Letër drejtuar institucioneve nga PAKI

03 Dhjetor 2014

Sot më 3 Dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, një letër i është drejtuar institucioneve publike nga Grupi i Advokimit të Personave me Aftësi të Kufizuara Intelektuale.

Ngritja e këtij grupi është fryt i bashkëpunimit midis Shoqatës “Ndihmoni Jetën”, Shoqatës”MEDPAK” dhe Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – SOROS, në kuadër të projektit “Të rinjtë me aftësi të kufizuar intelektuale: Vet-Advokues".

Përmes kësaj nisme është synuar përgatitja dhe fuqizimi i një grupi të rinjsh me aftësi të kufizuara intelektuale 16-22 vjec, për të zhvilluar në përputhje me kapacitetet e tyre, aftësi për të identifikuar vështirësitë, nevojat dhe interesat e tyre. Këta të rinj kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh, të cilat kanë pasur në fokus promovimin e të drejtave të tyre, luftën ndaj stigmës dhe diskriminimit për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara intelektuale, ngritjen e një rrjeti shërbimesh në mbështetje të tyre dhe mbi të gjitha krijimin e hapësirave ku këta të rinj kanë mundur të tregojnë aftësitë që ata mbartin.

Letra ka natyrë ndërgjegjësuese dhe llogari-kërkuese e i drejtohet të gjitha institucioneve publike përgjegjëse për respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara intelektuale.

Letrën e plotë mund ta gjeni bashkëngjitur këtij artikulli.