Marrëdhëniet Shqipëri dhe Greqi – Çfarë mendojnë qytetarët – Webinar organizuar në 29 Qershor 2021

30 Qershor 2021

Më 29 Qershor 2021, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë në bashkëpunim me Fondacionin Helen për Evropën dhe Politikën e Jashtme (ELIAMEP) organizuan një webinar online me qëllim prezantimin e gjetjeve të Raportit të Sondazhit ‘Shqipëri – Greqi, Perceptimet e qytetarëve mbi bashkëpunimin midis dy vendeve’.

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë mbeten një enigmë e ndërlikuar. Të dy vendet fqinje kanë lidhje të gjera historike, ekonomike dhe sociale. Ato marrin pjesë në të njëjtën sferë gjeopolitike dhe kryesisht bien dakord për agjendën e zgjeruar për rajonin, duke u përqendruar në demokratizimin, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e sundimit të ligjit, me synimin themelor të integrimit të Ballkanit në Bashkimin Evropian.

OSFA dhe ELIAMEP bashkuan forcat për realizimin e një studimi kërkimor që synoi të analizojë qëndrimet sociale të qytetarëve shqiptar dhe atyre grek që kanë rreth njëri-tjetrit dhe sesi këto mendime mund të lehtësojnë apo pengo­jnë ndërtimin e një partneriteti më të ngushtë midis të dy vendeve. Projekti i përbashkët kërkimor, përfshiu dy sondazhe opinioni paralele të përbashkëta të kryera në Shqipëri dhe Greqi duke u zbatuar nga Instituti Kërkimor Data Centrum me qendër në Tiranë dhe Njësia e Kërkimit të Opinionit Publik e Universitetit të Maqedonisë me qendër në Selanik. Më shumë informacion mbi studimin mund të gjendet duke klikuar këtu.

Aktiviteti shërbeu për të diskutuar gjetjet e studimit, veçanërisht me perspektivën e rritjes së nivelit të besimit midis dy shoqërive dhe forcimin e bazës së një partneriteti të ardhshëm. Sesioni i parë ju kushtua fjalëve përshëndetëse dhe prezantimit të gjetjeve kryesore më të rëndësishme nga përfaqësuesit e ELIAMEP dhe OSFA, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ambasadës së Greqisë. Një ndërhyrje të veçantë dhe të regjistruar u krye nga Z. Nikos Dendias, Ministër për Punët e Jashtme të Greqisë të cilën mund ta gjeni këtu. Në sesionin e dytë, një panel ekspertësh diskutoi në detaje gjetjet e studimit dhe sesi perceptimet dhe qëndrimet formësojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe ligjërimin e politikës së brendshme në secilin vend.

Fjalët përshëndetëse të Z. George Pagoulatos, Drejtori i Përgjithshëm i ELIAMEP dhe Z. Andi Dobrushi, Koordinator Rajonal për Fondacionet e Ballkanit Perëndimor & Drejtor Ekzekutiv i OSFA, ritheksuan rëndësinë e besimit dhe marrëdhëniet e mira midis dy vendeve fqinje në rritjen e mirëkuptimit midis tyre. Z. Pagoulatos e paraqiti marrëveshjen detare midis Greqisë dhe Shqipërisë si një shembull të mirë se si mund të zgjidhen çështjet në kontekstin e rrugëtimit drejt integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Z. Dobrushi theksoi se marrëdhënia historike midis dy vendeve bëhet gjithnjë e më bashkëkohore dhe është përmirësuar, pasi Greqia ka luajtur një rol të rëndësishëm në procesin e tranzicionit të Shqipërisë. Prandaj, kjo marrëdhënie duhet të bëhet më e fortë, si midis qeverive, ashtu edhe midis njerëzve, pasi marrëdhëniet diplomatike dhe politike mbeten në provë dhe në një gjendje paqëndrueshmërie gati të përhershme. Të dy folësit arritën në përfundimin se perceptimet dhe stereotipet e paraqitura veçanërisht në media duhet të kapërcehen në mënyrë që të ndërtohet një axhendë pozitive për një të ardhme progresive evropiane.

