- Shqip
- English
Promovimi i zbatimit të ligjit “Për të drejtën e informimit”
Tematika:
Gjatë vitit 2015, Fondacioni Soros zbatoi një projekt bashkëpunimi me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si institucioni përgjegjës për monitorimin e zbatimit në praktikë të ligjit “Për të drejtën e informimit”. Vëmendja kryesore u përqendrua në rritjen e ndërgjegjësimit dhe kapaciteteve profesionale të autoriteteve publike përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji.
Në këtë kuadër, u organizuan 4 seminare trajnuese në Tiranë, Korçë, Shkodër dhe Vlorë me koordinatorët e drejtës së informimit të caktuar në institucionet e pushtetit qendror dhe vendor si dhe me drejtues të lartë të këtyre institucioneve . Qëllimi kryesor i seminareve ishte njohja më në detaje e risive të ligjit “Për të drejtën e informimit”, rolit që autoritetet publike në përgjithësi dhe koordinatorët e së drejtës së informimit në veçanti duhet të luajnë në përmbushjen e përgjegjësive që burojnë nga ky ligj për forcimin e transparencës në dobi të qytetarëve dhe grupeve të interesit.
Këto aktivitete patën gjithashtu për synim jo vetëm të nxisnin emërimin e koordinatorëve të së drejtës së informimit në nivel qendror dhe vendor, por gjithashtu të promovonin hartimin në mënyrë standarte të programeve të transparencës dhe të rregjistrave të kërkesave për informacion në çdo institucion shtetëror.