Deklaratë e përbashkët e anëtarëve të Dhomës Zgjedhore në lidhje me administrimin e procesit zgjedhor

Tematika: 

Shkarko Dokumentat: 

Deklaratë e përbashkët e anëtarëve të Dhomës Zgjedhore në lidhje me administrimin e procesit zgjedhor

Dhoma Zgjedhore përmes anëtarëve të saj si KZLN dhe ISP ka monitoruar procesin zgjedhor dhe tani do të vazhdojë të monitoroj procesin e numërimit të votave. Përmes portalit online ZALART.al, është bashkëpunuar me qytetarët për të siguruar një proces të rregullt zgjedhor.

Fakti që, qindra qytetarë  në  të gjithë  Shqipërinë i  janë  përgjigjur thirrjes,  për të raportuar në portalit zalart.al duke denoncuar çdo shkelje të evidentuar, përbën një lajm të mirë dhe tregon një angazhim të qytetarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Procesi i votimit në përgjithësi u zhvillua në kushtet e një situate normale të rendit dhe sigurisë. Sjellja e policisë së shtetit vlerësohet të ketë qenë në përputhje me ligjin zgjedhor.

Gjithashtu, vlerësojmë se, media po luan një rol tepër të rëndësishëm në pasqyrimin minutë pas minute të situatës zgjedhore në mbarë Shqipërinë.

Daljet publike të partive politike në ditën e votimit megjithëse të kufizuara krahasuar me zgjedhjet e shkuara kanë thyer heshtjen zgjedhore. Gjithashtu, në kundërshtim me ligjin është konstatuar prania pranë qendrave të votimit dhe mjediseve rreth tyre e, kandidatëve, deputetëve dhe përfaqësuesve të tjerë politikë. Gjatë ditës së sotme, është konstatuar se, komisionet e Qendrave të Votimit nuk kanë marrë masa për zbatimin e kërkesave të ligjit, që në 150 m larg QV të mos ketë materiale propagandistike. Raste të tilla janë raportuar në disa qytete.

Për shkak të ndarjes me vonesë të bazës materiale dhe mungesës së komisionerëve hapja e procesit të votimit është kryer me vonesë në disa QV apo ka pasur hapje të tyre pa praninë e të gjithë anëtarëve.

Gjithashtu, u konstatua se, personave me aftësi të kufizuar nuk ju janë krijuar kushtet e nevojshme të parashikuara në ligj për ushtrimin lirisht të së drejtës së votës.

Në disa raste, niveli i pamjaftueshëm i përgatitjes profesionale të komisionerëve të qendrave të votimit, ka bërë që disa votues të mund të fotografojnë votën e tyre në fletën e votimit dhe ta postojnë këtë nëpër rrjetet sociale. Një sjellje e tillë krijon kushte për shitblerjen e votës dhe deformimin e vullnetit të zgjedhësve.

Në disa raste në QV-të e Durrësit, Kavajës dhe Vorës u tentua që disa zgjedhës të mos lejoheshin të votojnë megjithëse e kishin emrin në listë.

Në këtë moment vullneti i votuesve shqiptarë është shprehur me qetësi në kutitë e votimit. Anëtarët e Dhomës Zgjedhore bëjnë apel që  çdo votë e Shqiptarëve  të numërohet me korrektësi dhe zëri i tyre të dëgjohet nga palët në proces.

Anëtarët themelues të Dhomës Zgjedhore:

Bëjnë thirrje për një mirëadministrim të fletëve të votimit dhe materialeve zgjedhore.

Bëjnë thirrje forcave politike që të tregojnë vullnetin e tyre në mënyrë që komisionerët të zbatojnë ligjin zgjedhor për numërimin, vlerësimin dhe tabelimin e rezultateve zgjedhore

I bëjnë thirrje administratës zgjedhore dhe në veçanti grupeve të numërimit të zbatojnë me përpikmëri kërkesat e ligjit.

Ripërsërisin qëndrimin e tyre që për çdo rast të konstatuar të thyerjes së ligjit të fillojë hetimi kryesisht nga organet ligjzbatuese.

Dhoma Zgjedhore, përmes KZLN-së do të monitorojnë hap pas hapi procesin e numërimit të votive në të 90 qendrat e numërimit.