- Shqip
- English
Webinar mbi ekonominë qarkulluese: Qasja e ekonomisë qarkulluese në Shqipëri: Ndarje eksperiencash
Tematika:
Ndryshimet klimatike janë kthyer në një kërcënim serioz për mjedisin, shëndetin e njeriut dhe për ekonominë në Evropë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe kushtëzojnë zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë. Një ndër hapat e ndërmarrë nga Komisioni Evropian për të luftuar ndryshimet klimatike, për të mbrojtur mjedisin dhe për të shtyrë ekonomitë ishte hartimi i një strategjie të re që synon transformimin e Bashkimit Evropian (BE) në një ekonomi më moderne, të qëndrueshme dhe konkurruese nëpërmjet Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane apo siç njihet, “European Green Deal”, e cila u miratua më 11 dhjetor 2019.
Ndryshimet klimatike janë kthyer në një kërcënim serioz për mjedisin, shëndetin e njeriut dhe për ekonominë në Evropë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe kushtëzojnë zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë. Një ndër hapat e ndërmarrë nga Komisioni Evropian për të luftuar ndryshimet klimatike, për të mbrojtur mjedisin dhe për të shtyrë ekonomitë ishte hartimi i një strategjie të re që synon transformimin e Bashkimit Evropian (BE) në një ekonomi më moderne, të qëndrueshme dhe konkurruese nëpërmjet Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane apo siç njihet, “European Green Deal”, e cila u miratua më 11 dhjetor 2019.
Strategjia e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane përcakton politikat për uljen e masës së emisioneve të gazrave serrë dhe për përshtatje të ekonomive të shteteve anëtare me ndryshimet klimatike. Po ashtu, pjesë e kësaj strategjie është edhe Plani i Veprimit për Ekonominë Qarkulluese, i miratuar në mars 2020, i cili paraqet një angazhim të qartë të BE-së për të ndërtuar një ekonomi më të qëndrueshme në vendet anëtare përmes përfshirjes së konceptit të “Ekonomisë Qarkulluese” në politikëbërjen Evropiane. Modeli i ekonomisë qarkulluese lidhet ngushtë me makro-konceptet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe ekonomisë së gjelbër dhe është i fokusuar në efikasitetin e burimeve, duke lidhur nevojat e mirëqenies dhe rritjes ekonomike me ato të mbrojtjes së mjedisit.
Axhenda e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane përbën një rëndësi të veçantë për shtetet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të përafrimit të legjislacionit të tyre, përfshirjes në politikat zhvillimore evropiane, si dhe arritjes së standardeve të BE-së. Gjithashtu, zbatimi i modelit të ekonomisë qarkulluese është me shumë rëndësi për Shqipërinë lidhur me çështjen e mbetjeve, por edhe për të rritur efikasitetin e burimeve dhe për të modernizuar procesin e prodhimit.
Prandaj, është shumë e rëndësishme përfshirja e palëve të interesit, informimi, konsultimi me ta dhe ndarja e eksperiencës së praktikave më të mira në lidhje me sfidat dhe përfitimet që burojnë nga zbatimi i modelit të Ekonomisë Qarkulluese në Shqipëri. Për këto arsye, OSFA dhe Platforma QARKON organizuan në 2 Dhjetor 2021 një webinar me ekspertë dhe profesionistë të fushës, të cilët ndanë njohuritë dhe eksperiencat e tyre mbi sfidat e zbatimit të modelit të ekonomisë qarkulluese në Shqipëri.
Webinari është pjesë e projektit “QARKON: Platforma për Kthimin e Njohurive”, që zbatohet nga një grup ekspertësh, me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), që synon mbledhjen e njohurive të krijuara nga studiuesit shqiptarë të diasporës në fushat e ekonomisë qarkulluese dhe për energjitë e rinovueshme me fokus Shqipërinë; rritjen e njohurisë së publikut mbi ekonominë qarkulluese dhe energjitë e rinovueshme; si dhe advokimin e përfshirjes së kontributit të njohurive të diasporës në zbatimin e ekonomisë qarkulluese dhe energjive të rinovueshme në Shqipëri.
Ky aktivitet shërbeu për të diskutuar mbi ekonominë qarkulluese dhe implikimet e saj në Shqipëri. Sesioni i parë iu kushtua fjalëve përshëndetëse dhe prezantimit të Platformës QARKON nga përfaqësuesit e OSFA-s dhe projektit. Në sesionin e dytë, një panel ekspertësh prezantoi ligjëratat e përgatitura enkas prej tyre mbi ekonominë qarkulluese. Në seksionin e fundit, panelistët iu përgjigjen pyetjeve të audiencës mbi implikimet dhe sfidat për zbatimin e ekonomisë qarkulluese në Shqipëri dhe lidhjet e mundshme me rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Për më shumë informacion mund të konsultoni agjendën e aktivitetit këtu, ndërsa aktivitetin e plotë mund ta qasni këtu, ose mund të na kontaktoni në info@osfa.al