Pjesëtarë të shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore diskutojnë mbi përmirësimin e të drejtës së informimit në Shqipëri

Tematika: 

Shkarko documenta: 

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, në bashkëpunim me Projektin Kundër Korrupsionit në Shqipëri (PACA) dhe Institutin për Studime Publike dhe Ligjore, prezantuan sot disa propozime për amendimin e Ligjit nr. 8503 “Për të drejtën e informimit mbi dokumente zyrtare”. E drejta për të marrë informacion mbi veprimtarinë publike nuk garantohet nga kuadri aktual ligjor, dhe specifikisht Ligji nr. 8503 paraqet dobësi të theksuara, si për shembull kufizimi i subjekteve që detyrohen nga Ligji për të dhënë informacion mbi veprimtarinë e tyre, afatet mjaft të gjata kohore për kthimin e përgjigjeve ndaj kërkesave për informacion si edhe dobësi të mekanizmave zbatuese

Instituti për Studime Publike dhe Ligjore paraqiti një përmbledhje të praktikës së shoqërisë civile me kërkimin e informacionit nga institucionet shtetërore. Përvoja është problematike për të treja pushtetet – ekzekutivin, legjislativin dhe gjyqësorin (shih materialin bashkëlidhur për shembujt konkret – seksioni IV, fq. 16-21).

Vlerësimi Botëror i të Drejtës së Informimit 2011, analiza e parë në shkallë botërore e kuadrove ligjor në këtë fushë, e renditi Shqipërinë në vendin e 81, nga 89 vende gjithsej. Nga vendet e rajonit, Serbia, Kroacia, dhe Kosova rezultojnë të kenë kuadro ligjor mjaft më të mirë, duke u renditur përkatësisht në vendet 1, 6 dhe 16 .
Sipas një monitorimi të Institutit Shqiptar të Medias të publikuar në shkurt 2012, në 39% të rasteve nuk pati përgjigje nga institucionet publike të monitoruara. Në 61% të rasteve që u kthye përgjigje, vetëm 35% ishin përgjigje të plota, 12% të pjesshme, 39% përgjigje negative dhe në 14% të rasteve përgjigja ka qënë për riorinetim të kërkesës në një institucion tjetër apo dhënie referencë e një ligji, siti web apo dokumenti tjetër. Gjithashtu, u vu re një tendencë me e madhe për t’ju përgjigjur kërkuesve që identifikoheshin si gazetarë se sa atyre që identifikoheshin si qytetarë të thjeshtë.

E drejta e informimit është një e drejtë kushtetuese cënimi i së cilës çon në cënimin e një sërë të drejtash të tjera demokratike. Të shqetësuar nga niveli i ulët aktual i gëzimit të kësaj të drejte në Shqipëri, organizatorët propozojnë disa ndryshime të domosdoshme ligjore. Mes tyre, theksohen:

Përkufizim të qartë të së drejtës për informacion në përputhje me Kushtetutën dhe jo e kufizuar në “dokumente zyrtare” ku këto të fundit nuk përcaktohen qartë;
Zgjerimi i fushës së veprimit të ligjit duke detyruar jo vetëm institucionet shtetërore por edhe subjektet ligjore që veprojnë me të ardhura publike, si për shembull kompanitë që kanë kontrata me shtetin për ofrimin e shërbimeve të ndryshme;
Ulja e afatit aktual ligjor për të kthyer përgjgije nga 40 ditë pune në 10 ditë pune.
Parashikimi i kritereve të qarta dhe shteruese për refuzim informacioni.

Gjatë takimit, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Inovacionit, Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit u shprehën se qeveria Shqiptare është angazhuar në kuadër të Partneritetit për Qeveri të Hapur (OGP), të amendojë ligjin në fjalë.