Trajnim i gjyqtarëve të rrethit gjyqësor të Tiranës mbi ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi

14 Qershor 2011

Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut (GSGDNJ) mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros, ndërmoi iniciativën për t’u ardhur në ndihmë trupës së gjyqtarëve në rrethin gjyqësor të Tiranës për të rritur ndërgjegjësimin dhe njohuritë e tyre profesionale për zbatimin në praktikë të ligjit “Për mbrojtjen nga diskriminimi”.

Ligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi” është një instrument tjetër ligjor në favor të respektimit më të mirë të të drejtave të njeriut, promovimit të barazisë, diveristetit si dhe parandalimit e luftimit të formave të ndryshme të diskriminimit. Si një iniciativë e nxitur nga shoqëria civile, ligji ka nevojë të përhapet dhe të njihet nga të gjitha strukturat e jurisprudencës shqiptare, sidomos nga ata që do ta zbatojnë atë.

GSHDNJ dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros, e konsiderojnë me shumë rëndësi implementimin e ligjit, gjë që do t’i japë mundësi personave dhe grupeve të diskrimimuara për të adresuar shqetësimet e tyre në rrugë institucionale përpara Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi apo dhe ne gjykatë si dhe për të nxitur barazinë, tolerancën dhe diversitetin pavarësisht çdo lloj dallimi.

Iniciativa e ndërmarrë nga GSHDNJ nën mbështetjen e Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros, kishte për synim përmirësimin e kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve të gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë lidhur me konceptet e reja dhe përmbajtjen e ligjit “Për mbrojtjen nga diskriminimi”. Kjo u realizua përmes organizimit të katër sesioneve trajnimi në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës. Lektorët Elira Kokona, Erion Fejzulla, Kathleen Imholz dhe Komisioneria kundër diskriminimit, Irma Baraku kanë trajtuar çështje si përafrimi i ligjit shqiptar me direktivat e Bashkimit Europian dhe jurisprudenca e Bashkimit Europian kundër diskriminimit, vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, këndvështrimi kushtetues i ligjit, roli i zyrës së Komisionerit kundër diskriminimit në raport me gjykatat.

Projekti u mbyll me një tryezë të rrumbullakët me aktorë të ndryshëm shtetërorë dhe organizata të shoqërisë civile ku u evidentuan risitë dhe përparisitë e këtij ligji si dhe nevoja e një koordinimi më të mirë ndërmjet të gjithë partnerëve për të garantuar një njohje dhe zbatim më të mirë të ligjit “Për mbrojtjen nga diskriminimi”.