- Shqip
- English
Përmirësimi i politikës dhe praktikës "Altertekst" nëpërmjet pjesëmarrjes së gjerë
Tematika:
Ditën e enjte, datë 10 shkurt 2011, në mjediset e hotel Tirana International Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) zhvilloi workshopin me temë: “Përmirësimi i politikës dhe praktikës “Altertekst” nëpërmjet pjesëmarrjes së gjerë”. Në këtë workshop u bë prezantimi i rezultateve të monitorimit të mbarëvajtjes së procesit “Altertekst 2010” si dhe diskutimin me palët e interesuara lidhur me rrugët e përmirësimit të tij. Në këtë veprimtari morin pjesë, përfaqësues nga MASH, Drejtoritë Arsimore Rajonale të Tiranës, Shkodrës dhe Vlorës, drejtues shkollash, mësues, nxënës, prindër, përfaqësues të shtëpive botuese dhe autorë tekstesh.
Workshopin e përshendetën drejtori ekzekutiv i OSFA-s z. Andi Dobrushi si dhe këshilltari i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, z. Jovan Kristiqi. Më pas u mbajtën prezantimet:
“Kampioni dhe metodologjia”, referuar nga z. Dritan Nelaj, kordinator i programit të Arsimit pranë OSFA-s; “Procesi i miratimit të teksteve” nga petagogu Zenel Sina; “Procesi përzgjedhjes së teksteve” nga Suela Jahaj; “Procesi i shpërndarjes së teksteve” nga Hysni Elezi dhe “Cilësia e teksteve” nga Fatmir Bezati.
Në pjesën e dytë të workshopit diskutuan përfaqësues nga drejtoritë arsimore në Vlorë, Shkodër, Tiranë, drejtues shkollash, përfaqësues të komunitetit rom, etj. Wokshopi miratoi edhe një deklaratë për shtyp si më poshtë:
Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë-Soros në bashkëpunim me një grup ekspertësh përgjatë periudhës Gusht – Nëntor 2010 ndërmori monitorimin e zbatimit të procesit Altertekst 2010, në qytetin e Tiranës, Vlorës dhe Shkodrës.
Veprimtaria monitoruese synoi qartësimin e zbatimit të praktikave dhe procedurave të parashikuara në “Paketën Informuese Altertekst 2010-2011”, me qëllim nxitjen e përmirësimeve të mëtejshme të kësaj politike mjaft të rëndësishme për cilësinë e arsimit parauniversitar.
Veprimtaria monitoruese morri në shqyrtim segmente të caktuar të procesit të tilla si: Miratimi, përzgjedhja, cilësia dhe shpërndarja e teksteve si dhe funksionimi i mekanizimit të konsultimit të përdoruesve të teksteve.
Monitorimi u zbatua duke u mbështetur në një metodologji e cila mori në konsideratë natyrën e proceseve nën monitorim si dhe kontekstin e terrenit. Kështu u shfrytëzuan elementë të përzgjedhjes rastësore të subjekteve me interes si dhe teknika e kampionit të qëllimshëm. Në të gjitha rastet u shfrytëzuan pyetësorë me pyetje të mbyllura me fund të hapur. Përgjatë monitorimit u intervistuan 17 administratorë të shtëpive botuese të përfshira në hartimin e tekstit mësimor, 202 mësues anëtarë të Komisioneve të Përzgjedhjes së Teksteve në Tiranë, Vlorë dhe Shkodër si dhe 861 prindër.
Të dhënat e mbledhura nga aktiviteti monitorues sugjerojnë rezultatet e mëposhtme.
Miratimi i teksteve
• 74.5% e administratorëve të shtëpive botuese e konsiderojnë si të papërshtatshme kohën e vënë në dispozicion nga “Paketa Informuese Altertekst 2010-2011” për përgatitjen dhe depozitimin e e teksteve pranë MASH.
• Të pyetur rreth arsyeve të mosmiratimit të teksteve të depozituara pranë MASH 50 % e administratorëve të shtëpive botuese fajsojnë mungesën e përgjegjësisë dhe vëmendjes së “Komisioneve të Vlerësimit të Teksteve”
• Të pyetur rreth cilësisë së administrimit dhe zbatimit të politikës së “Altertekstit”, krahasuar kjo me një vit më parë, 59 % e e administratorëve të shtëpive botuese vlerësojnë administrimin e procesit si të keq dhe shumë të keq e ndjekur kjo nga 35.3 % e administratorëve të cilët mendojnë se procesi është administruar mirë.
• Të pyetur lidhur me rolin e Komisionit të Miratimit të Teksteve pranë MASH, 29 % e administratorëve të shtëpive botuese mendojnë se qëndrimi i këtij komisioni ka qenë i mirë, dhe shumë i mirë ndërsa 71 % e tyre nuk kanë ditur si ti përgjigjen pyetjes ose kanë preferuar që të mos përgjigjen.
