- Shqip
- English
Zhvillohet kongresi i parë mesdhetar i sëmundjes së kancerit në Tiranë
Tematika:
Më 29 dhe 30 Prill 2011, në mjediset e hotel Tirana International u zhvillua kongresi i parë mesdhetar i sëmundjes së kancerit. Të pranishëm në kongres ishin mjekë onkologë, kemio-radioterapistë, kirurgë gastroenterologë, anestezistë, gjinekologë, mjekë të përgjithshëm dhe të specialiteteve të tjera dhe specialistë të fushës nga vende të rajonit, mes të cilëve dy zëvendësministrat e Shëndetësisë së Kosovës dhe Malit të Zi, ambasadori italian Saba Delia, Mary Callaway dhe Stephen Connor, përfaqësues të programit të shëndetit publik të Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur në Nju Jork, etj.
Kongresi synonte shkëmbim eksperiencash në nivel ndërkombëtar dhe përfshirja e Shqipërisë në organizma mesdhetarë të luftës kundër kancerit. Në ditën e parë të punimeve të kongresit kryeministri Berisha ka vlerësuar si tejet të rëndësishëm rishikimin e strategjive në kuadër të luftës ndaj kancerit, si dhe shërbimit ndaj personave të prekur.
Eksperti amerikan Stephen Connor u shpreh për mediat se kujdesi paliativ duhet të futet në sistemin shëndetësor. “Kujdesi paliativ është mjaft i rëndësishëm pasi u jepet pacientëve në shtëpitë tyre. Ai përfshin anën mjekësore, qetësimin e dhimbjeve, menaxhimin e simptomave si dhe anën psikologjike sociale dhe atë shpirtërore në mënyrë që të vuajnë sa më pak për të pasur një fund më pak të dhimbshëm”, tha dr. Stephen Connor, ekspert amerikan.
Agim Sallaku, shef i spitalit onkollogjik në QSUT “Nënë Tereza” tha se nje lajm i mirë për këta të sëmurë është se trajtimet për ta po diferencohen në bazë të ndryshimeve të strukturës genetike të cdo personi që kanë mundësuar lindjen e kancerit. “Kjo lidhet me ndryshimet në strukturën genetike, modifikimet genetike që cdo person i ka individuale. Në botë sot po studiohen pikërisht këto ndryshime genetike që japin mundësinë e lindjes se kancerit , por njëkohësisht ato evidentojnë edhe mënyrën sesi mund të trajtohen, kush mund ta luftojë dhe ku ta luftojë. Pra po shkohet drejt indivualizimit të trajtimit”.
Deri më sot jemi mësuar të shohim një terapi të përgjithshme ku përdoreshin disa ilaçe për të luftuar të njëjtin kancer te individë të ndryshëm.Sot po gjënden medikamente të vecantë per t'i trajtuar ne mënyrë të vecantë.
Medikamentet në fushën e onkollogjisë janë shumë të shtrenjta në të gjithë botën dhe mjaft problematike edhe për vende shumë të pasura, pasi cdo ditë po zbulohen formula të reja të rëndësishme që rrisin mbijetesen ndaj kancerit dhe përballimi i tyre nuk është i lehtë. Por sipas prof. Sallaku një masë e mirë mbrojtëse është edhe parandalimi nëpërmjet përdorimit të një doze prej 100 mlg në ditë të aspirinës.
Kongresi i parë mesdhetar për sëmundjen e kancerit pati një pasqyrim të gjerë në shtypin e shkruar dhe viziv.
Për të parë lajmin e transmetuar në televizionin top –chanel, kliko ketu