Prezantimi i Studimit "Vlerësimi i Riskut të Krimit të Organizuar në Shqipëri"

25 Mars 2015

Lufta kundër krimit të organizuar është dhe mbetet një sfidë serioze për shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Ndërkohë që ka një shqetësim në opinonin publik dhe në raportet e ndërkombëtarëve në lidhje me eficensën e luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, mungojnë studimet empirike mbi natyrën dhe veçoritë e  tij në Shqipëri. Në këtë kontekst, Fondacioni Shoqëria e Hapur për  Shqipërinë-Soros, ka realizuar  Raportin studimor me titull “Vlerësimi i Riskut të Krimit të Organizuar në Shqipëri”, i cili ka për qëllim të informojë e pasurojë debatin publik me gjetje dhe analiza shkencore. Raporti u prezantua në datë 25 Mars 2015, në praninë e përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar, agjencive ligjzbatuese,  përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë, shoqërisë civile, akademikëve dhe përfaqësuesve të medias.

Andi Dobrushi, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Soros, theksoi se: “Ky Raport Studimor sjell një kontribut në mbushjen e boshllëkut informativ që vihet re në Shqipëri lidhur me Krimin e Organizuar. Lufta kundër tij duhet të mbështetet në studime serioze, për vetë natyrën e sofistikuar të tij dhe rrezikshmërinë e lartë që paraqet për shtetin ligjor dhe demokracinë nëvend. Për më tepër, kjo kërkon një bashkëpunim efikas midis shoqërisë civile dhe institucionevepublike.. Gjatë hartimit të këtij Raporti u konstatua se ka vend për përmirësim për sa i përket transparencës dhe gadishmërisë të institucioneve shtetërore për bashkëpunim lidhur me kërkime specifike të kësaj natyre”.

Dr. Fabian Zhilla, drejtues i “Njësisë Kërkimore mbi Studimin e Krimit të Organizuar” pranë Fondacionit Soros, cilësoi se:  Një ndër synimet e këtij Raporti ishte përfshirja në të e sa më shumë aktorëve dhe sidomos pjesës akademike. Në kontekstin e këtij studimi, ky ndërveprim i gjallë midis shoqërisë civile dhe aktivitetit shkencor është orientuar në ofrimin e analizave konkrete, të cilat do të ndihmojnë agjencitë ligjzbatuese në hartimin e politikave efikase të luftës kundër krimit të organizuar.  

Nisur nga kompleksiteti i veprimtarisë së krimit të organizuar në Shqipëri, ky Raport përqendrohet në veprimtaritë e paligjshme të krimit të organizuar në vend, si dhe ato të kryera nga rrjetet kriminale shqiptare në rajon dhe më gjerë. Janë marrë në shqyrtim veprimtari të organizuara kriminale si trafikimi i drogës, trafikimi i qenieve njerëzore, kontrabandimi i migrantëve, trafikimi i armëve, gjobëvënia, vrasjet me pagesë, krimi i organizuar kibernetik dhe pastrimi i parave. Ky Raport nxjerr në pah karakteristikat, tipologjitë dhe trendin e krimit të organizuar për veprimtaritë e mësipërme kriminale, për periudhën 1990-2014. Raporti evidenton gjithashtu hartën e aktiviteteve kriminale dhe rrugët kryesore të trafikimit të drogës, armëve dhe qenieve njerëzore. 

Për një luftë sa më efikase ndaj krimit të organizuar, ky Raport sugjeron që beteja duhet filluar me korrupsionin brenda institucioneve ligjzbatuese. Ka nevojë të rriten kapacitetet profesionale të agjencive ligjzbatuese me ekspertë në fushën e kriminologjisë, ekonomisë, kibernetikës, informatikës, mjekësisë ligjore etj. Ky Raport sugjeron gjithashtu se është e nevojshme ngritja e një “Njësie të specializuar” për luftën kundër krimit të organizuar. Duhet gjithashtu, të rritet ndërgjegjësimi publik mbi rrezikshmërinë e krimit të organizuar, si dhe rolin e përgjegjësitë e gjithsecilit në luftën kundër tij.

 

Gjetjet e këtij studimi mund ti gjeni më poshtë :

Përmbledhja Ekzekutive Shqip

Përmbledhja Ekzekutive Anglisht

Raporti i Plotë në Shqip

Full Report English

Për fotot e këtij aktiviteti ju lutem klikoni këtu.