Deklarate per shtyp - Kuvendi në gjykatë, për mosrespektim të së drejtës për informim

Lëvizja Mjaft! ka vendosur t’i drejtohet gjykatës për të garantuar zbatimin e ligjit, lidhur me kërkesat që kjo organizatë i ka drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për informacion zyrtar. Ky veprim pason mungesën e përgjigjes nga ana e Kuvendit ndaj gjashtë kërkesave për informacion zyrtar që Lëvizja ka depozituar pranë këtij institucioni bazuar në ligjin nr. 8503, datë 30.06.1999, “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”. Kërkesat për informacion vijnë në kuadër të nismës për përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve shtetërore përkundrejt qytetarëve, iniciative kjo e mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros.

Më 5 dhjetor 2011, Lëvizja Mjaft i ka dërguar 6 kërkesa zyrtare Kuvendit të Shqipërisë me objekt marrje informacioni për buxhetin faktik dhe atë të detajuar të institucionit për vitin 2009 dhe 2010, për auditin e brendshëm si edhe për tenderin publik për mobilimin dhe rikonstruksionin e sallës së seancës plenare. Në mungesë të një përgjigjeje zyrtare, përtej afatit 40 ditor që përcakton Ligji për të Drejtën e Informimit, u vijua me procedurat e ankimit administrativ. Këto shkresa i janë dërguar Kuvendit të Shqipërisë më datë 10 shkurt 2012 dhe megjithëse ka kaluar afati 30 ditor për ankimet administrative, ende nuk kemi marrë një përgjigje zyrtare nga Kuvendi i Shqipërisë.

Pas ezaurimit tërësor të të gjitha hallkave administrative, Mjaft! ka zgjedhur rrugën gjyqësore, me besimin në funksionimin e një sistemi shtetëror operativ, i cili garanton respektimin e ligjit dhe të drejtave të qytetarëve, si në këtë rast, ku kërkohet respektimi i së drejtës kushtetuese për informimin publik, parashikuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe rregulluar me një ligj të posaçëm. E konsiderojmë të rëndësishëm këtë hap pasi kërkojmë të sensibilizojmë të gjitha institucionet publike mbi lidhjen e pandashme që qëndron mes mirëqeverisjes demokratike dhe informimit publik mbi veprimtaritë institucionale.

Në bindjen tonë dhe qëllimin e kësaj iniciative të ndërmarrë nga MJAFT! parimi i institucionit të hapur dhe transparencës publike i shërben dy qëllimeve thelbësore për një shtet dhe shoqëri demokratike; nga njëra anë mbron interesin publik duke pakësuar mundësinë e keqadministrimit dhe korrupsionit dhe nga ana tjetër, garanton dhe mbron të drejtat individuale sepse ofron mundësinë e pajisjes së qytetarit me informacionin e nevojshëm për t’u bërë pjesë e proceseve politikë-bërëse dhe vendim-marrëse.

Duke synuar kurdoherë bashkëpunimin me institucionet publike në shërbim të interesit qytetar, Lëvizja Mjaft! do të kërkojë zbatim të plotë dhe të njëtrajtshëm të ligjit. Në këto kushte, Mjaft! do të ndjekë të gjitha hallkat ligjore në dispozicion, deri në garantimin e të drejtës për informim dhe zbatimin e plotë të ligjit.