Deklaratë e përbashkët e anëtarëve të Dhomës Zgjedhore
Tematika:
Shkarko Dokumentat:
Deklaratë e përbashkët e anëtarëve të Dhomës Zgjedhore
Anëtarët e Dhomës Zgjedhore duan ta fillojnë këtë deklaratë duke vlerësuar punën që po bëhet për ecurinë e procesit të votimit.
Gjithashtu, vlerësojnë se, media po luan një rol profesional dhe tepër të rëndësishëm në pasqyrimin minutë pas minute të situatës zgjedhore në mbarë Shqipërinë.
Dhoma Zgjedhore, përmes një prej anëtarëve të saj, KZLNDQ po monitoron procesin zgjedhor përmes 1000 vëzhguesve në terren. Gjithashtu, përmes portalit online ZALART.al, në bashkëpunim me qytetarët po monitorohet procesi në të gjithë Shqipërinë. Falenderojmë mijëra qytetarëve në të gjithë Shqipërinë që po i përgjigjen thirrjes për të raportuar ne portalit zalart.al
Deri në këtë moment anëtari i Dhomës ISP ka raportuar për pjesëmarrje të ulët të grave në zgjedhje, në veçanti në zonat Tiranë, Paskuqan dhe Kashar.
Kemi konstatuar probleme me administrimin e procesit zgjedhor. Së pari, është problemi i hapjes me vonesë të qendrave të votimit, apo hapja e procesit pa praninë e të gjithë anëtarëve. Arsyet e hapjes me vonesë të këtyre qendrave kanë qenë shpërndarja me vonese e bazës materiale apo paplotshmëria e saj, si edhe mungesa e komisionerëve.
Gabimet me printimin e fletës së votimit në Roskovec, Tepelënë dhe Devoll përbëjnë një problem shqetësues.
Konstatojmë se, personave me aftësi të kufizuar nuk ju janë krijuar kushtet e nevojshme të parashikuara në ligj për ushtrimin lirisht të së drejtës së votës.
Konstatojmë se, komisionet e Qendrave të Votimit, nuk kanë marrë masa për zbatimin e kërkesave të ligjit, që në 150 m larg QV të mos ketë materiale propagandistike. Raste të tilla janë raportuar kryesisht në disa QV në qytetin e Shkodrës.
Gjithashtu, është konstatuar prani e shtuar e deputetëve dhe kandidatëve në mjediset rreth qendrës së votimit, siç raportohet në QV në Kamëz dhe në Durrës, janë në kundërshtim me ligjin.
Duam të theksojmë se heshtja zgjedhore përfundon me mbylljen e procesit të votimit. Janë vërejtuar raste ku drejtues politik të subjekteve garuese në zgjedhje përmes medias kanë thyer haptazi heshtjen zgjedhore.
Në platformën Zalart janë raportuar raste specifike kur votues pretendojnë se kanë shkuar të votojnë, por nuk janë lejuar pasi u është thënë që kanë votuar një herë. Media po raporton raste të tjera të ngjashme.
Gjithashtu, në platformën zalart dhe rrjetet sociale, janë konstatuar raste kur, personat fotografojnë votën e tyre në fletën e votimit.
THIRRJET
Anëtarët themelues të Dhomës Zgjedhore:
I bëjnë thirrje qytetarëve me të drejtë vote, në veçanti votuesve për herë të parë dhe grave, që të shfrytëzojnë kohën e mbetur për të marrë pjesë në votime.
I bëjnë thirrje partive politike që të evitojnë daljet publike deri në përfundim të procesit zgjedhor, duke respektuar heshtjen zgjedhore.
I kërkojnë KQZ-së që përmes inspektorëve të vet të verifikojë rastet e denoncuara publikisht për çdo parregullsi në procesin zgjedhor.
I bëjnë thirrje prokurorisë që të hetojë kryesisht çdo rast të shkeljes së ligjit.
I bëjnë thirrje qytetarëve që të raportojnë në portalin Zalart.al, në organet ligjzbatuese dhe në media parregullsitë që ata hasin apo evidentojnë në procesin zgjedhor.
Për rastet e Tepelenës, Roskovecit dhe Devollit, në të cilat ka patur probleme me fletën e votimit, i bëjnë thirrje KQZ-së që të marrë masa të veçanta për informimin e votuesve, në mënyrë që të minimizohet efekti që mund të ketë kjo ngatërresë në shtrembërimin e vullnetit të zgjedhësve.
Anëtarët e Dhomës Zgjedhore po ndjekin hap pas hapi procesin zgjedhor. Në orën 17:00 një prej anëtarëve të saj, Koalicioni për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme do të ketë komunikimin e rradhës publik me median.