Z. Alexandros Bouzis, Shefi i Zyrës së Diplomacisë Publike në Ambasadën e Greqisë në Tiranë, e vlerësoi studimin si një mjet të dobishëm për lehtësimin e punës që mund të kryhet në fushën diplomatike. Sipas tij, faktori njerëzor i ndërlidhur mbizotëron mbi faktorin politik dhe diplomatik përmes shkëmbimit shoqëror midis dy vendeve.

Z. Maklen Misha, Këshilltar në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë vlerësoi se marrëdhëniet midis dy vendeve kanë një transformim dhe përparim të jashtëzakonshëm krahasuar me të kaluarën. Marrëdhëniet janë rritur duke u bërë më pragmatike dhe më racionale sesa emocionale.

Z. Ioannis Armakolas, Studiues kërkimor i nivelit të lartë, Drejtues i Programit të Evropës Juglindore në ELIAMEP, dhe Znj. Alketa Berzani, ish-Drejtore Ekzekutive nga Instituti Kërkimor Data Centrum, prezantuan gjetjet kryesore të studimit dhe se si perceptimet dhe qëndrimet formësojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe ligjërimin e politikës së brendshme në secilin vend.

Z. Angelos Athanasopulos, Kryeredaktor mbi politikën në gazetën To Vima iu referua problemeve që prekin marrëdhëniet dypalëshe të cilat kanë nevojë për të arritur një kompromis në nivelin politik.

Së fundmi, Z. Blendi Kajsiu, Asistent Profesor në Universitetin e Antioquia, Kolumbi, theksoi ndikimin e medias mbi marrëdhëniet midis dy vendeve. Ai konsideroi se mediat mund të luajnë një rol më të rëndësishëm në një pasqyrim më të mirë të dimensionit politik në marrëdhëniet midis dy vendeve, por sidomos duke pasqyruar më shumë ndërveprimin në nivel social dhe njerëzor.

Të gjithë panelistët diskutuan gjetjet e studimit dhe implikimet e tyre, veçanërisht me perspektivën e rritjes së nivelit të besimit midis dy shoqërive dhe forcimin e bazës së një partneriteti të ardhshëm. Pas pyetjeve të paraqitura nga audienca në internet, panelistët hulumtuan gjithashtu implikimet e qëndrimeve greke për procesin e zgjerimit të BE, jo vetëm për Shqipërinë, por të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Të gjithë panelistët arritën në konkluzionin se marrëdhëniet midis dy vendeve janë përmirësuar me hapa gradualë krahasuar me 20 ose 8 vite më parë kur u krye studimi i fundit i ngjashëm. Çështjet e lidhura me minoritetet janë duke u transformuar nga çështje problematike në përmirësimin e perceptimit dhe diskutimin e zgjidhjeve për to, ndërsa stereotipet dhe keqkuptimet janë ende të pranishme. Kjo ndodh veçanërisht përmes ndikimit të politikës, medias dhe rrjeteve sociale, të cilat duhet të zbehen dhe të zëvendësohen me histori reale që ndodhin aktualisht në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe grekëve.

Për më shumë informacion mbi ngjarjen, mund të konsultoni ftesën dhe axhendën këtubiot e folësve, prezantimin e Z. Ioannis Armakaloas dhe Znj. Alketa Brezani këtu. Një video përmbledhëse e gjetjeve të aktivitetit mund ta gjeni në fund të njoftimit. Përmbledhja ekzekutive e studimit mund të konsultohen në gjuhën angleze dhe shqipe. Gjetjet e studimit të plotë mund të konsultohen në gjuhën angleze shqipe dhe greke. Për më shumë informacion, mund të kontaktoni info@osfa.al.