Tryezë e përbashkët konsultimi për përmirësimin e kuadrit ligjor të organizatave jofitimprurëse

14 Tetor 2010

U mbajt në Tiranë takimi i radhës me organizata të shoqërisë civile për mbledhjen e mendimeve dhe formulimin e saktë të problematikës së kuadrit ligjor të sektorit jofitimprurës. Takimet këshillimore kryhen në kuadër të projektit të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë/Soros, në bashkëpunim me Partnerët – Shqipëri, Qendra për Menaxhim Konflikti për “Përmirësimin e kuadrit ligjor që rregullon veprimtarinë e sektorit jofitimprurës nëpërmjet procesit konsultues”. Gjatë takimit në Tiranë, përfaqësuesit e 34 organizatave jofitimpruëse, si edhe përfaqësues të organizatave donatore, shprehen pikëpamjet e tyre në lidhje me kuadrin aktual ligjor për sektorin jofitimprurës.
Projekti vjen në përgjigje të shqetësimeve që janë shprehur nga organizata jofitimprurëse në lidhje me trajtimin e tyre ligjor, të barabartë me bizneset për sa i përket detyrimit të TVSH-së. Natyra e copëzuar e reagimeve solli nevojën për një proces të bashkërenduar, të strukturuar dhe gjithëpërfshirës këshillimi me organizatat jofitimprurëse në vend, të orientuar drejt nxjerrjes së alternativave konkrete për përmirësimin e kuadrit ligjor fiskal për sektorin jofitmprurës. Për të siguruar përfshirjen e mendimeve dhe përvojave të shumicës së organizatave në vend, janë organizuar gjithsej pesë tryeza të rrumbullakta në Shkodër, Gjirokastër, Vlorë, Elbasan dhe Tiranë. Së shpejti do të kryhet edhe një takim tjetër në Korçë.
Takimet kryhen nga Grupi Teknik i Punës i ngritur për identifikimin e saktë të problematikës dhe zgjidhjeve përkatëse, i cili përbëhet nga përfaqësues të disa organizatave jofitimprurëse dhe të Qeverisë Shqiptare. Grupi Teknik i Punës po analizon problemet që ka hasur sektori jofitimprurës në zbatimin e ligjit të ri fiskal dhe ndryshimet që duhen bërë për të pasur një legjislacion fiskal për sektorin jo-fitimprurës sa më afër standardeve të Bashkimit Europian.
Për të ndihmuar procesin këshillues, organizata Qendra Evropiane për Legjislacionin Jofitimprurës( European Center for Non-for-Profit Law), e bazuar në Budapest, është përfshirë në këtë projekt për të dhënë ekspertizë ligjore për çështje të legjislacionit fiskal të sektorit jo-ftimprurës në vende të ndryshme të Bashkimit Europian.
Tryezat e rrumbullakta do të pasohen nga një konferencë kombëtare ku do të prezantohet dhe diskutohet një draft amendamentesh, produkt i Grupit Teknik të Punës. Gjithashtu, u ra dakort që të organizohet një takim me komunitetin donator, të cilët janë ende të paqartë për ndryshimet në legjislacionin fiskal për të përmirësuar dhe lehtësuar marrëdhëniet midis tyre, OJF-ve dhe strukturave shtetërore, sidomos për sa i përket TVSh-së.