- Shqip
- English
Prezantohet Edicioni V i projekt-programit, ‘Re-Debate – Kampionati Kombëtar i Debatit’
Më 24 Mars 2022, Organizata Liburnetik organizoi eventin e prezantimit e edicionit të pestë të programit ‘Re-Debate, Kampionati Kombëtar i Debatit’.
Programi Kombëtar i Debatit është një traditë e konsoliduar e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) i cili nxit rigjallërimin e kulturës së debatit në nivel gjimnazi i organizuar nga Organizata Liburnetik dhe në nivel universitar nga Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV).
Qëllimi i Programit është të fuqizojë të rinjtë (gjimnazistët dhe studentët) për të qenë qytetarë proaktivë, të mirë-informuar dhe me mendim kritik e aftësi të të folurit në publik duke marrë pjesë në proceset vendimmarrëse në komunitetin e tyre si dhe në jetën publike.
Nën moderimin e Z. Ergys Gezka, Drejtor Ekzekutiv i LIBURNETIK, në këtë aktivitet ishin të pranishëm Znj. Kleina Kasanai, Drejtore e Agjencisë Kombëtare të Rinisë (AKR); Z. Klodjan Seferaj, Menaxher Programi pranë Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë si edhe Znj. Blerjana Bino, Drejtore Ekzekutive e SCiDEV.
Znj. Kleina Kasanai vlerësoi Re-Debate si një program i cili jo vetëm rrit kapacitet e të rinjve gjimnazistë, por mbi të gjitha i fuqizon ata, përmes edukimit mbi rëndësinë e argumentit, mendimit kritik dhe kulturës së debatit.
Në emër të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Z. Klodjan Seferaj, Menaxher Programi vlerësoi ecurinë dhe qëndrueshmërinë e projektit, i cili ka patur një ndikim dhe shtrirje kombëtare, duke arritur të bashkojë përmes debatit dhe argumentimit kritik shumë të rinj nga zona të ndryshme të vendit. Z. Seferaj vendosi theksin në mënyrë të veçantë te nevoja për institucionalizimin e kulturës së debatit, duke kërkuar angazhimin e institucioneve në përfshirjen e debatit në kurrikulat shkollore si një vlerë e shtuar për edukimin e të rinjve me vlerat e qytetarisë aktive dhe demokracisë gjithëpërfshirëse.
Znj. Blerjana Bino, Drejtoreshë Ekzekutive e SCiDEV, inkurajoi të rinjtë që të vazhdojnë të jenë pjesë e debateve dhe aktiviteteve që nxisin mendimin kritik dhe etikën e debatit edhe pas përmbylljes së shkollës së mesme, duke vendosur fokusin në Kampionatin e Debatit që zhvillohet në universitete, i organizuar nga SCiDEV.
Znj. Oltiana Rama, trajnere e Re-Debate vlerësoi rëndësinë e formateve të tilla në formësimin e të rinjve, duke e vendosur theksin te ndikimi që Re-Debate ka tek të rinjtë si një hapësirë e zhvillimit të mendimit kritik, tolerancës, etikës në komunikim, bashkëpunimit në grup dhe patjetër shprehjes së argumentit në një formë bindëse dhe ezauruese.
Të pranishëm ishin edhe mësues dhe nxënës nga edicioni i kaluar i Re-Debate 5.1 të cilët ndanë eksperiencat e tyre nga kampionati. Ata vlerësuan veçanërisht përvojën dhe ato çfarë mësuan nga pjesëmarrja në këtë garë që në fokus ka mendimin kritik. Mësuesit që kanë punuar me nxënësit shprehën gjithashtu nën këndvështrimin e tyre rreth përparimit të nxënësve dhe aftësive që kanë fituar, jo vetëm anëtarët e skuadrës, por dhe ato vetë përmes angazhimit në këtë garë.
Për më shumë klikoni në faqet e internetit të Re-Debate dhe LIBURNETIK, si dhe ndiqni publikimet në Facebook Re-Debate dhe Instagram Re-Debate .