Konferencë shkencore “Komisionet hetimore, mjet i rëndësishëm për ushtrimin e kontrollit parlemantar”

14 Qershor 2011

Më datën 14 qershor 2011, Instituti për Studime Gjyqësore dhe Kushtetuese, zhvilloi konferencën shkencore me temë “Komisionet hetimore,mjet i rëndësishëm për ushtrimin e kontrollit parlamentar”. Konferenca u zhvillua në kuadër të projektit “Studim mbi problemet kushtetuese dhe ligjore lidhur me Komisionet Hetimore Parlamentare”, mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros.

Në konferencë ishin ftuar dhe morën pjesë juristë konstitucionalistë, përfaqësues të misioneve ndërkombëtare që punojnë në Shqipëri: si Prezenca e OSBE-së, USAID, Misioni “EURALIUS”, përfaqësues të lartë të institucioneve kryesore kushtetuese, deputetë, akademikë në fushën e jurispudencës dhe të drejtës kushtetuese, brenda dhe jashtë vendit dhe aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile. Veprimtaria u mbulua gjerësisht si nga media e shkruar dhe ajo elektronike.

Mendimet dhe sugjerimet e shprehura, në tryezën e rrumbullaktë të datës 18 mars 2011, mbi problematikat e hasura në funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare, gjetën pasqyrim të plotë në punimet e konferencës shkencore.

Në konferencë u mbajtën kumtesat:

- “Historiku dhe standartet kushtetuese të veprimtarisë së komisioneve hetimore”, nga Dr.Fehmi Abdiu, Drejtor Ekzekutiv i Bordit të Institutit.

- “Disa probleme lidhur me objektin e veprimtarisë së komisioneve hetimore”, nga z.Njazi Jaho, Zv/Drejtor i Bordit.

- “Komisionet hetimore parlamentare sipas praktikës ndërkombëtare”, nga z. Denar Biba, Pedagog i së Drejtës Kushtetuese.

Prezantuesit ofruan një tablo të plotë dhe të qartë të funksionimit të komisioneve hetimore parlamentare dhe rezultateve konkrete të tyre ndër vite, duke u ndalur dhe trajtuar problematikat në lidhje me debatet për ngritjen dhe objektin e komisioneve hetimore, zbatimin dhe respektimin e standardeve kushtetuese në këtë drejtim, domosdoshmërinë e respektimit të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, prezumimit të pafajësisë, përcaktimit të koncepteve të sakta mbi rolin dhe misionin e komisioneve hetimore, bazuar në konceptet kushtetuese etj.

Duke theksuar rëndësinë e komisioneve hetimore parlamentare, të cilat shprehin qëndrimin politik të përfaqësuesve më të lartë të popullit, për një ngjarje apo cështje të caktuar, që përbëjnë shqetësim për shoqërinë, prezantuesit nënvizuan domosdoshmërinë e ndarjes së politikës nga kompetencat që i përkasin organeve të specializuara të hetimit gjyqësor dhe politikanët të mos i shfrytëzojnë komisionet hetimore për përfitime politike.

Duke iu referuar praktikës ndërkombëtare, veprimtaria e deritanishme e komisioneve hetimore parlamentare dhe standartet e pranuara nga vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese u ballafaquan me eksperiencën e Gjykatave Kushtetuese në Europë dhe me ato të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke ofruar modele e standarde evropiane për rritjen e efektivitetit të instrumentave të kontrollit parlamentar mbi qeverinë dhe administratën. Me mjaft interes ishte diskutimi i Prof.Dr. Bajram Pollozhani, zv.Rektor dhe dekan i fakultetit të Frejtësisë në universitetin jo publik të Shkupit. Zoti Pollozhani, solli eksperiencën e tij, si ish Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, por dhe si studiues dhe profesor i së Drejtës Kushtetuese.

Në diskutimet e tyre pjesëmarrësit vlerësuan nivelin e lartë profesional dhe shkencor të kumtesave, për një cështje kaq të rëndësishme dhe sensitive për jurispudencën, shoqërinë dhe politikën shqiptare. Përfundimet dhe kumtesat e konferencës, në formën e një studimi, që shprehin shqetësimin e shoqërisë civile dhe të intelektualëve, do t’i prezantohen klasës politike, institucioneve kushtetuese dhe më gjerë, për të kontribuar në përmirësimin dhe funksionimin mbi baza kushtetuese të komisioneve hetimore, si mjet i rëndësishëm për ushtrimin e kontrollit parlamentar, forcimin e demokracisë dhe konsolidimin e institucioneve kushtetuese.