Bashkimi Evropian dhe Ministria e Arsimit prezantojnë projektin e ri në mbështetje të modernizimit të sistemit të arsimit fillor në Shqipëri

Projekti i ri, i financuar nga BE me vlerë prej 2,3 milionë Euro, do të bëjë të mundur që rreth 135.000 fëmijëve të përfitojnë nga kurrikula bashkëkohore e bazuar në kompetenca, si dhe nga qendrat e reja burimore për fëmijët që nuk shikojnë dhe nuk dëgjojnë

Ditën e martë, më 27 shtator 2022, në Institutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë, Ambasadorja e Bashkimit Evropian, Christiane Hohmann dhe Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Evis Kushi,  prezantuan projektin dyvjeçar me titull "BE për Arsim Gjithëpërfshirës",  i cili synon përmirësimin e cilësisë dhe aksesit të fëmijëve në arsimin fillor në Shqipëri.

Projekti do të prezantojë metoda bashkëkohore të të nxënit të bazuar në kompetenca dhe të arsimit gjithëpërfshirës përmes kurrikulave të reja, trajnimit të mësuesve dhe mbështetjes ndaj shërbimeve psiko-sociale në shkolla.  Gjithashtu, projekti do të mbështesë dy institutet e nxënësve që nuk dëgjojnë dhe nuk shikojnë, në mënyrë që t’i transformojnë ato në qendra burimore kombëtare. 

"Investimi te fëmijët është investim në të ardhmen tonë. Bashkimi Evropian është duke rindërtuar tashmë 60 shkolla të goditura nga tërmeti në Shqipëri, dhe jam e lumtur që sot po prezantojmë këtë nismë me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, për t'i ofruar 135.000 fëmijëve të shkollës fillore nga klasa e 1-rë deri në klasën e 5-të arsim bashkëkohor, gjithëpërfshirës dhe të bazuar në kompetenca. Këtu përfshihet trajnimi për mësuesit dhe qendrat burimore kombëtare për fëmijët që nuk dëgjojnë dhe nuk shikojnë. Synimi jonë është i qartë: t'i sigurojmë të rinjve shqiptarë mundësitë më të mira për të ardhmen." u shpreh Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Christiane Hohmann.

 “Ky projekt do të ketë një kontribut të rëndësishëm jo vetëm në modernizimin e kurrikulës, por edhe për trajnimin e mësuesve trajnues, të cilët do të shërbejnë për trajnimin edhe të mësuesve të tjerë. Një tjetër kontribut që sjell ky projekt është edhe investimi në kabinetet e punonjësve psiko-socialë, por edhe transformimi në qendra burimore të dy instituteve. Ne po ndryshojmë ligjin e arsimit para-universitar dhe shkaku kryesor që po e bëjmë këtë, është transformimi i shkollave speciale në qendra burimore. Dëshiroj të falënderoj delegacionin dhe ambasadoren e BE-së për këtë kontribut shumë të rëndësishëm,” u shpreh Znj. Evis Kushi, Ministre e Arsimit dhe Sporteve.

Mbi 135.000 fëmijë në Shqipëri do të përfitojnë nga këto ndërhyrje, duke përfshirë më shumë se 130 nxënës që ndjekin institutet e nxënësve që nuk dëgjojnë dhe nuk shikojnë.

Informacion plotësues

Projekti i financuar nga BE-ja do të zbatohet nga Fondacioni "Shoqëria e Hapur për Shqipërinë" (OSFA) dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara i Tampere-s (TAMK), në bashkëpunim dhe partneritet të ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), Njësinë Qendrore e Financimeve dhe Kontraktimeve nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë dhe Institutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë.

Kjo nismë i shtohet Programit të BE-së EU4Schools (BE-ja për Shkollat), në kuadër të së cilit po rindërtohen dhe rehabilitohen më shumë se 60 shkolla në 11 bashki të goditura nga tërmeti në Shqipëri.

Rezultatet e planifikuara të projektit janë:

  • Hartimi dhe vënia në praktikë e një plani dhe metodologjie të re trajnimi për 24 profile arsimore sipas standardeve ndërkombëtare për shkollat fillore;
  • Përditësimi i kurrikulës së zhvillimit profesional për mësuesit në detyrë sipas praktikave më të mira aktuale;
  • Trajnimi i 320 mësuesve lidhur me metodat e reja të mësimdhënies gjithëpërfshirëse të bazuar në kompetenca.  Më pas, këta mësues do të trajnojnë gjithsej 15.000 mësues në mbarë Shqipërinë lidhur me metodat e mësimdhënies gjithëpërfshirëse dhe të kurrikulës së re të bazuar në kompetenca.
  • Ngritja e 320 kabineteve të shërbimeve psikosociale në shkollat fillore në mbarë Shqipërinë
  • Ngritja e dy qendrave kombëtare burimore (përkatësisht, për nxënësit që nuk dëgjojnë dhe nuk shikojnë) në Tiranë

Veprimtaritë e projektit kanë nisur në shkurt të vitit 2022 dhe do të vazhdojnë deri në dhjetor të vitit 2024. 

#Inclusive Albania

Projekti "BE për Arsimin Gjithëpërfshirës", pjesë e programit më të gjerë "BE për Përfshirje Sociale", është një nismë e financuar nga BE-ja me kohëzgjatje 5-vjeçare dhe fond prej 70 milionë Eurosh, që ka për qëllim të mbështesë Qeverinë e Shqipërisë në shtrirjen e shërbimeve të mbrojtjes sociale, arsimit dhe punësimit te grupet në rrezik për varfëri dhe përjashtim social, ku përfshihen të rinjtë, burrat dhe gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe pakicat.  Programi po zbatohet në 19 bashki në mbarë Shqipërinë.

Njoftimin ne formatin pdf mund ta gjeni duke klikuar këtu. Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni: info@eu4inclusiveteaching.al