Disa prej sukseseve të rrjetit të avokatëve
Tematika:
Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, në kuadër të Strategjisë 2014-2017, ka ndërmarrë nismën “Sfidimi i Kulturës së Pandëshkueshmërisë”, si një problem serioz për funksionimin e shtetit të së drejtës.
Në këtë kuadër, është krijuar dhe po konsolidohet një rrjet me avokatë, gazetarë dhe komunitetin në bazë për nxitjen dhe reagimin kolektiv ndaj shkeljeve dhe rasteve të pandëshkueshmërisë.
Një nga komponentët kryesore të nismës, konsiston në mbështetjen e çështjeve gjyqësore konkrete, në ndihmë të qytetarëve në pamundësi ekonomike për të përballuar shpenzimet e pagesës së avokatit dhe shpenzimet e tjera gjyqësore kur të drejtat e tyre janë shkelur si rezultat i abuzimit me pushtetin.
Në dy vitet e para është ofruar mbështetje financiare dhe ekspertizë ligjore për ndjekjen e 24 çështjeve gjyqësore.
Avokatët kanë përfaqësuar qytetarë në ndjekjen e çështjeve mjaft të ndjeshme dhe në disa raste edhe të njohura për mbarë opinionin publik vendas. Ndër çështjet më kryesore përmendim:
- Pala e paditur: Ministria e Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave, MEICOM & Albademil për çështjen me objekt gjykimi: “Shpërblim dëmi të ardhur nga plagosja, vdekja e të afërmit të tyre si pasojë e shpërthimit në fabrikën e demontimit në Gërdec”. Të trija çështjet janë fituar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë nga av. Erlir Puto dhe av. Anisa Metalla. Aktualisht çështjet janë apeluar nga Ministria e Mbrojtjes dhe po gjykohen në Gjykatën e Apelit.
- Pala e paditur: “Spitali Nënë Tereza” për çështjen me objekt gjykimi: “Shpërblim dhe kompensimi i dëmeve pasurore dhe jo pasurore të shkaktuara në shëndet si pasojë e mjekimit të pakujdesshëm”. Çështja është fituar nga Qendra TLAS duke përbërë praktikë për të ardhmen për raste të ngjashme.
- Pala e paditur: Spitali Onkologjik-Gjinekologjik “Koço Glozheni” për çështjen me objekt gjykimi: “Shpërblim dhe kompensimi dëmeve pasurore dhe jopasurore të shkaktuara të dëmtuarës dhe fëmijës së lindur me keqformim morfologjik si pasojë e gabimit profesional të kryer nga ana e mjekut”. Kjo çështje është fituar nga Qendra TLAS duke përbërë praktikë për të ardhmen për raste të ngjashme.
- Pala e paditur: “OSH.E.E- Kavajë” për çështjen me objekt gjykimi: “Dëmshpërblim për zgjidhjen e menjëhershme dhe për shkaqe të pajustifikuara të marrëdhënies së punës si dhe dëmshpërblim për mos respektim të afateve të njoftimit dhe procedurës së zgjidhjes së marrëdhënies së punës pasi nëna e të punësuarit nuk kishte paguar energjinë elektrike”. Çështja është fituar nga av. Ergert Myftiut duke përbërë një rast tipik të kundërshtimit të praktikave abuzive nga ana e personave të cilët përdorin funksionet publike për abuzim.
- Pala e paditur: Një nga kompanitë më të mëdha të callcenter-ave në Tiranë për çështjen me objekt gjykimi: “Shpërblim dëmi për largim nga puna në mënyrë të menjëhershme pa shkaqe të justifikuara”. Çështja është fituar me vendim të formës së prerë nga av. Elvis Turtulli dhe përbën një nga rastet tipike të përballjes me abuzimin, ku subjektet private abuzojnë me pozitën dominuese në treg.
Çështjet e tjera janë duke u shqyrtuar nga gjykatat dhe avokatët janë duke punuar intensivisht për ndjekjen e tyre. Një thirrje e ngjashme me atë të dy viteve të shkuara do të publikohet brenda muajit mars. Ftojmë avokatët, zyrat avokatore dhe të gjitha organizatat e interesuara të aplikojmë për t’u bërë pjesë e kësaj nisme të rëndësishme të Fondacionit.
Për më shumë rreth nismës ju ftojmë të klikoni këtu.