Konferencë rajonale për pjesëmarrjen e minoriteteve etnike në arsim

07 Prill 2011

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë/Soros në bashkëpunim me disa organizata partnere në Kosovë, Serbi, Kroaci, Bosnjë dhe Herzegovinë gjatë ditëve 8 dhe 10 Prill 2011 në mjediset e Hotel Adriatikut në Durrës, zhvilloi konferencën rajonale “Fuqizimi i pjesëmarrjes së grupeve të interesit në arsim”. Në konferencë morën pjesë 80 pjesëmarrës, ndër të cilët mësues, drejtues shkollash, prindër Romë dhe përfaqësues të Ministrive të Arsimit nga pesë vende të rajonit, etj.

Në konferencë u prezantuan gjetjet e studimit rajonal i cili hulumtoi gjendjen dhe pengesat e pjesëmarrjes së prindërve të minoriteteve etnike (me theks komunitetin Rom) në sistemin arsimor të disa vende të rajonit. Gjithashtu përgjatë konferencës u prezantuan një sërë praktikash të mira të cilat kishin siguruar një pjesëmarrje të qëndrueshme të minoriteteve etnike në jetën e shkollës, sikundër u prezantuan 30 nisma lokale të zbatuara nga disa shkolla të rajonit të cilat kishin për synim afrimin e komuniteteve që i përkasin minoriteteve etnike në veprimtaritë e shkollës.

Konferenca ofroi një forum ku u diskutua, u shkëmbyen përvoja si dhe u sugjeruan rrugë të cilat do të realizonin një pjesëmarrje të qëndrueshme dhe të plotë të minoriteteve etnike në sistemet arsimore të vendeve të rajonit. Në shumicën e prezantimeve dhe diskutimeve u vu re një theks i veçantë për situatën e pjesëmarrjes së komunitetit Rom në arsim, kjo pasi niveli i përfshirjes së këtij komuniteti rezulton mjaft i ulët si dhe nisur nga fakti që ky komuniteti reflekton karakteristikat e grupeve të margjinalizuara në secilin nga vendet e rajonit të përfaqësuara në konferencë.

Më poshtë gjenden disa rekomandime të cilat synojnë përmirësimin e gjëndjes së pjesëmarrjes së minoriteteve etnike në arsim.

Rekomandime për nxitjen e pjesëmarrjes së minoriteteve etnike në arsim

Rekomandime në nivel politikash

Rekomandim 1. Ministria e Arsimit dhe Shkencës nevojitet të nxisë më tej përparimin e procesit të decentralizimin në arsim duke fuqizuar Bordet e Shkollave, të cilat duhet të luajnë rol vendimmarrës sa i përket kurrikulës me bazë shkollën, aktivitetit mësimdhënës, zhvillimit profesional dhe menaxhimit financiar.

Rekomandim 2. Përfshirja e arsimimit multikulturor si tematikë e detyrueshme në të gjitha programet e degëve të mesuesisë të ofruara nga institucionet e arsimit të lartë.

Rekomandim 3. Ristrukturimi i përbërjes së Bordeve të Shkollave duke përfshirë prindër dhe nxënës të minoriteteve etnike në proporcion të drejtë me numrin e nxënësve që i përkasin minoriteteve etnike të pranishëm në shkollat përkatëse.

Rekomandim 4. Ministria e Arsimit dhe Shkencës nevojitet të nxisë dhe mbështesë programe/projekte kombëtare të cilat synojnë forcimin e pjesëmarrjes së prindërve dhe nxënësve në jetën e shkollës (kjo mund të përfshijë aktiviteteve kurrikulare dhe ekstrakurrikulare).

Rekomandim 5. Ministria e Arsimit dhe Shkencës nevojitet të nxisë dhe mbështesë programe/projekte kombëtare të cilat synojnë edukimin e fëmijëve të cilët kanë përkatësi të ndryshme etnike që të kuptojnë dhe pranojnë identitetet kulturore të ndërsjellta.

Rekomandim 6. Ministria e Arsimit dhe Shkencës nevojitet të nxisë dhe mbështesë programe/projekte kombëtare të cilat synojnë komunikimin e rregullt midis shkollës dhe familjes jo vetëm sa i përket rezultateve të fëmijëve por edhe sa i përket aktiviteteve të ndryshme të cilat realizohen në nivel klase.

Rekomandim 7. Nevojitet promovimi i një kornize kurrikulare e cila inkurajon pjesëmarrjen e nxënësve në përkufizimin e objektivave mësimorë të cilët duhet të reflektojnë bollshëm nevojat dhe identitetin e tyre kulturor.

Rekomandim 8. Rishikimi i kurrikulës së të gjitha niveleve arsimore të cilat pasqyrojnë marrdhëniet ndëretnike me synim nxitjen e besimit reciprok midis individëve dhe kumuniteteve si dhe sjelljen demokratike të tyre.

Rekomandime në nivel shkolle

Rekomandim 1. Të sigurohet përfshirja e prindërve që i përkasin minoriteteve etnike në hartimin e planit zhvillimor të shkollës në ato institucione ku ekzistojnë nxënës të minoriteteve etnike.

Rekomandim 2. Demokracia duhet mësuar dhe njerëzit duhen ndihmuar për të qenë të aftë për tu përfshirë. Shkolla duhet zhvillojnë programe të të mësuari si dhe projekte të cilat mundësojnë prindërit të mësojnë sesi të përfshijen dhe të jënë aktiv në jetën e shkollës.

Rekomandim 3. Shkolla duhe të mbështesë e të zhvillojë projekte të cilat nxisin pjesëmarrjen e drejtëpërdrejtë të prindërve në aktivitetin mësimor në nivel klase.

Rekomandim 4. Nxitja e strategjive të mësimdhënies të cilat i përgjigjen nevojës që nxënësit të kenë mundësi të shquajnë identitetin e tyre personal dhe kulturor të pasqyruar në ligjërimin që realizohet në klasë.

Rekomandim 5. Nxitja e atyre elementëve të strategjisë zhvillimore të shkollës të cilat promovojnë pjesëmarrjen e prindërve dhe nxënësve në jetën kulturore të shkollës duke mos u kufizuar vetëm në të drejtën e nxënsve për t’u arsimuar në gjuhën e tyre.

Rekomandim 6. Inkurajimi i kulturës së pedagogjisë me pjesëmarrje në të cilën identiteti i nxënësve konsiderohet si burim i procesit mësimor.