- Shqip
- English
Shkolla Verore Europiane 2017
Tematika:
Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, në partneritet me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Delegacionin e Bashkimit Evropian, dhe Fondacionin Friedrich Ebert Stiftung, organizoi raundin e dytë të Shkollës Verore Europiane në datat 4-8 Shtator 2017 në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit në Tiranë.
Për të dytin vit radhazi, Shkolla Verore Evropiane synoi të identifikojë dhe angazhojë aktorë të spikatur nga të gjitha institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit, duke krijuar një grup të konsoliduar ekspertësh me njohuri të thella mbi procesin e integrimit evropian, të cilët mund të kontribuojnë në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Shkolla Verore Evropiane ofroi një kuadër të plotë teorik dhe praktik mbi zhvillimet më të fundit në Bashkimin Evropian, skenarët e mundshëm për të ardhmen e tij dhe veçanërisht të ardhmen e procesit të zgjerimit të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor. Shkolla Verore synon gjithashtu të forcojë aftësitë negociuese të pjesëmarrësve me anë të metodave praktike për zhvillimin e negociatave efektive.
Leksionet u mbajtën nga profesorë të njohur nga Akademia Evropiane e Berlinit, përfaqësues nga Bashkimi Evropian, si dhe ekspertë të nivelit të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar për integrimin evropian dhe procesin e zgjerimit.
Programi përfshin katër module kryesore:
- Bashkimi Evropian dhe zgjerimi i tij me Ballkanin Perëndimor;
- Negociatat e anëtarësimit dhe përafrimi i legjislacionit;
- Manaxhimi efektiv i fondeve të Bashkimit Evropian;
- Komunikimi në publik i procesit të integrimit evropian.
Shkolla Verore Europiane 2017, zgjeroi kategoritë e pjesëmarrësve duke përfshirë edhe përfaqësues nga pushteti lokal dhe përfaqësues të biznesit, me qëllim përfshirjen e të gjithë aktorëve në realizimin e reformave dhe detyrimeve të anëtarësimit. Shkolla Verore 2017 ishte e hapur për:
- Nëpunës të administratës publike shqiptare (përfshirë edhe vetëqeverisjen vendore dhe institucionet e pavarura) që punojnë në fushën e integrimit evropian, të cilët synojnë të angazhohen në procesin e negociatave;
- Studiuesit e rinj dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile;
- Gazetarë dhe përfaqësues të medias;
- Përfaqësues nga komuniteti i biznesit dhe grupe të tjera interesi.
Nga një numër i lartë prej 230 aplikimesh, bazuar në një përzgjedhje transparente e cila merr në konsideratë përfaqësimin e të gjithë grupeve të interesit dhe aktorëve të procesit të integrimit u përzgjodhën 40 pjesëmarrës:
- 21 përfaqësues nga administrata publike (17 nga qeverisja qendrore dhe, 4 nga institucionet e pavarura),
- 6 përfaqësues nga bota akademike,
- 6 përfaqësues nga shoqëria civile,
- 4 përfaqësues nga vetëqeverisja vendore,
- 3 përfaqësues nga media.
Për të mësuar më shumë mbi zhvillimin e Shkollës Europiane 2017 ju ftojmë të lexoni broshurën e cila paraqet një informacion të detajuar mbi lektorët, axhendën dhe listën e pjesmarrësve dhe të ndiqni videon më poshtë. Po ashtu mund të akesoni një ‘Përmbledhje të Bazës Ligjore për Integrimin Europian’ përgatitur për pjesmarrësit e shkollës.
Shkollën Europiane 2017 e përshëndeti edhe me një video mesazh Komisioneri Johannes Hahn i cili ju drejtua pjesëmarrësve të Shkollës Verore Evropiane 2017 në Shqipëri të cilën mund ta ndiqni këtu.
Për më shumë informacion mund të kontaktoni Këshilli Kombëtar të Integrimit Europian në adresën e emailit: Info.Kkie@parlament.al
Për të aksesuar thirrjen për pjesmarrës klikoni këtu, ndërkohë për të aksesuar listën përfundimtare të pjesmarrësve klikoni këtu.