Organizohet Debati universitar për integrimin në UMSH “Migrimi dhe Integrimi Europian” në UMSH në 17 Dhjetor

17 Dhjetor 2019

Debati Universitar për Integrimin u zhvillua në datë 17 Dhjetor 2019, në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, duke çelur kështu serinë e debateve universitare në Tiranë dhe Durrës në kuadër të projektit “Laboratori i debatit mbi integrimin europian në auditorët universitare”. Projekti mbështetet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe zbatohet nga Qendra “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim” (SCiDEV). Ky aktivitet vjen si një sinergji mes këtij projekti dhe projektit “Të rinjtë drejt Europës”, mbështetur nga fondet IPA të Bashkimit Europian, zbatuar nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë.

Debati u organizua edhe si një takim i hapur me pjesëmarrjen e studentëve dhe pedagogëve të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë si edhe pjesëmarrësve nga institucionet e tjera universitare të projektit. “Aftësimi i studentëve dhe kërkuesve të rinj për të debatuar rreth integrimit Europian është një nevojë e qartë si për procesin e integrimit nëpër të cilin po kalon vendi, por edhe për zhvillimin e mëtejshëm të rolit të universitetit dhe rritjes së ndërgjegjësimit qytetar dhe pjesëmarrjes së të rinjve në procese strategjike në vendit”, u shpreh themeluesi i UMSH-së, Prof.Dr Anastas Angjeli. Dr. Blerjana Bino, menaxhere e projektit u fokusua mbi rëndësinë e kulturës së debatit dhe sesi projekti në fjalë e gjallëron atë, sidomos për një çështje si integrimi Europian që përbën një prioritet kombëtar. Për më tepër, ajo shpjegoi edhe mënyrën sesi do të organizohet tournamenti i debatit dhe sesi po bashkëpunohet me OSFA për të ndërtuar sinergji me nisma të ngjashme.

Debati i parë u fokusua në temën 'Migrimi dhe Integrimi Europian' dhe Dr. Kriton Kuçi, mentori i dy skuadrave, kishte punuar ngushtë me studentët në përgatitjen e tezave të tyre dhe sidomos në thellësinë e argumentit. Të dyja skuadrat sollën shifra dhe raporte nga burime ndërkombëtare për të mbështetur tezat e tyre. Gjithashtu, studentët theksuan nevojën për një shoqëri europiane të hapur dhe gjithëpërfshirëse duke dakordësuar për emigracionin si një mënyrë për të rigjeneruar shoqëritë europiane në plakje, por paraqitën plane të ndryshme për mënyrën sesi duhet adresuar emigracioni dhe për ndikimin që ka në Europë. Vlerësimi u bazua në kriteret si etika, komunikimi dhe forca e argumentit dhe kundër-argumentit.

Juria përbëhej nga Prof. As. Dr. Nevila Xhindi, Dr. Kriton Kuçi dhe Znj. Lutjona Lula. Pas një debati shumë cilësor, skuadra fituese u shpall skuadra e pozicionit pro. SCiDEV përgëzon për përgatitjen, seriozitetin dhe pasionin të dy skuadrat.

Për të mësuar më shumë mbi aktivitetin mund të aksesoni axhendën këtu, galerinë e fotove këtu dhe për çdo pyetje mbi projektin në adresën e emailit info@scidevcenter.org.