Komisionet e përzgjedhjes së Teksteve
• Sipas “Paketën Informuese Altertekst 2010-2011”, komisionet e miratimit të teksteve duhet të kishin në përbërjen e tyre një prind, gjë që është zbatuar vetëm në 20 % të rasteve.
• Vetëm 2.6% e prindërve të pyetur rezultojnë të jenë në dijeni të prindërve të cilët kanë qenë anëtarë të komisioneve të përzgjedhjes së teksteve.
• Një përqindje mjaft e vogël, vetëm 8.5% e prindërve anëtarë të komisioneve pohojnë se mendimi i tyre lidhur me tekstet është marrë në konsideratë nga anëtarët e tjerë të komisionit.
• Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore ngarkohen me trajnimin e mësuesve rreth procesit dhe procedurave të përzgjedhjes së teksteve, gjë që ka ndodhur vetëm në 49 % të rasteve.
• Në vijim 94 % mësuesuesve të intervistuar shprehen se kanë qenë të kënaqur me përbërjen e komisionit.
• Të pyetur rreth peshës së mendimit të tyre kundrejt përzgjedhjes së tekstit, 88 % e mësuesve të intervistuar shprehen se produkti i komisionit në të cilin ata kanë qenë anëtar pasqyroi zgjedhjen e tyre.
• Të pyetur lidhur me punën e komisioneve të përzgjedhjes së teksteve 35,3% e administratorëve të shtëpive botuese mendojnë se vendimmarrja ka qenë e keqe ndërsa 35,3%, e tyre mendojnë se vendimmarrja ka qenë e mire.
Cilësia e teksteve
• Të pyetur rreth vështirësive që hasin fëmijët në të përvetësuarit e dijeve, prindërit konfirmojnë se 74.1% e nxënësve hasin vështirësi përgjatë procesit të nxënies. Kështu, 59% e prindërve të intervistuar mendojnë se arsyeja e këtyre e vështirësive është cilësia e dobët e teksteve.
• Monitorimi tregon se 56.4% e prindërve të intervistuar kanë vënë re ndryshime në përmbajtjen e teksteve, nga viti në vit e ndjekur kjo nga, 42.9% e prindërve të intervistuar, të cilët nuk kanë shquar ndryshime në këtë drejtim.
• 43.8% e prindërve të intervistuar mendojnë se në përgjithësi, cilësia e teksteve është rritur, 20% e tyre mendojnë se ka rënie në cilësi e ndjekur kjo nga 35.2% e prindërve të cilët nuk shquajnë ndonjë ndryshim në këtë drejtim.
Funksionimi i mekanizimit të konsultimit të përdoruesve të teksteve
• Të pyetur lidhur me zbatimin e mekanizimit të vjeljes së përshtypjeve të përdoruesve të tekstit me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të tij, 50.2 % e mësuesve përgjigjen se u është marrë mendimi rreth problemeve dhe vështirësive që kanë hasur gjatë përdorimit të tekstit ndërsa 47.8 % e tyre shprehen negativisht.
• Të pyetur nëse janë kontaktuar ndonjëherë lidhur me cilësinë e teksteve, vetëm 12.1% e prindërve pohon një gjë të tillë ndërsa 87.7% e tyre konfirmojnë se nuk janë kontaktuar asnjëherë nga askush.
Shpërndarja e teksteve
• Të pyëtur rreth cilësisë së procesit të shpërndarjes së teksteve 39.8% e prindërve mendojnë se shpërndarja ishte më e mirë këtë vit, ndërsa 13.3% e tyre konfirmojnë të kundërtën e ndjekur kjo nga 46.4% e të pyeturve të cilët nuk shquajnë ndonjë ndryshim krahasuar me vitin e shkuar.
• Rezultatet e monitorimit sugjerojnë se tekstet nuk kanë mbërritur në sasinë e duhur për të gjithë titujt, pasi vetëm 29.9% e prindërve kanë mundur t’i sigurojnë të gjitha tekstet që me vizitën e parë në shkollë, ndërsa rreth 28% e prindërve të intervistuar u është dashur të vizitojnë shkollën në tre apo më shumë raste për të siguruar të gjitha tekstet e nevojshme.
• Pajisja e blerësit të tekstit me faturë tatimore ka qenë një rregull i pazbatuar në shumicën e rasteve pasi 81% e prindërve të pyetur nuk janë pajisur me faturë tatimore.
• Të pyetur rreth asaj sesi do të ishte më mirë tregtimi i teksteve në shkollë apo librari, 83% e prindërve preferojnë tregëtimin e teksteve në shkollë, ndërsa vetëm 15.8% e tyre preferojnë tregtimin e teksteve në librari.
Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë-Soros në vazhdim të kësaj nisme realizoi tryezën me grupet e interesit më 10 Shkurt 2011 pranë Hotel Tirana International me qëllim diskutimin e rrugëve dhe mundësive për të përmirësuar më tej politikën e altertekstit si dhe zbatimin e saj në terren. Pas mbledhjes së mendimeve të grupeve të interesit do të hartohet një paketë me rekomandime të cilat do t’i vihen në dispozicion Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.