Fillon zbatimi i projektit ‘Sektori privat, procesi integrues dhe anëtarësues në BE’

Qendra për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor (HDPC) me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) nisi zbatimin e projektit me titull “Sektori privat, procesi integrues dhe anëtarësues në BE”. Ky projekt synon nxitjen e debatit publik dhe me tej advokimit mbi përfshirjen dhe kontributin e sektorit privat në procesin integrues të vendit dhe përballjen me sfidat e anëtarësimit.

Si një proces kompleks, procesi i integrimit Europian do të duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të kuptohet mirë nga të gjithë aktorët në të gjitha nivelet, përfshirë këtu sektorin privat. Këtij të fundit, i atribuohet automatikisht një rol kyç si subjekt dhe kontributor, për të kuptuar qartësisht dhe kontribuar direkt në proceset e brendshme transformuese të vendit, por edhe për t’u përshtatur me “rregullat e reja të lojës”, drejt një tregu më të madh, me kërkesa më të mëdha për një qasje drejt standardizimit dhe ndërkombëtarizimit. Ngritja e një debati publik gjithëpërfshirës me një qasje ndër-sektoriale dhe konsultime ndër-institucionale do të ndihmojë në vendosjen e kësaj teme në fokus të axhendave respektive integruese, në ndërmarrjen e nismave të përbashkëta, duke ndihmuar kështu politikëbërjen dhe të gjithë procesin.

Zbatimi i këtij projekti vjen me një larmi aktivitetesh që përfshijnë një tërësi aktorësh, nga sektori privat tek institucionet qendrore, por edhe aktivistë, ekspertë dhe akademikë. Si pjesë e metodologjisë, analiza desk dhe teknikat kërkimore në terren (intervistat, fokus grupet dhe pyetësori) do të shërbejnë për të zgjeruar kapacitetin informues, perceptues dhe analizues mbi: nivelin e parashikuar të përfshirjes së sektorit privat, së bashku me mundësitë, hapësirat dhe dobësitë praktike; sfidat e shumëfishta lidhur me kërkesat e integrimit dhe anëtarësimit; si dhe nivelin e informimit mbi politikat/institucionet/rregullimet e BE dhe kapacitetet aktuale të sektorit për t’ju përgjigjur dinamikave të procesit dhe rregullave të anëtarësimit.

Gjetjet dhe rekomandimet e nxjerra nga faza e parë do të mbështesin konceptimin e një qasjeje optimale me instrumente të përmirësuara për informim dhe përfshirje kontribuese të sektorit privat në këto procese, si dhe nxitjen dhe zhvillimin e një debati publik bazuar në evidenca. Ato do të promovohen gjerësisht përmes një sërë produktesh mediatike dhe do të validohen në një konferencë kombëtare, të organizuar për këtë qëllim.

Për më shumë informacion mbi projektin mund të kontaktoni info@hdpc.al ose info@osfa.al.