Konferencen e 2-te Kombetare Per te drejten e Informimit

29 Prill 2016

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në bashkëpunim me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë organizuan sot konferencën e 2-të kombëtare “Për të drejtën e informimit/pyetshtetin.al”. Ky aktivitet vlerësoi zbatimin e deritanishëm të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” nga ana e autoriteteve publike. Në konferencë u prezantua portali “pyetshtetin.al”, platforma on-line që ka për qëllim t’u vijë në ndihmë qytetarëve dhe grupeve të ndryshme të interesit për të patur një akses më të madh në informacionin me karakter publik.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi mbajti një prezantim përmbledhës për vlerësimin nën këndvështrimin e institucionit të tij të zbatimit të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” që prej hyrjes në fuqi të tij në tetor të vitit 2014. Gjatë kësaj periudhe, zyra e Komisionerit ka konsoliduar funksionimin e saj administrativ, ka mbikëqyrur përmbushjen e detyrimeve në hartimin e Programeve të Transparencës nga autoritetet publike dhe në emërimin e koordinatorëve për të drejtën e informimit, si dhe ka trajtuar rreth 500 ankesa të qytetarëve. Z. Dervishi, theksoi gjatë fjalës së tij se “Zyra e Komisionerit ka reflektuar praktikat dhe përvojat më të mira evropiane në fushën e të drejtës për informim, ndërsa, vlerësoi, se është koha e duhur, nga përvoja e përfituar nga zbatimi i ligjit, që Autoritetet Publike të pasqyrojnë specifikat e sektorëve përkatës në Programet e tyre të Transparencës”.

Ndërkohë Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, z. Andi Dobrushi, gjatë fjalës përshëndetëse të tij, u ndal tek arritjet e deritanishme në kuadër të vendim-marrjes për rritjen e transparencës në raport me publikun. Miratimi i ligjit “Për të drejtën e informimit” dhe “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, është dëshmi e vullnetit pozitiv të ligjvënësit për t’i miratuar ato dhe për të bashkëpunuar me shoqërinë civile, si promotor kryesor të hartimit të tyre por ndërsa miratimi përbën vetëm hapin e parë të këtij procesi, zbatimi me efektivitet i këtyre ligjeve në praktikë do të mundësojë garantimin real të së drejtës për t’u njohur me informacionin publik apo dhe për të qenë pjesë e procesit vendimmarrës dhe politikbërës” theksoi ai. Megjithatë, ende ekzistojnë problematika: “Janë emëruar koordinatorët e njoftimit dhe konsultimit publik, por regjistri elektronik për konsultimin publik nuk është bërë ende funksional. Programet e transparencës kanë nevojë të rishikohen dhe pasurohen me informacione, të cilat kërkohen nga vetë ligji”, deklaroi z. Dobrushi.

Punimet e konferencës i përshëndetën znj. Valentina Leskaj Zv. Kryetare e Kuvendit, znj. Milena Harito, Ministër Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe znj. Dewi van de Weerd, Ambasador i Mbretërisë së Holandës në Shqipëri. Të ftuara të veçanta, ishin gjithashtu edhe znj. Rosemary Agnew, Komisioner i Skocisë për të Drejtën për Informim dhe znj. Anamarija Musa, Komisioner i Kroacisë për të Drejtën për Informim. Ato mbajtën prezantime ku informuan të pranishmit me praktikat, problematikat dhe raste konkrete të hasura në vendet e tyre në këtë fushë.

Zyra e Komisionerit dhe Fondacioni kanë bashkëpunuar prej disa kohësh për ngritjen e  portalit “pyetshtetin.al”. Kjo platformë u ofron qytetarëve dhe grupeve të interesit mundësi të shumta për ushtrimin e të drejtës së tyre për t’u informuar me dokumentat zyrtare. Në portal mund të konsultohet lehtësisht Programi i Transparencës dhe lista e koordinatorëve të autoriteteve publike, ndërsa në platformë është përfshirë edhe një regjistër kombëtar i kërkesat për informim të regjistruara prej tyre.