- Shqip
- English
Përfundon Shkolla Europiane 2018
Tematika:
Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, në partneritet me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Delegacionin e Bashkimit Evropian, Fondacionin Friedrich Ebert Stiftung, dhe Konrad Adenauer Foundation organizoi raundin e tretë të Shkollës Europiane në datat 22-26 Tetor 2018 në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit në Tiranë dhe Shtëpisë së Europës.
Për të tretin vit radhazi, Shkolla Europiane synoi të identifikojë dhe angazhojë aktorë të spikatur nga të gjitha institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit, duke krijuar një grup të konsoliduar ekspertësh me njohuri të thella mbi procesin e integrimit europian, të cilët mund të kontribuojnë në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian (BE).
Shkolla Europiane 2018 ofroi një kuadër të plotë teorik dhe praktik mbi zhvillimet më të fundit në BE, skenarët e mundshëm për të ardhmen e tij dhe veçanërisht të ardhmen e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo synoi gjithashtu të forcojë aftësitë negociuese të pjesëmarrësve me anë të metodave praktike për zhvillimin e negociatave efektive.
Shkolla Europiane ka bashkëpunuar në vitet e kaluara me Kolegjin e Europës në Bruzh, Akademinë Europiane të Berlinit. Këtë vit fokusi ishte ofrimi i një kuadri edhe më të plotë praktik mbi eksperiencat e vendeve që kanë kaluar procesin e hapjes së negociatave duke bashkëpunuar me ekspertët më të mirë dhe kryenegociatorët nga Mali i Zi dhe Serbia, si dhe nga vende të zgjerimit të vitit 2004, si Lituania dhe Polonia. Leksionet e tjera u mbajtën nga profesorë të njohur, si dhe ekspertë të nivelit të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar nga Universiteti Westminster, Qendra Austro-Franceze për përafrimin me Europën, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, si dhe seanca bashkëbisedimi me përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Delegacioni i BE në Shqipëri.
Programi përfshiu katër module kryesore:
Moduli 1: Bashkimi Europian, sfidat aktuale dhe perspektiva për të ardhmen (thellim apo zgjerim);
Moduli 2: Përgatitja e Administratës Publike për negociatat e anëtarësimit;
Moduli 3: Ballkani Perëndimor dhe Bashkëpunimi Rajonal;
Moduli 4: Komunikimi në publik i procesit të integrimit europian dhe gjithëpërfshirja.
Gjatë Shkollës Europiane u përdor një shumëllojshmëri e metodave të trajnimit si: leksione, prezantime praktike, dhe diskutime ndërvepruese.
Nga një numër i lartë prej 258 aplikimesh, bazuar në një përzgjedhje transparente e cila merr në konsideratë përfaqësimin e të gjithë grupeve të interesit dhe aktorëve të procesit të integrimit u përzgjodhën 37 pjesëmarrës:
- 16 përfaqësues nga administrata publike (9 nga qeverisja qendrore dhe 7 nga institucionet e pavarura),
- 6 përfaqësues nga shoqëria civile,
- 6 përfaqësues nga vetëqeverisja vendore,
- 3 përfaqësues nga bota akademike,
- 2 përfaqësues nga media,
- 1 përfaqësues nga biznesi.
Për të mësuar më shumë mbi zhvillimin e Shkollës Europiane 2018 ju ftojmë të lexoni axhendën e cila paraqet një informacion të detajuar mbi temat dhe lektorët, dhe listën e pjesmarrësve. Fjalimin e Ambasadorit Soreca në ceremoninë e mbylljes së shkollës mund ta ndiqni këtu dhe po ashtu mund të ndiqni fotot dhe videon mbi realizimin e shkollës.
Për të aksesuar thirrjen për pjesmarrës klikoni këtu, ndërkohë për më shumë informacion mund të kontaktoni Këshilli Kombëtar të Integrimit Europian në adresën e emailit: Info.Kkie@parlament.al.