Gjetjet e monitorimit të zbatimit të Ligjit “Për njoftimin dhe konsultimin publik”

26 Maj 2017

Më datë 26 Maj 2017, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) organizoi një tryezë diskutimi për prezantimin e gjetjeve të monitorimit të 19 Ministrive dhe Këshillit të Ministrave lidhur me zbatimin e Lgjit nr.146 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”.

Bazuar në gjetjet paraprake të raportit të monitorimit dhe nga diskutimet e pjesëmarrësve u konkludua se:

  • Ligji “Për njoftimin dhe konsultimin publik” zbatohet në nivele të ulëta nga institucionet shtetërore;
  • procedurat e njoftimit dhe konsultimit kanë nota formalizmi dhe nuk realizohen konform parashikimeve ligjore;
  • koordinatorët për njoftimin dhe konsultimin publik nuk janë mjaftueshëm të ndërgjegjësuar për zbatimin e këtij ligji;
  • regjistri elektronik për njoftimin dhe konsultimin publik është vënë në funksion në fund të vitit 2016, por ende numri i njoftimeve dhe konsultimeve publike që realizohen përmes tij është shumë i ulët;
  • grupet e interesit nuk informohen për rekomandimet e tyre që janë marrë në konsideratë dhe arsyet e refuzimit nga ana e institucioneve shtetërore;
  • autoritet publike duhet të hartojnë dhe të publikojnë planet vjetore në vendimmarrje dhe raportet e transparencës lidhur më këtë vendimmarrje me qëllim rritjen e transparencës dhe pjesëmarrjes së publikut;.
  • afatet e lëna në dispozicion për dërgimin e rekomandimeve dhe sugjerimeve nuk janë të mjaftueshme dhe vijnë në kundërshtim me ligjin;
  • grupet e interesit duhet të jenë më tepër aktiv për të marrë pjesë në procedurat e konsultimit publik dhe të ushtrojnë të drejtën e ankimit në rastet kur cenohen nga organet publike.

 

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, shoqatave të biznesit, koordinatorët për njoftimin dhe konsultimin publik e të tjerë, të cilët paraqitën eksperiencën e tyre gjatë përfshirjes në proceset e njoftimit dhe konsultimit publik.

Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit “Për një transparencë dhe pjesëmarrje më të lartë të grupeve të interesit në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse të organeve publike” të mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.