Konferencë shkencore “Komunikimi në Institucionet e mbyllura”

05 Qershor 2014

Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit i Universitetit të Tiranës organizoi në datën 31 tetor 2011 konferencën shkencore “Komunikimi në Institucionet e mbyllura”, e cila shënoi mbylljen e projektit kërkimor një vjeçar, që ky department zhvilloi me mbështetjen financiare të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros dhe Programit të Mirëqeverisjes dhe të Drejtave të Njeriut në Budapest. Projekti me titull “Të dënuarit mes izolimit, informimit dhe nevojës për komunikim”, një nismë novatore në këtë fushë, u zhvillua në të gjitha institucionet e ekzekutimit të veprave penale që ndodhen në Shqipëri dhe kishte si qëllim studimin e të gjitha formave të komunikimit në institucionet e mbyllura, identifikimin e problematikës që shoqëron këtë komunikim dhe hartimin e rekomandimeve për përmirësimin e situatës.

Konferenca u përshendet dhe u vlerësua nga Zëvendës Ministri i Integrimit, Dr. Edmond Hoxha, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof.Dr. Dhori Kule, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros, Andi Dobrushi, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra si dhe Dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Prof. Dr. Shezai Rrokaj. Në konferencë morën pjesë drejtues të burgjeve, punonjës të sektorit të edukimit nëpër burgje të ndryshme, përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore si dhe organizatave të ndryshme jofitimprurëse që kontribuojnë në fushën e të drejtave të njeriut, student të Departamentit të Gazetarisë e Komunikimit si dhe të Fakultetit të Shkencave Sociale.

Konferenca ishte ndarë në tre sesione ku në sesionin e parë të titulluar “Media midis krimit dhe ndëshkimit” u diskutuan problemet që kanë të bëjnë me median dhe raportet e saj me një të akuzuar, pandehur apo të burgosur. Në sesionin e dytë “Institucionet e ndëshkimit të veprave penale; komunikimi brenda dhe jashtë tyre”, u trajtuan format e komunikimit të të dënuarëve me shoqërinë dhe brenda institucioneve të vuajtjes penale. Ndërsa në seancën e tretë “Komunikimi ndërpersonal”, u trajtuan aspekte psikologjike, filozofike dhe të krijimtarisë si forma të komunikimit të dënuarëve me veten dhe me njëri-tjetrin. Nisur nga pikëpamja e përmbajtjes, konferenca arriti të bëjë një gërshetim mes studimeve akademike shkencore, përvojave profesionale të aktorëve të ndryshëm që veprojnë nëpër burgje si dhe rrëfimeve personale.

Më shumë se 15 referues, sollën pikëpamje të ndryshme, trajtuan aspekte të veçanta dhe ngritën probleme të qarta e të adresuara në lidhje me komunikimin në gjendje specifike, siç mund të jetë një i izoluar në burg.

Gjithashtu në konferencë pati edhe veprimtari të tjera që kishin të përbashkët me aktivitetin, aspektin komunikativ, por demostronin aspektin social të të gjithë projektit. Shfaqja e dokumentarit televiziv ekskluziv “Burgu” me autor drejtuesin ekzekutiv të projektit Zylyftar Bregu, prezantoi disa nga problemet dhe sfidat e këtij sistemi në Shqipëri si dhe solli në mënyrë të drejtpërdrejtë opinionet dhe shqetësimet e të dënuarëve apo aktorëve që kujdesen për integrimin e këtyre të dënuarëve. Ndër të tjera, pjesëmarrësit ndoqën një ekspozitë me vepra arti dhe artizanale të punuara nga të dënuarit dhe në fund të konferencës, u shpërndanë çmimet për katër essetë më të bukura të shkruar nga vetë të dënuarit të shoqëruara me një çmim modest prej 50 USD për secilin prej tyre.

Kumtesat e ekspertëve të angazhuar u shoqëruan me pyetje dhe diskutime nga të pranishmit. Ndërkohë të gjitha punimet e konferencës do të botohen së shpejti në një studim të veçantë.