BE-ja për Arsimin Gjithëpërfshirës – Takimi i Dytë Konsultativ dhe prurjet e reja në ekip
Puna për zbatimin e projektit BE-ja për Arsimin Gjithëpërfshirës vijon me ritme të larta! Pas suksesit me aktivitetin hapës të projektit dhe punës përgatitore që vazhdon e pandërprerë që nga shkurti i vitit 2022, tani është momenti që Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe partneri në zbatimin e projektit nga Universiteti i Tampere për Shkencat e Aplikuara (TAMK) nga Finlanda, të përmbyllin formësimin e disa prej aktiviteteve të rëndësishme që po vijnë. Për këtë arsye, më 1 nëntor 2022 u organizua Takimi i Dytë Konsultativ me institucionet partnere nga Ministria e Arsimit dhe Sporit (MAS), nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar (DPAP), OSFA-së dhe TAMK-ut.
Takimi Konsultativ për projektin BE-ja për Arsimin Gjithëpërfshirës i cili u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ishte një rast i mirë për t’u njohur me planin e punës dhe për të diskutuar mbi ecurinë e zbatimit të projektit. Përveçse takimi është një aktivitet kyç për informimin e të gjitha palëve të përfshira si dhe një forum për konsultime dhe rrahje të mendimeve, takimi i fundit ishte i rëndësishëm sepse të pranishmit patën mundësinë të prezantoheshin me ekipin e ekspertëve lokalë nga Shkolla e Drejtorëve (CSL) të cilët i janë shtuar rishtazi ekipit të punës.
Ekspertët finlandezë së bashku me ata shqiptarë do të punojnë ngushtësisht për një prej objektivave më të mëdha të projektit, atë të “rishikimit dhe përditësimit të kurrikulave profesionale për mësuesit në shërbim, bazuar në kompetenca dhe gjithëpërfshirje për sistemin e arsimit parauniversitar”. Me një buxhet total prej 2.3 milionë euro, një nga qëllimet kryesore të projektit është të modernizojë kurrikulën e zhvillimit profesional për mësuesit në shërbim dhe të krijojë një grup prej 320 mësuesish të cilët do të trajnohen për t’u bërë më pas mentorë të 15.000 kolegëve të tyre. Të dy nivelet e trajnimeve do të pajisin mësuesit me aftësitë e nevojshme për mësimdhënie gjithpërfshirëse e të bazuar në kompetenca.
Programi i Trajnimit të Trajnerëve (ToT) pritet të fillojë në krye të vitit 2023 me dy grupet e para të mësuesve që do të bëhen trajnues në përfundim të fazës së parë. Rrugëtimi për të përcaktuar se kush do të jenë mentorët e së ardhmes do të kalojë përmes një faze me një thirrje të hapur për aplikime, dhe më pas përzgjedhja bazuar mbi një set kriteresh të vendosura nga ekspertët e përfshirë në projekt. Por për të arritur aty, një proces kompleks duhet të kryhet më parë. Ai konsiston në të ri-përkufizuarit e koncepteve të mësimdhënies bazuar në kompetenca dhe gjithëpërfshirje, rishikimit të kurrikulave të zhvillimit profesional të mësuesve në shërbim, dhe krijimit e përditësimit të këtyre kurrikulave të zhvillimit profesional me metoda që bazohen mbi kompetenca dhe të dhëna të arsimit gjithëpërfshirës.
BE-ja për Arsimin Gjithëpërfshirës është një projekt i cili financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga OSFA-ja dhe TAMK-u. Ai zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, Insitutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë dhe Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë, dhe synon të rrisë cilësinë e të nxënit e të gjithëpërfshirjes si dhe të përmirësojë mundësinë e të nxënit për nxënësit në nivelin parauniversitar – me vëmendje të veçantë tek fëmijët që vijnë nga kategori me mundësi të pakta.
A jeni një mësuese në arsimin parauniversitar apo njihni dikë e cila është? Përhapni fjalën, teksa ne po përgatitemi të hapim së shpejti një thirrje për aplikime për t’u bërë Trajnues!
Për më tepër, a jeni të interesuar për t’u njohur me ekipet tona të ekspertëve shqiptarë dhe finlandezë? Qëndroni të sintonizuar me faqen tonë dhe llogaritë në mediat sociale për infomrmacione të mëtejshme mbi projektin.