Arsimit 2021-2026, e cila synon të përmirësojë mësimdhënien me në qendër mësuesin. Programi i trajnimit ka një qasje të integruar të elementeve të pedagogjisë moderne të bazuar në kërkim shkencor, qasjes së përqendruar te nxënësi, mësimin në grup dhe përdorimin e mjeteve digjitale që mbështesin punën e mësuesve. Pjesëmarrësit do të trajnohen për zhvillimin profesional të mësuesve, duke u fokusuar në zbatimin e kurrikulës së bazuar në kompetenca e cila “vë theksin më shumë atë që duhet të bëjnë nxënësit, në vend që të përqendrohet kryesisht tek ajo që duhet të dinë”.
Paralelisht me punën për ndërtimin e një programi ambicioz të trajnimit, deri tani projekti EU 4 Inclusive Teaching ka mundësuar përmirësimin e infrastrukturës të Institutit të Nxënësve që nuk Dëgjojnë, si pjesë e synimit për kthimin e këtij institucioni dhe Institutit të Nxënësve që nuk Shikojnë në qendra burimore. Fazat e ardhshme të projektit parashikojnë investime të tjera në këto institucione, por edhe në kabinetet psiko-sociale të 320 shkollave publike në të gjithë vendin. Gjithashtu, përmes projektit do të ndërtohet një platformë digjitale e cila do të jetë në funksion të programit të trajnimeve.
Për më shumë informacion për përmbajtjen dhe objektivat e projektit, konsultoni përmbledhjen në këtë dokument informues.
Për informacione të mëtejshme për ecurinë e projektit EU 4 Inclusive Teaching, na ndiqni në kanalet tona të komunikimit në Facebook, Instagram, Twitter dhe LinkedIn.
Programi i trajnimit është një prej elementeve kryesore të projektit “EU 4 Inclusive Teaching”, i financuar nga Bashkimi Evropian (BE), i cili zbatohet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara i Tampere-s (TAMK), në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, Njësinë Qendrore të Financimeve dhe Kontraktimeve (CFCU) nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Instituti i Nxënësve që Nuk Shikojnë dhe Instituti i Nxënësve që Nuk Dëgjojnë. Projekti ka nisur zbatimin në shkurt të vitit 2022 dhe do të zgjasë deri në dhjetor të vitit 2024.