Finalizohet programi i Shkollës së Studimeve Politike 2020

“Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike” mbylli me sukses një vit të vështirë akademik për 21 pjesëmarrësit e gjeneratës 2020. Një grup drejtuesish të rinj – aktivistë politikë, autoritete vendore, përfaqësues të administratës publike si dhe aktivistë të shoqërisë civile – u trajnuan në një cikël njëvjeçar mbi mirëqeverisjen, organizimin politik, lidershipin si dhe politikat e Bashkimit Europian. Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) mbështeti zbatimin e këtij programi të mirënjohur të Akademisë së Studimeve Politike (ASP) në bashkëpunim me Këshillin e Evropës. Bashkëpunimi me projektin “Bashki të forta” i Helvetas Swiss Intercooperation krijoi gjithashtu mundësinë për të patur në grupin e pjesëmarrësve të këtij vitit akademik dhe pesë këshilltare bashkiake gra.

Programi klasik i shkollës i përbërë nga 3 kurse kombëtare dhe 8 seminare u zbatua në formatin hibrid, me takime direkte si dhe diskutime virtuale, në respekt të kushteve të krijuara si rezultat i pandemisë së COVID-19. Përshtatja në kushtet e reja të teknologjisë ishte një mundësi për të zhvilluar diskutime me ekspertë të njohur ndërkombëtarë, të cilët iu bashkuan trupës së përzgjedhur të lektorëve vendas.

Njëherazi, situata e pandemisë dhe pasojat e saj ishin një mundësi e mirë për të organizuar nisma hulumtuese të pjesëmarrësve dhe alumnëve të Shkollës, duke ofruar dokumente analizuese dhe rekomanduese për përmirësimin e politikave publike në interesin më të mirë të qytetarëve. Këto punime rritën besueshmërinë e aktorëve të ndryshëm në potencialin e rrjetit alumni (mbi 300 anëtarë), por edhe vetë angazhimin e alumnëve dhe pjesëmarrësve në aktivizimin e tyre në reformat e rëndësishme transformuese në vend.

Nga muaji mars, me nisjen e gjendjes së emergjencës, ekipi i ASP nxiti organizimin e diskutimeve online me alumnët mbi ndikimin e pandemisë së COVID-19 mbi demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve. Dy debate të para u bazuan në dokumentet e politikave të hartuara nga pjesëmarrësit e gjeneratës të Shkollës 2019, me qëllim për të rifreskuar të dhënat dhe rekomandimet e këtyre dokumenteve nën dritën e situatës së COVID-19.

Më konkretisht:

  • Punimi "Sfidat dhe mundësitë e arsimit në internet" u fokusua mbi sfidat me të cilat përballet arsimi në kalimin e edukimit online në kushtet e izolimit nga COVID-19.
  • Punimi Shteti i së drejtës në gjendjen e emergjencës” pati si synim për të analizuar fushëveprimin ligjor dhe fuqinë e ekzekutivit gjatë muajve të parë të emergjencës si rezultat i pandemisë. Në vijim të diskutimit, u krijua një grup alumnësh me ekspertizë juridike, të cilët finalizuan një dokument rekomandues, i cili morri interesimin e mediave.

 

Pas serisë së debateve online, ASP mbështeti një grup prej katër alumnësh për hartimin e një punimi kërkimor mbi sfidat dhe mundësitë e ekonomisë shqiptare për të përballuar krizën e shkaktuar nga pandemia. Kërkuesit, alumnë me eksperiencë në fushën e makro-ekonomisë, zhvilluan një analizë të plotë të situatës aktuale, burimeve si dhe kapaciteteve për të kapërcyer ndikimin e krizës. Disa nga rekomandimet e afruara në punimin e titulluar “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në ekonominë shqiptare”, synuan që t'ju vijnë në ndihmë politikë-bërësve në këto momente kur po diskutohen masat dhe reformat e nevojshme për të rimëkëmbur ekonominë shqiptare.

“Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike” ka nisur të funksionojë në Shqipëri që prej vitit 2007, si një program i ngritur në një kuadër më të gjerë, atë të Rrjetit të Shkollave të Studimeve Politike të Këshillit të Evropës, me qëllim forcimin e një kulture demokratike në të gjithë Evropën. 

Më shumë mbi programin e Shkollës së Studimeve Politike, mund të mësoni nëpërmjet kritereve të organizimit, lektorëve, listës së pjesëmarrësve si dhe fotot nga aktivitetet e ndryshme. Për më shumë informacion mund të kontaktoni ASP në adresën e emailit: info@asp.al ose të ndiqni faqen online të programit.