Tryezë e Rrumbullakët “Reforma Kushtetuese - Një Prioritet Aktual”

26 Maj 2014

Nisur nga zhvillimet politike, juridike e sociale të ndodhura këto 16 vite nga koha e miratimit të Kushtetutës, Fondacioni Shoqëria e Hapur për  Shqipërinë, Soros, më datë 26 Maj 2014, ka shpalosur iniciativën për nisjen e një debati të gjerë publik mbi nevojën primare që ka vendi për një reformë rrënjësore kushtetuese.

Kjo nismë u prezantua në praninë e drejtuesve të lartë të institucioneve shtetërore, spektrit politik, përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë, shoqërisë civile e aktorit ndërkombëtar. Nisur nga kompeksiteti i këtij procesi, të pranishmit duke vlerësuar vizionin largpamës të Fondacionit, nënvizuan se ky proces do të jetë i gjatë dhe për përmbushjen e tij do të duhet kohezioni i të gjithë aktorëve.

Disa nga mangësitë e Kushtetutës së 1998-ës që kanë sjellë dobësinë e institucioneve të pavarura përballë ndikimit të shumicës politike në parlament dhe qeveri janë krizat e përsëritura në raportet e parlamentit me Prokurorin e Përgjithshëm, në zgjedhjen e Avokatit të Popullit apo procesin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, paaftësia e parlamentit për të ushtruar një mbikqyrje efektive mbi ekzekutivin. Për më shumë, Kushtetuta nuk ka garantuar sa dhe si duhet përgjegjshmërinë e pushtetit gjyqësor. Një tjetër argument mbështetës për reformën kushtetuese është nevoja për të rishikuar amendamentet që iu bënë Kushtetutës në 2008, me qëllim rivendosjen e zgjidhjeve të mëparshme ose korrigjimin e efekteve të pamenduara anësore që krijuan ndryshimet në formulën e zgjedhjes së Presidentit dhe në mekanizmin e votëbesimit të qeverisë.

Ndryshimi i Kushtetutës bëhet akoma më i kohshëm dhe i rëndësishëm në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pas marrjes së statusit të vendit kandidat për shtet anëtar në BE, do të duhet të kryejmë ndryshimet për inkuadrimin automatik në rendin tonë juridik të së drejtës së BE.

Andi Dobrushi, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Soros theksoi se “Kushtetuta është arkitrau i shtetit ligjor. Rishikimi i saj ngërthen një proces kompleks e delikat dhe lyp një përfshirje e kontribut aktiv të gjithë spektrit politik (brenda dhe jashtë parlamentit), të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit”. Fondacioni Soros nuk e konsideron këtë proces një ushtrim intelektual e akademik, por një proces që u përgjigjet sfidave aktuale dhe te ardhmes se vendit. Realizimi i tij krijon stabilitet, sepse ruan institucionet nga ndërhyrja e politikës dhe forcon shtetin ligjor.

Pavarësisht arritjes ose jo të kuorumit të nevojshëm për miratimin e amendimeve kushtetuese në Kuvend, konsensusi politik e ai parlamentar është i nevojshëm dhe shumë i dëshirueshëm. Procesi i amendimit duhet të karakterizohet nga po ai solemnitet dhe nivel i përfshirjes si dhe procesi për hartimin e Kushtetutës. Fjalët kyçe duhet të jenë gjithëpërfshirja e transparenca.  Përballja me këtë sfidë është konstante: reforma kushtetuese duhet të jetë e kapshme për të gjithë qytetarët dhe të inkurajojë një pjesëmarrje sa më të gjerë.

Për këto arsye, Fondacioni Soros fton që reforma kushtetuese të bëhet pjesë e diskursit politik e publik e gjithashtu, në një të ardhme të afërt pjesë e axhendës parlamentare, si garanci për rivendosjen e parimit të kontrollit dhe balancimit ndërmjet pushteteve, si dhe për suksesin e reformave të nisura, ndër të cilat dhe atë në sistemin e drejtësisë.

Me këtë qëllim, Fondacioni Soros ka ngritur një grup konsultativ të përbërë nga konstitucionalistë dhe ekspertë të fushës me kontributin e të cilëve, ka hartuar një dokument teknik mbi nevojën për një reformë kushtetuese si edhe për fushat në të cilat kjo reformë duhet të përqendrohet.

Përmbledhjen e prezantimit të parë publik të nismës për "Reformën Kushtetuese" mund ta ndiqni duke klikuar këtu.

Për të parë albumin fotografik të tryezës Klikoni Këtu.

Videon e plotë të tryezës mund ta ndiqni duke klikuar këtu.

 

Bashkëngjitur gjeni materialet.