- Shqip
- English
Në mbledhjen e datës 2 Korrik, Këshilli i Ministrave propozon për shqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë projekt ligjin për Kujdesin Paliativ
Tematika:
Gjatë vitit 2011, OSFA ndërmori një studim i cili synoi rishikimin e të gjitha politikave, ligjeve dhe praktikave në Republikën e Shqipërisë të cilat mund të përmbanin potencialin e përfshirjes së Kujdesit Paliativ (KP) në sistemin e kujdesit shëndetësor duke përfshirë edhe një seri rekomandimesh. Nga kjo analizë rezultoi se KP nuk identifikohet qartazi në kuadrin ligjor si dhe u vunë re një sërë boshllëqesh të cilat lënë jashtë vëmendjes nevojën në shkallë kombëtare për ofrimin e kujdesit të shërbimit, veçanërisht në drejtim të trajtimit të dhimbjes. Ndër rekomandimet më të spikatura të këtij proçesi ishte dhe nevoja e hartimit të një ligji të mirëfilltë për kujdesin paliativ në Republikën e Shqipërisë, i cili do të sjellë në vëmendje jo vetëm aspektin e të drejtës njerëzore për vëmendje mjeksore por edhe mirëqenie sociale.
Në këtë kuadër, Programi i Shëndetit të OSFA, në bashkëpunim me partnerët kryesorë të KP në vend, Shoqata Kombëtare e Kujdesit Paliativ dhe Ryder Albania, ndërmori nismën për hartimin e ligjit të integruar të KP në vitin 2012, duke angazhuar të gjithë aktorët kryesorë dhe grupet e interesit në proçes. Kështu, në realizimin e draft-ligjit pati përfshirje të gjerë dhe kontribut domethënës nga institucionet politikëbërëse/vendimarrëse, nga ofrues të shërbimeve dhe ekspertë të njohur ndërkombëtarë në fushën e kujdesit paliativ, ku një peshë të rëndësishme e zuri Ministria e Shëndetësisë, Shërbimi i Onkologjisë dhe Pediatrisë pranë QSUT, Qendra Mary Potter, ish-MPCSSHB, ish-ISKSH, SOB, Stephen Connor (OSF) etj.
Draft ligji për Kujdesin Paliativ u miratua nga Këshilli i Ministrave në 6-mujorin e parë të vitit 2013 por u kalua për rishqyrtim sërisht në vitin 2014. Në korrik të po këtij viti, ligji kalon për shqyrtim dhe miratim nga Komisioni Parlamentar.