Fondacionet për Shoqërinë e Hapur organizojnë aktivitet online për grupet vulnerabël në sektorin e bujqësisë

17 Mars 2021

Shkarko documenta: 

Në kuadër të projektit rajonal“Përgjigje ndaj pasojave social-ekonomike të shkaktuar nga COVID-19 duke mbështetur grupet vulnerabël, punonjësit me paga të ulëta, ata informal dhe sezonal”, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), Fondi për Shoqërinë e Hapur për Bosnje & Hercegovinën (OSFBiH), Fondacioni Shoqëria e Hapur për Kosovën (KFOS), Fondacioni për Shoqërinë e Hapur – Maqedoni (FOSM), dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Serbinë (OSFS) po organizojnë një sërë aktivitetesh me qëllim krijimin e një platforme bashkëpunimi në nivel rajonal.

Aktiviteti i parë i kësaj serie – Grupet vulnerabël në sektorin bujqësor – u mbajt online më 17 mars 2021. Në të morën pjesë rreth 40 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, të cilët biseduan për mënyrat sesi mund të mbështeten grupet vulnerabël, veçanërisht gratë në zonat rurale, jo vetëm në procesin e rimëkëmbjes nga pasojat e COVID-19, por edhe për të qënë më të mbrojtura nga kriza të tjera në të ardhmen.

Pjesëmarrësit në këtë aktivitet diskutuan mbi sfidat kryesore që hasin grupet vulnerabël, veçanërisht në arritjen e sigurisë ushqimore dhe mirëqënies ekonomike brenda një sistemi që duhet të ishte i drejtë dhe pa pengesa strukturore, ku normat dhe stereotipet tradicionale gjinore që vendosin gratë në disavantazh të jenë kapërcyer.

Gjatë bisedës, pjesëmarrësit shkëmbyen informacion mbi programet kombëtare dhe masat e ndërmarra nga qeveritë në vendet e tyre për të mbështetur grupet vulnerabël, e në veçanti gratë, gjatë pandemisë COVID-19. Ata theksuan rëndësinë e integrimit kuptimplotë të perspektivës gjinore në politikë-bërje për të shmanguar politika që nuk u përgjigjen si duhet nevojave të të gjithë popullsisë.

Për më shumë informacion, mund të shihni axhendën e këtij aktiviteti këtu, prezantimin e Shoqatës së Resurseve Gjenetike të Bimëve nga Shqipëria këtu, dhe prezantimin e organizatës SeCONS nga Serbia këtu.